Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
10:39 11.12.2022

Sulm me shok bombë ndaj patrullës së EULEX-it në veri

Një shok-bombë (bombë çorientuese) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e dhjetorit, në afërsi të Rudares, njofton ky mision.

"Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale", thuhet në njoftimin për media të 11 dhjetorit.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit.

09:58 11.12.2022

Vuçiq: Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, duke shtuar se ata janë “detyruar [t’i ngrinin] barrikadat”.

“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Instagram më 11 dhjetor.

Vuçiq shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.

09:36 11.12.2022

Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara

Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rinisim mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në veri të Kosovës.

Mëngjesi i së dielës është i qetë në veri të vendit, por rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë - drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

Për situatë të qetë raportojnë edhe gazetarët e REL-it nga terreni.

Ura mbi lumin Ibër. 11 dhjetor 2022.
Ura mbi lumin Ibër. 11 dhjetor 2022.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën. Ndërsa pak njerëz shihen aktualisht në barrikadën në Rudarë të Zveçanit.

Pasditen e 10 dhjetorit në Rudarë, serbët lokalë u mblodhën në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb. Ata vendosën barrikada në këtë vend.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë.

01:02 11.12.2022

Të nderuar lexues,

Këtu e ndërpresim mbulimin direkt të zhvillimeve në veri të Kosovës. Rikthehemi paraditen e së dielës.

Faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG