Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
16:41 12.12.2022

Chollet anulon vizitën në Ballkan pas infektimit me koronavirus

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se e ka anuluar vizitën e tij në Ballkan dhe Bruksel për shkak të infektimit me koronavirus.

“Do të jem i angazhuar në të gjitha çështjet në rajonin e Ballkanit”, ka thënë ai duke paralajmëruar se planifikon të vizitojë shtetet e këtij rajoni në fillim të vitit të ardhshëm.

Chollet, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte planifikuar që të vizitonin në pasditen e së hënës udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.

16:13 12.12.2022

Një muaj paraburgim për Dejan Pantiqin

Ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo ka thënë se Pantiq dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të shtunën se Pantiq "ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Pantiqit më 10 dhjetor, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada.

Më pas, Policia e Kosovës, duke përmendur aspektin e sigurisë, ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

16:05 12.12.2022

Vuçeviq: Të gatshëm “për të mbrojtur qytetarët tanë”

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se “ushtria serbe është e gatshme të kryejë çdo detyrë për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe të të gjithë qytetarëve të saj”.

Me këtë deklaratë, ai aludoi në territorin e Republikës së Kosovës – shtet i pavarur qysh në vitin 2008, por të cilin Serbia nuk e njeh.

Vuçeviq i bëri këto deklarata pas vizitës që realizoi në Rashkë, ku janë të stacionuar disa ushtarë serbë.

Rashka është qytet në Serbi që gjendet afër Jarinjës - pikë kufitare që ndan Kosovën me Serbinë.

Beogradi zyrtar, qysh më 8 dhjetor, ka paralajmëruar se është duke shqyrtuar dërgimin e forcave të tij në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Paralajmërimi është bërë pasi Policia e Kosovës ka rritur praninë në veri të vendit, ku ditëve të fundit ka pasur tensione dhe incidente me armë zjarri.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Qeveria e tij, më 15 dhjetor, do të dërgojë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për vendosjen e forcave serbe në Kosovë.

KFOR-i nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këto paralajmërime.

15:47 12.12.2022

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG