Hill: Nuk shoh mundësi për zgjidhje ushtarake të çështjes së Kosovës
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të enjten nga Nishi se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i kërkojë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, mirëpo kjo çështje është politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike.
Ai ka theksuar se nuk sheh mundësi të zgjidhjes ushtarake.
“Ne duhet të qetësojmë situatën, të krijojmë paqe dhe stabilitet në këtë zonë, ashtu që njerëzit që jetojnë aty, të kenë pritshmëri të qarta se si do të duket jeta e tyre në të ardhmen. Kjo gjë mund të arrihet përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Hill.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.
Borrell informon liderët e BE-së për tensionet Kosovë-Serbi
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të informojë liderët e 27 shteteve anëtare të bllokut, për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në samitin që do të mbahet më 15 dhjetor në Bruksel.
Paraprakisht, situata në Kosovë nuk kishte qenë e paralajmëruar të ishte në agjendë.
“E dini se ditëve të fundit jemi përballur me probleme të mëdha në veri të Kosovës. E kam nisur të dërguarin e posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë Serbi] Mirosllav Lajçak në rajon, në Prishtinë dhe Beograd, menjëherë pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Do t’iu raportoj liderëve për situatën dhe do të kërkoj uljen e tensioneve dhe që ata t’i kthehen dialogut, rrugës së vetme për të siguruar perspektivë evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Borrell.
Më 13 dhe 14 dhjetor, Lajçak ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi, dhe së bashku me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë kërkuar heqjen e barrikadave.
Osmani: Veriu mbetet sfidë për shkak të Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit vjetor të mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se veriu i Kosovës mbetet sfidë për shkak të, siç tha ajo, pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës, e të cilat i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale-kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës e cilësoi si "ide hegjemoniste" paralajmërimin e Serbisë se do të kërkojë nga KFOR-i që t'i kthejë trupat serbe në Kosovë.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim, me përmasa agresioni, së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj [Aleksandar] Vuçiq, e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999", tha Osmani.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Dita e gjashtë e barrikadave
Për të gjashtën ditë me radhë, disa serbë në veri të Kosovës po vazhdojnë të bllokojnë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Vendosja e barrikadave nga disa serbë lokalë u nxit nga arrestimi i ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova thotë se ai dyshohet për “sulm terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, më 6 dhjetor.
Situata në barrikada është e qetë.
Shkollat fillore dhe të mesme, në veriun e banuar me shumicë serbe, e që funksionojnë sipas sistemit serb, janë të mbyllura që nga e hëna, sikurse edhe objektet e hotelerisë.
Shumica e qytetarëve që gjenden në barrikada, janë punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, nga sektori i shëndetësisë dhe arsimit. Siç mëson REL-i, ata dalin në barrikada me ndërrime.
Policia e Kosovës është vendosur në vendbanimet shumetnike në Mitrovicë të Veriut: Lagjen e Boshnjakëve, Tre Rrokaqiejt dhe në Kodrën e Minatorëve.
KFOR-i dhe EULEX-i po patrullojnë në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq pjesëtarët e kontingjentit polak të KFOR-it gjenden në afërsi të barrikadës së ngritur në fshatin Rudarë të Zveçanit. Kjo barrikadë gjendet në rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq.
Pas vendosjes së barrikadave, serbët kanë formuar Shtabin e Krizave. Sipas nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, në këtë shtab bëjnë pjesë “përfaqësuesit politikë të popullit serb, figura të shquara, profesorë, mjekë dhe biznesmenë”.
Po ashtu, situata në Mitrovicën e Veriut është e qetë.