Ndërlidhjet

Policia: Viktima nga Malisheva dyshohet se u ngufat nga tymi


Zjarret në komunën e Suharekës më 3 gusht 2021.
Zjarret në komunën e Suharekës më 3 gusht 2021.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Novosellë të Malishevës ka vdekur një burrë (1957) pasi kishte shkuar në një stallë e cila ishte përfshirë nga zjarri. Vdekja e tij dyshohet të jetë shkaktuar nga tymi i zjarrit.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të 3 gushtit.

"Sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë (3 gusht) ishte zgjuar dhe kishte shkuar te stalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 2 gusht, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar. Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare", thuhet në një komunikatë të policisë.

Shtohet se me 2 gusht, si pasojë e zjarrit, "ishte djegur një pjesë e stallës së tij, e cila dyshohet të jetë djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtra në rrjet elektrik shkaku i erërave të forta. Zjarri ishte shuar nga zjarrfikësit në të njëjtën ditë rreth orës 19:00".

"Dyshimet e mjekut kujdestar janë se i njëjti mund të jetë ngufatur/asfiksuar nga tymi i stallës e cila edhe pse zjarri ishte shuar ende tymonte", thuhet në njoftim.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Zjarret rrezikojnë fshatrat e Suharekës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Në disa rajone të Kosovës gjatë ditëve të fundit janë përhapur zjarre.

Më 3 gusht autoritetet në Kosovë kanë thënë se ende janë aktive katër vatra të zjarrit nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar.

Nehat Koqinaj, zëdhënës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, tha se “vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional 'Bjeshkët e Nemuna' dhe në Janjevë, Komuna e Lipjanit”.

Ende nuk ka të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara nga zjarri, por zyrtarë të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave thanë për REL-in se deri më tani, në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna” vlerësohet se nga zjarret janë përfshirë 50 hektarë sipërfaqe, por jo e tërë kjo hapësirë është shkatërruar.

Për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai tha se këto njësi janë duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.

Përkundër temperaturave të larta, ministri Sveçla tha se “kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”.

Policia e Kosovës në raportin e saj ditor, të mërkurën, ka njoftuar edhe për incidente tjera të shkaktuara nga zjarret. Një autobus udhëtarësh me 20 pasagjer, shtetas të Serbisë, është përfshirë nga zjarri në magjistralen Kaçanik–Hani i Elezit.

“Si pasojë e zjarrit autobusi është djegë në tërësi dhe nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, thuhet në raport.

Dhjetëra hektarë sipërfaqe janë djegur nga zjarret në Zhiti dhe Pozheran të Vitisë dhe fshatrat Sopniq dhe Xërxë të Rahovecit.

Zjarret ka pasur edhe në një hapësirë pyjore në Bjeshkët e Moknës në Istog dhe në Shtupeq i Madh në Pejë si dhe në Bjeshkën e Baballoqit në Deçan.

Në Sfërk të Klinës një shtëpi është përfshirë nga zjarri dhe përveç dëmeve materiale nuk ka pasur pasoja në njerëz.

XS
SM
MD
LG