Ndërlidhjet

Zvicra thotë se po vazhdojnë bisedimet Iran-SHBA

Policët duke ofruar siguri në hyrje të kompleksit të hotelit luksoz Burgenstok në Zvicër më 19 qershor 2026.
Policët duke ofruar siguri në hyrje të kompleksit të hotelit luksoz Burgenstok në Zvicër më 19 qershor 2026.

Ministria e Jashtme e Zvicrës njoftoi se bisedimet për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po vazhdojnë në Burgenstok.

Kjo ministri tha më 20 qershor se Zvicra vazhdon të ofrojë një “hapësirë konfidenciale dhe të besueshme” për të lehtësuar këto bisedime dhe se për shkak të natyrës konfidenciale të negociatave, nuk do të publikohen informacione të tjera.

Në deklaratën e shkurtër të lëshuar, Zvicra refuzoi të japë detaje lidhur me pjesëmarrësit ose përmbajtjen e bisedimeve.

Më herët gjatë 20 qershorit, Axios raportoi se i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ishin nisur për në Zvicër.

Po ashtu, më herët ishte raportuar se përshkallëzimi i përleshjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut ditët e fundit kishte shkaktuar anulimin e një udhëtimi të planifikuar në Zvicër nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, duke ngritur dyshime mbi të ardhmen e bisedimeve.

Ueb-faqja Axios raportoi më 20 qershor se Witkoff po udhëton drejt Zvicrës për t’iu bashkuar dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, i cili ndodhet aktualisht në këtë vend, ndërsa Araqchi gjithashtu pritet të mbërrijë në Zvicër më 20 qershor. Këto zhvillime mund të jenë tregues se të dyja palët janë të gatshme të nisin bisedime teknike që kanë për synim arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.

Një zyrtar i lartë amerikan u tha agjencive të lajmeve se armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut u arrit një ditë më parë nga SHBA-ja dhe Katari, me ndihmën e Iranit.

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, është një grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo degën e tij politike.

Ndërkaq, sulmet izraelite në Liban rinisën më 20 qershor, disa orë pasi hyri në fuqi armëpushimi me Hezbollahun. Sulmet lanë të vrarë të paktën dhjetë persona. Izraeli pretendon se këto sulme ishin në përgjigje të raketave të lëshuara nga Hezbollahu.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, iu përgjigj këtyre raportimeve duke publikuar si titull kryesor një shënim të panënshkruar drejtuar ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi: “Duke pasur parasysh konfliktet e vazhdueshme në Liban, takimi me Witkoffin nuk është i justifikuar, ju duhet ta mbyllni Ngushticën e Hormuzit”.

Që nga arritja e memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, që synon dhënien fund të luftës që nisi më 28 shkurt, dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit janë rritur dukshëm.

Irani e mbylli këtë rrugë kyç ujore menjëherë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt.

Marrëveshja fillestare mes palëve parasheh një periudhë 60-ditore që SHBA-ja dhe Irani të arrijnë një marrëveshje paqeje.

XS
SM
MD
LG