Qeveria me plan për Mitrovicën, opozita skeptike

Mitrovicë

Qeveria e Kosovës thotë se ka një plan strategjik, me të cilin synon ta kthejë normalitetin në Mitrovicë. Ndërkaq, opozita beson se këto masa të Qeverisë nuk do të ndikojnë që gjendja atje t’i kthehet normalitetit.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar tri orientime kryesore në angazhimin e saj në lidhje me problemin e Mitrovicës. Menaxhimi i situatës, bashkëpunimi me ndërkombëtarët, përfshirë edhe fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin me popullatën, paraqiten si tri orientimet kryesore të Qeverisë, me të cilat synohet kthimi i normalitetit në këtë pjesë të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se një qasje e tillë do të mundësojë normalizimin e gjendjes dhe fillimin e kthimit të banorëve të zhvendosur nga veriu në jug dhe anasjelltas.

“E para ka të bëjë me menaxhimin politik të situatës. Menaxhimi është politik edhe me strukturat udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës dhe është edhe me të tjerët, e me bashkësinë ndërkombëtare në veçanti, ngase ne mendojmë se zgjidhja duhet të jetë politike dhe jo zgjidhje përmes instrumenteve të rendit”.

“Menaxhimi i dytë shkon përmes institucioneve të rendit dhe në veçanti nga Ministria e Rendit, Policia e Kosovës në koordinim të plotë më KFOR-in dhe organet e EULEX-it, dhe menaxhimi i tretë i Qeverisë është me popullatën lokale”, thotë Kuçi.

Të gjitha veprimet në Mitrovicë, sipas Hajredin Kuçit, janë të koordinuara edhe me misionin e EULEX-it, vendet e Quint-it dhe praninë ushtarake të KFOR-it.

Këto orientime të Qeverisë përshëndeten nga partia opozitare Aleanca Kosova e Re. Por, sipas nënkryetarit të kësaj partie, Ibrahim Gashi, këto tri qasje të Qeverisë nuk mjaftojnë që të kthejnë normalitetin dhe bashkimin e qytetit të ndarë.

Gashi thotë se ka edhe shumë mekanizma që duhet të vijnë në shprehje, në mënyrë që të pamundësohet funksionimi i strukturave paralele dhe që siguria në këtë pjesë të Kosovës të kontrollohet nga forcat legale të rendit.

“Do të duhej të rritej numri i forcave policore atje. Mendoj sidomos në Lagjen e Boshnjakëve, e cila fizikisht është shumë afër pjesës jugore që kontrollohet nga policia e Kosovës. Kjo do të mjaftonte që për ata banorë të krijohet një masë shtesë e sigurisë. Policia e Kosovës atje vetëm është paraqitur në momente sa për ta parë dikush dhe pastaj me asnjë veprim konkret nuk ka marrë ndonjë masë për t’i mbrojtur banorët”, thekson Gashi.

Veprimet e fundit të grupeve të serbëve dhe sulmet ndaj pronave të shqiptarëve në veri, sipas Ibrahim Gashit, do të duhej të ishin si indikacione të mjaftueshme që Qeveria të ndërhynte edhe me masa të shtuara të sigurisë dhe me një prani më të madhe të policisë në veri, për t’i izoluar strukturat paralele.

Faktori policor shihet vetëm si një nga faktorët e shumtë që duhet ndërmarrë në Mitrovicë, sipas partisë tjetër opozitare - Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Avni Arifi, nga Kryesia e AAK-së, thotë se propozimi i kësaj partie që në pjesën veriore të hapen disa nënstacione policore, do të duhej të përcillej edhe me shumë hapa që shkojnë drejt normalizimit të gjendjes në veri.

“Zgjidhja nuk është vetëm te forcat policore, por është pjesë e një projekti të përgjithshëm që duhet të ekzistojë. Natyrisht, nuk mund të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh, që atje të sundojë vetëm anarkia, që kontrabanda ta dëmtojë kaq rëndë buxhetin e Kosovës, dhe ne të shprehemi vetëm në mënyrë deklarative se Mitrovica është Kosovë, e tjera”.

“Shtimi i forcave policore, komponentë tjetër që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, dhe ndihmat për komunitetin atje, janë vetëm pjesë e një programi të përgjithshëm për Mitrovicën”, deklaron Arifi.

Zgjidhja e problemit të Mitrovicës parashihet edhe ma pakon e Ahtisaarit, sipas modelit një qytet me dy komuna - ajo në jug e kontrolluar nga shqiptarët dhe në veri e kontrolluar nga serbët.

Por, as ky propozim nuk është përfillur nga përfaqësuesit serbë, kështu që status quo-ja në këtë qytet pret hapat tjerë që Qeveria dhe misioni civil ndërkombëtar eventualisht do t’i ndërmerrnin atje, në përpjekje të normalizimit të gjendjes, e më pas edhe bashkimit të qytetit.