Një vit Kushtetutë

Pamje nga seanca solemne e miratimit të Kushtetutës.

Në Kosovë, sot po shënohet njëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Këtë ngjarje do ta shënojë laureati i çmimit Nobel për paqen, ish - i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari.


Sfidat e zbatimit të Kushtetutës, një vit pas hyrjes në fuqi të saj, thuhet të jenë më të mëdha në pjesën veriore të Kosovës, ku subjektet politike të serbëve, nën ndikimin e Beogradit, refuzojnë t’i zbatojnë aktet kushtetuese-ligjore të Republikës së Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bahri Hyseni, megjithatë, beson se serbët ngadalë po e kuptojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe do të pajtohen me realitetin e ri të krijuar, duke u distancuar nga politikat e Beogradit.

“Unë shpresoj se qytetarët janë duke e kuptuar që ndikimet e Beogradit nuk janë në interes të tyre, janë në interes të destabilizimit, janë në interes të mosecjes përpara me realitetin - tashmë Kosova është shtet sovran, i njohur ndërkombëtarisht”, tha Hyseni.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ka shkelje të Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në pjesët tjera. Rasti më i rëndë, sipas Haradinajt, megjithatë, është në veri të Kosovës, ku nuk ka zbatueshmëri të Kushtetutës edhe një vit pas fuqizimit të saj.

“Gjendja më e rëndë në atë që quhet cenim i rendit kushtetues është në veri të vendit, gjendja në veri, ku juridiksioni i Kosovës, rendi kushtetues i Kosovës nuk zbatohet”,
deklaroi Haradinaj.

Në anën tjetër, deputeti Sllobodan Petroviq, thotë se komuniteti serb, të cilin ai e përfaqëson në Parlament, çdo ditë e më shumë po e kupton përmbajtjen e dokumentit më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës.

“Ka shumë gjëra në Kushtetutë që janë në interes të komunitetit serb, kurse detyra ime është që ta implementoj atë në interes të komunitetit që përfaqësoj”,
theksoi Sllobodan Petroviq.

Një mendim kritik në lidhje me zbatimin e Kushtetutës ka edhe deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli. Sipas tij, gatishmëria për të zbatuar Kushtetutën, në shumë raste, u ka munguar pikërisht atyre që kanë përgjegjësi ta zbatojnë këtë akt juridik.

“Për fat të keq, praktika gjatë këtij njëvjeçari të jetës së Kushtetutës po dëshmon të kundërtën. Kjo Kushtetutë po shërben si mekanizëm në duar të individëve në krye të institucioneve që interpretojnë sipas dëshirave, sipas nevojave partiake dhe politike”,
u shpreh Makolli.

Ndryshe, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kosovën viziton treshja ndërkombëtare që drejtoi procesin negociator në Vjenë, e drejtuar nga Marti Ahtisari, si dhe përfaqësuesit tjerë, Albert Rohan e Volfgang Ishinger.

Marti Ahtisari do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë të institucioneve vendore e ndërkombëtare dhe do t’u drejtohet ligjvënësve kosovarë në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.

Në orët e pasdites, zoti Ahtisari do të marrë pjesë edhe në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili është krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe i cili merret me shqyrtimin e gjendjes aktuale në Kosovë.

* * * * * * * * * *

Ndërkaq, sipas analistëve dhe ekspertëve për çështje juridike, problemet më të mëdha në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës mbeten shtrirja e autoritetit në gjithë vendin, si dhe moskonsolidimi i duhur i organeve shtetërore.

Analisti Driton Lajçi thotë se akti me i lartë ligjor i Kosovës, edhe pas një viti të fuqizimit, po has në vështirësi në disa drejtime.

“Vështirësitë kryesore janë pamundësia e shtrirjes së autoritetit të institucioneve në gjithë territorin e Kosovës. E dyta është mungesa e buxhetit për të përkrahur zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës. Dhe, e treta, Kushtetuta nuk korrespondon me specifikat e qytetarëve të Kosovës dhe nevojat e qytetarëve”,
thotë Lajçi.

Ekspertët juridikë konsiderojnë se në Kosovë edhe më tutje vazhdon të ketë mungesë në zbatimin e mirëfilltë të Kushtetutës. Eksperti ligjor, Ismet Salihu, pohon se pengesë më të madhe në këtë drejtim vazhdon të paraqesë jofunksionalizimi i plotë i institucioneve.

“Vështirësia kryesore, e cila qëndron si rrethanë, është fakti se akoma në Kosovë nuk janë formësuar dhe konsoliduar në nivelin e duhur institucionet e Kosovës, përkatësisht organet shtetërore të Kosovës, duke u nisur nga Parlamenti i Kosovës, ministrive të Qeverisë së Kosovës, e veçanërisht ato organe, të cilat drejtpërdrejt merren me zbatimin e ligjit dhe së këndejmi edhe të Kushtetutës”, u shpreh Salihu.

Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi më 15 qershor. Analisti tjetër, Ismail Hasani, thotë se sfidë në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës mbetet veriu i Kosovës.

"Problemi më i madh në mungesën e zbatimit të Kushtetutës në mënyrë të plotë në Republikën e Kosovës, konsiston në pjesën veriore të Kosovës dhe në enklavat serbe, si rezultat i klimës së përgjithshme politike dhe mungesës së dialogut social në përmasa shtetërore në Republikën e Kosovës, në kontekstin e pjesës, e cila edhe më tutje ka rezerva për të kuptuar realitetin e ri të Kosovës - është fjala për entitetin serb”,
tha analisti Hasani.