Pse u duhen dy parti pensionistëve?

Fotografi ilustruese

Pensionistët e Kosovës, gati që një dekadë, jetojnë në kushte të vështira. Me qëllim të përmirësimit të kushteve të tyre, pensionistët tashmë kanë formuar dy parti politike. Partia e Pensionistëve të Kosovës është themeluar në fillim të këtij viti, kurse dje është promovuar Partia e Pensionistëve dhe Invalidëve.


Subjektet politike në Kosovë nuk do ta gëzojnë më votën e pensionistëve në zgjedhjet e ardhshme, pasi tashmë ekzistojnë dy parti të pensionistëve. Përderisa Partia e Pensionistëve të Kosovës është formuar në janar të këtij viti, dje është bërë promovimi i partisë së dytë – Partisë së Pensionistëve dhe Invalidëve.

Që të dyja këto subjekte politike kanë një qëllim - përmirësimin e kushteve të pensionistëve, pasi, sipas udhëheqësve të tyre, gjendja në të cilën jeton kjo kategori e shoqërisë, është e mjerueshme.

Lush Isufaj, kryetar i këshillit nismëtar të Partisë së Pensionistëve dhe Invalidëve, thotë se që nga përfundimi i luftës, pensionistët janë diskriminuar në forma të ndryshme.

Premtimet e pothuajse të gjitha partive politike në fushatat parazgjedhore se do të zgjidhen problemet e pensionistëve, sipas tij, nuk janë realizuar asnjëherë.

“Shkaqet dhe motivet e formimit të partisë sonë janë të arsyeshme dhe thellësisht njerëzore. Po organizohemi që në organet e pushtetit të përfaqësojmë vetveten dhe që votat tona, të simpatizantëve tanë, të mos u jepen të tjerëve, që edhe më tej të vazhdojnë të na injorojnë, përbuzin dhe anashkalojmë”,
thotë Isufaj.

Edhe Sabit Dragaj, kryetar i Partisë së Pensionistëve të Kosovës, pohon se gjendja e pensionistëve është shumë e vështirë. Shuma e parave që marrin nga Qeveria, ai thotë se është ofenduese.

Formimin e partisë, Dragaj e konsideron si një lloj imponimi nga subjektet tjera politike, që janë dhe kanë qenë në pushtet, pasi, thotë ai, deri më tani asnjë qeveri nuk është marrë me çështjen e pensionistëve. Megjithatë, ai shprehet optimist se do të arrihet, sado pak, të përmirësohet jeta e kësaj shtrese.

“Nuk kishte tjetër rrugëdalje përveç se të formojmë Partinë e Pensionistëve të Kosovës, për të hyrë në Parlament - e vetmja mënyrë me të cilën mund të bëhet ndryshim”.

“Ne nuk dëshirojmë t’ia marrim askujt elektoratin; vetëm votat tona, që ua kemi dhënë me vite të tëra, t’i ndalim për vete. Nëse pensionistët vetëdijesohen, të jeni të bindur se do të jemi një ndër partitë më kryesore në Kosovë
”, shprehet Dragaj.

Në anën tjetër, themelimin e partive politike, disa pensionistë e shohin si përpjekje për ndryshimin e statusit dhe kthimin e pozitës së tyre në binarët e një jete normale.

Asllan Asllani, pensionit, thotë se formimi i kësaj partie ishte i domosdoshëm, pasi, sipas tij, gjasat janë më të mëdha për realizmin e të drejtave dhe interesave të pensionistëve.

“Ka qenë më se e domosdoshme para 10 vjetësh, është e vonuar. Realisht, duhet të pritet që të rregullohet statusi i pensionistëve”, thotë Asllani.

Por, Bajram Jashari, 70 vjeç, është skeptik se formimi i partive të pensionistëve, mund të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së tyre.

“Ne mund të flasim sa dëshirojmë në Parlament, flasin edhe të tjerë sa kanë mundësi dhe fuqi, por fjalët e tyre po hasin në veshë të shurdhër. Çdo gjë është e kotë nëse nuk ka mjete dhe në qoftë se mjetet, të cilat i ka në dispozicion Kosova, keqpërdorën, siç e dimë të gjithë ne. Secili prej nesh e di se çfarë është korrupsioni, çfarë janë vjedhjet”
, thotë Jashari.

Në Kosovë llogariten se janë mbi 130 mijë pensionistë. Por, udhëheqës të të dyja subjekteve politike thonë se anëtarë të partive mund të jenë jo vetëm pensionistët, por të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ata njëherësh pohojnë se, përmes partive, do të mundohen që të kontribuojnë jo vetëm në zgjidhjen e problemeve të pensionistëve dhe invalidëve, por të të gjithë të tjerëve që kanë probleme të pazgjidhura, të ngjashme me pensionistët.