Falimentimi i bizneseve

Fotografi ilustruese

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Kosovë janë shuar mbi 1,100 biznese, pohojnë zyrtarë qeveritarë. Sipas tyre, arsyet janë të shumta, duke filluar nga mungesa e mjeteve financiare e deri te mungesa e energjisë elektrike. Në këtë kuadër, njohës të çështjeve ekonomike thonë se ky falimentim i bizneseve duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet qeveritare.

Në Republikën e Kosovës, vetëm gjatë vitit 2009 kanë falimentuar mbi 1,100 biznese, thonë zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Në kuadër të kësaj ministrie funksionon Agjencia për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e cila ka bërë një hulumtim, për t’i identifikuar faktorët e vërtetë të shuarjes së bizneseve.

Naser Graiçevci, udhëheqës i kësaj agjencie, thotë se nga hulumtimi në fjalë bëhet e ditur se shkaqet kryesore të shuarjes së bizneseve janë: mungesa e burimeve financiare, mungesa e energjisë elektrike dhe vështirësitë e qasjes në kredi.

“...është furnizimi me rrymë, që ka shkaktuar dëme në biznese dhe KEK-u nuk ka bërë kompensimin e tyre. Janë edhe shkaqet menaxheriale. Performanca e menaxhimit të bizneseve ka qenë e dobët dhe nuk është kuptuar drejt mënyra e afarizmit në një ekonomi të tregut”
, shpjegon Graiçevci.

Graiçevci thekson se 1,100 biznese janë zyrtarisht të shuara, por, sipas tij, problemi qëndron me 20 mijë biznese të tjera, për të cilat nuk dihet nëse kanë falimentuar apo veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë joligjore.

“Vitin e kaluar, Administrata Tatimore ka formuluar një listë prej 20 mijë bizneseve, të cilat nuk janë funksionale. Ne kemi 100 mijë biznese të regjistruara aktualisht në regjistrin e Agjencisë për regjistrimin e bizneseve”.

“Ndërsa, Administrata Tatimore e Kosovës na raporton se vetëm 43 mijë biznese janë tatimpaguese. Kjo nënkupton se kemi një numër të madh të informalitetit gjysmëzyrtar
”, thotë Graiçevci.

Në anën tjetër, përfaqësues të Institutit për Studime të Avancuara, GAP, numërojnë edhe tri arsye të tjera, të cilat, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në falimentimin e ndërmarrjeve.

Kushtrim Puka, nga ky institut, thotë se është edhe konkurrenca e fortë, si shkak i importeve të shumta, pastaj normat e larta të kredive dhe efektet e krizës financiare globale.

“Arsyeja e parë është konkurrenca e fortë, si shkak i importeve të shumta. Kosova ka bilanc negativ tregtar në vlerë prej 1.6 miliard eurosh, që do të thotë se importet janë shumë më të mëdha, sesa eksportet”.

“Në anën tjetër, duke u bazuar në të dhënat e bankometrit, publikim ky i GAP-it, norma mesatare e interesit për kredi për biznese është rreth 14 për qind, normë kjo shumë e lartë në krahasim me shtetet e rajonit”
, thotë Puka.

Sipas tij, këta faktorë nënkuptojnë se në Kosovë nuk ka kushte të mirëfillta për komunitetin e biznesit, gjë të cilën, shton ai, e kanë konfirmuar tashmë edhe institucionet ndërkombëtare.

Për këtë, Puka thotë se institucionet vendore duhet të fokusohen më tepër në përmirësimin e ambientit për sektorin privat.

“Qeveria dhe institucionet e tjera vendore duhet të fokusohen në zhvillimin e politikave të qëndrueshme ekonomike, të cilat do të siguronin kushte më të favorshme për sektorin privat”, thekson Puka.

Ndryshe, ekspertët për çështje ekonomike thonë se shuarja e mbi 1,100 bizneseve brenda një viti, duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, në mënyrë që të ndërmarrin hapa konkretë për të përkrahur sektorin privat.