"Çështja nëse Serbia duhet ta njohë Kosovën, është legjitime, por Kosova midis Serbisë dhe BE-së është përcaktuar për Evropën", ka deklaruar raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin.
Në një intervistë për gazetën "Danas", Kacin ka theksuar se "Kosova është përcaktuar për BE, por, si duket, Serbia dëshiron në BE pas Kosovës".
Lidhur me takimin në Bërdo afër Kranjit, Kacin ka thënë se "shumë herë është thënë se rruga drejt BE-së çon nëpërmjet marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe dihet se kush janë fqinjët e Serbisë".
Slloveni: Konferenca megjithatë do të mbahet
Konferenca për Ballkanin Perëndimor do të mbahet këtë fundjavë, përkundër bojkotimit të mundshëm nga Serbia, ka thënë Ministria e Jashtme e Sllovenisë.
“Konferenca do të mbahet në çdo rast”, ka transmetuar agjencia DPA.
“Shumica e vendeve të Ballkanit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në nivelin më të lartë. Bisedimet për modelin e pjesëmarrjes së Serbisë dhe Kosovës ende po vazhdojnë”, thuhet në njoftim.
Në Prishtinë, zyrtarët kanë thënë se kryeministri Hashim Thaçi do të udhëtojë në konferencë për ta përfaqësuar Kosovën. “Ne nuk kemi informata se diçka ka ndryshuar”, e ka transmetuar agjencia zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi.
Fule fillon turneun në Ballkan
Komisionari i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, sot do të qëndrojë në Beograd, në ndalesën e parë të turneut të tij në rajon.
Pritet që ai ta theksojë rëndësinë e zbatimit të reformave dhe bashkëpunimit të Beogradit me Tribunalin e Hagës.
Pas Serbisë, euro-komisionari nesër do të vizitojë Malin e Zi, ndërsa më 19 mars Kosovën dhe Shqipërinë.
Dje, Fule tha se anëtarësimi në BE është çelës për të ardhmen e rajonit.
"Kosova duhet të jetë krenare për progresin e deritashëm. Rruga është e qartë - shtetet anëtare të BE-së e kanë ritheksuar se Kosova ka perspektivë evropiane sikurse edhe rajoni. Tash i takon Kosovës që ta bëjë këtë realitet”, tha Fule.