Mbi 200 milionë euro të buxhetit të Kosovës thuhet se gjenden jashtë sistemit bankar të Kosovës. Anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se Qeveria nuk po jep informacione për këtë shumë të mjeteve buxhetore.
Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare shprehin shqetësimin e tyre se Qeveria e Kosovës ka depozituar rreth 260 milionë euro të buxhetit në institucionet ndërkombëtare, por që nuk dihen se ku janë vendosur dhe cili është interesi nga depozitimi i tyre.
Haki Shatri, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, thotë se në bazë të raportit të auditorit gjeneral, në tremujorin e parë të vitit 2008, kjo shumë e parave është depozituar jashtë vendit. Ndërsa, deri në fund të vitit të kaluar, sipas tij, nuk ka pasur informacione se a janë kthyer këto para në Bankën Qendrore të Republikës (BQK) së Kosovës.
“Fjala është për 266 milionë euro, para të buxhetit, që janë hequr prej trezorit të Bankës Qendrore të Kosovës në mënyrë të kundërligjshme dhe i janë dhënë diku në shfrytëzim investitorit të jashtëm apo ndonjë institucioni të jashtëm financiar, porse ne nuk kemi të dhëna se çka ka ndodhur dhe nuk kemi raport më të ri nëse janë kthyer në trezorin e BQK-së“, thotë Shatri.
Edhe Avni Zogiani, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se ky shqetësim është ngritur disa herë, por, deri më tani, shton ai, nuk është dhënë ndonjë sqarim nga Qeveria.
“Këto informacione kanë dalë nga kanale të tjera dhe jo kanalet që janë të obliguara për të informuar opinionin publik. Por, më e rëndësishmja është se kjo shumë kaq e madhe e parave do të duhej të paraprihej nga njëfarë diskutimi në Parlament. Është fjala për një shumë tepër të madhe, do të thotë ¼ e buxhetit të Kosovës”, shprehet Zogiani.
Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave pohojnë se kjo shumë e mjeteve gjendet në institucionet financiare të vendeve evropiane, që tashmë kanë njohur Republikën e Kosovës.
Lulëzim Ismajli, udhëheqës i Departamentit të Thesarit në këtë ministri, thotë se ky fond është investuar konform ligjeve ekzistuese dhe se nga ky investim ka fituar buxheti i Kosovës.
“Ne e kemi një politikë me Bankën Qendrore të Kosovës, që nuk lejojmë që 15 për qind e portofolit të përgjithshëm të investohet në një vend, në mënyrë që t’i shmangemi rrezikut. Nga maturimi i këtyre investimeve, pjesë-pjesë janë kthyer në buxhetin e Kosovës dhe janë përdorur për projektet, të cilat kanë që të planifikuara me Ligjin e buxhetit”, thotë Ismajli.
Me këtë nuk pajtohet Haki Shatri, duke thënë se kjo shumë e mjeteve është investuar jashtë sistemit bankar të Kosovës, në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike.
“Mjetet e buxhetit nuk guxojnë të jepen me qira, e pastaj të merren fondet e kursyera të PTK-së. Kanë marrë 200 milionë euro të Post-Telekomit të Kosovës, sepse i kanë munguar paratë për buxhet, ndërsa paratë e gatshme i kanë qitur jashtë vendit, kanë bërë biznes me para të buxhetit”, deklaron Shatri.
Lidhur me këtë, Lulëzim Ismajli thotë:
“Realisht janë paraqitur në raportin vjetor të viteve përkatëse, se nuk janë të fundit të 2008-ës, mirëpo edhe më herët janë paraqitur si investime të parasë publike. Vitin e kaluar ka pasur disa zëra që janë ngritur, se është investim i paligjshëm; ka pasur edhe një auditim shtesë të këtyre fondeve dhe çdo gjë ka qenë në rregull, që është në pajtueshmëri me të gjitha ligjet përkatëse të vendit”.
Ndryshe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është institucioni përgjegjës që menaxhon mjetet e buxhetit të Kosovës.