Në Kosovë ekzistojnë katër kompani të akredituara për kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës. Por, vetëm njëra prej tyre është e autorizuar që t’i bëjë analizat laboratorike në pikat doganore.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë janë të regjistruara dhe të akredituara katër kompani për kontrollimin e kualitetit të derivateve të naftës në Kosovë, thotë Ibush Luzha, drejtor i Drejtorisë së Akreditimit. Që të katërtat thuhet se i plotësojnë kriteret e kërkuara për akreditim.
“Në Kosovë, për momentin janë të akredituara katër ndërmarrje, të cilat merren me analizën e cilësisë së derivateve të naftës. E para është akredituar ‘KPU Inspect’, e dyta është akredituar ‘INKOS’ - laboratori për derivatet e naftës, e treta është ‘Derivati’ dhe e katërta është akredituar ‘Ballkan-Petrol’", njofton Luzha.
Por, vetëm njëra nga këto kompani bën kontrollimin e cilësisë së naftës në pikën doganore të Hanit të Elezit. Ajo është kompania “Derivati”. Udhëheqësi i kësaj ndërmarrjeje, Valdet Teneqja, thotë se në bazë ligjore, kompania i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara që të ushtrojë veprimtarinë e saj.
“Të gjitha i kemi plotësuar. Tashmë jemi si laborator i akredituar, punojmë sipas standardeve në fuqi këtu dhe i kemi plotësuar të gjitha”, thotë Teneqja.
Por, udhëheqësja e kompanisë “KPU Inspect”, Lirije Karaxha-Pula, thotë se kompania “Derivati” është autorizuar pa i plotësuar kushtet për kryerjen e testimeve laboratorike të derivateve të naftës.
Ajo thotë se kompania, të cilën e udhëheq, edhe pse është akredituar sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe në bazë të udhëzimit administrativ, që nga viti 2008 nuk ka arritur që të veprojë.
Për këtë, zonja Karaxha-Pula fajëson drejtpërdrejt ministrin e Tregtisë dhe të Industrisë, Lutfi Zharkun, për autorizim të paligjshëm të laboratorit “Derivati”.
“Na është pamundësuar që ne të fillojmë me veprimtarinë tonë, ku e kemi vendin, që të bëjmë kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës në pikat kufitare. Deri më tani, ministri Lutfi Zharku nuk e detyron në asnjë mënyrë veten që t’ia lëshojë ‘KPU Inspect”-it autorizimin për kryerjen e detyrës me kompetencë të plotë”, thotë Karaxha-Pula.
Në anën tjetër, ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Lutfi Zharku, përmes postës elektronike, thotë se asnjë shkronjë të asnjë ligji apo udhëzimi administrativ nuk e ka shkelur.
Në përgjigjet e tij, ai thotë se Ligji mbi tregtinë me naftë dhe Ligji mbi akreditimin, shumë qartë përcaktojnë se akreditimi është vullnetar, kurse dhënia e autorizimit për një fushë të caktuar nuk është obligim ligjor, por është çështje e vlerësimit të plotë të ministrisë, gjegjësisht ministrit.
Çështja e ligjshmërisë së autorizimit të laboratorit “Derivati”, ministri Zharku thotë se mund të vërtetohet nga çdo institucion dhe qytetar.
Zonja Karaxha-Pula për, siç thotë ajo, padrejtësitë që iu kanë bërë nga ministri Zharku, ka dërguar shkresa të ndryshme në institucionet e larta kosovare dhe ato ndërkombëtare.
“Pranë shkresave të panumërta që i kemi dërguar edhe në Qeverinë e Kosovës, edhe atij personalisht, asnjëherë nuk kemi pasur përgjigje. Nuk ka arsye tjetër, përveçse ka interesin e vet personal”, thotë ajo.
Ministri Lutfi Zharku konfirmon se për këtë çështje, zonja Karaxha-Pula i është drejtuar edhe gjykatës, por ai, megjithatë, beson se çështja në fjalë do të zgjidhet ashtu siç duhet.
Ndryshe, deri në 1 milion e 600 mijë litra naftë dhe derivate të saj hyjnë gjatë 24 orëve në territorin e Kosovës.