"I vetmi shans është që Ukë Rugova të jetë bartës i listës... Isa Mustafa të jetë një kryesues i Kryesisë teknike", thotë për Radion Evropa e Lirë Astrit Haraqija, njëri nga udhëheqësit e fraksionit të LDK-së, që mban emrin "Lista Ibrahim Rugova"
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haraqija, sot Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës po cakton agjendën e Kuvendit Zgjedhor. Çfarë po ndodh me Listën “Ibrahim Rugova”, në anën tjetër?
ASTRIT HARAQIJA
I vetmi shans për t’u llogaritur në gjithë këto matematika është që Lista “Dr. Ibrahim Rugova” nesër (e premte) ta bëjë regjistrimin; i vetmi shans është që Uka të jetë bartës i listës, e para, dhe e dyta flamuri i Dardanisë të jetë flamur presidencial dhe himn “Kur ka ra kushtrimi”, kushdo që të jetë kryetar, pa Fatmir Sejdiun.
RADIO EVROPA E LIRË
Është përfolur shumë roli i Isa Mustafës si unifikues i partisë, çfarë gjasash ka që të ndodhë një gjë e tillë kur të dielën kur LDK mban Kuvendin zgjedhor?
ASTRIT HARAQIJA Unë kam kërkuar që të jetë Isa Mustafa, por jo të jetë kryetar i LDK-së, por të jetë një kryesues i Kryesisë teknike, për arsye se këto zgjedhje që janë mbajtur, janë mbajtur tmerrshëm, jashtëzakonisht keq dhe nuk kemi marrë pjesë në këto zgjedhje fare.
RADIO EVROPA E LIRË:
Edhe, do të braktisni LDK-në?
ASTRIT HARAQIJA
Ne jemi LDK, po në një LDK që i mban zgjedhjet me rregull, fer dhe në mënyrë demokratike, jo me një LDK të manipuluar. Ne mbetemi LDK.
RADIO EVROPA E LIRË
Tash, a do të kryesohet nga Ukë Rugova, apo nga Bujar Bukoshi Lista nesër kur ta paraqisni?
ASTRIT HARAQIJA
Jo. As që negociohet ajo punë, Ukë Rugova kryeson Listën.