Alternativat e opozitës

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, ditë më parë, ka formuar disa ekipe të ekspertëve, të cilat do të punojnë në ofrimin e ideve dhe alternativave qeverisëse, në raport me politikat e qeverisë aktuale. Ndërkohë, pjesa tjetër e opozitës nuk preferon një organizim të tillë dhe kryesisht angazhimin e vet e përqendron në rrafshin politik.


Partitë opozitare po i shtojnë përpjekjet e tyre politike për të dalë në opinion me ide dhe alternativa të reja të politikave qeverisëse.

Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të formojë disa grupe të ekspertëve, të cilat do të punojnë në vazhdimësi në hulumtimin dhe prezantimin e politikave qeverisëse, si alternativë në raport me politikat e Qeverisë aktuale.

Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se grupet e formuara të ekspertëve nuk janë një qeveri në hije, por janë ekipe që do të punojnë nëpër fusha të ndryshme.

Sipas tij, ato do të përcjellin punën e qeverisë dhe kohë pas kohe do të japin ide dhe sugjerime se si do të duhej vepruar në lidhje me qeverisjen në vend.

Nuk është ideja e organizmit të një qeverie nën hije, por është organizimi për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe mundësisë për të ofruar një alternativë sa më mirë të artikuluar nga LDK-ja, për proceset politike që ndodhin në Kosovë”, thotë Gashi.

LDK-ja dhe kryetari Isa Mustafa kanë vendosur që të formojnë grupet e ekspertëve, të cilat, në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të LDK-së dhe Kryesinë e partisë, do të krijojnë një trekëndësh, i cili do të bëjë të mundur që të hartohen politika strategjike të LDK-së dhe të krijohet mundësi që të kemi një qasje më profesionale dhe më strategjike lidhur me qeverisjen e Kosovës, tash dhe në të ardhmen”, thotë ai.

Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin e spektrit opozitar, zyrtari i LDK-së thotë se bashkëpunimi do të zhvillohet në nivelin politik, pasi që këto ekipe janë kryesisht nivel teknik, që kanë për qëllim të ndihmojnë punën e LDK-së në Kuvend dhe Kryesi të partisë, duke ofruar alternativa dhe ide të reja.

Qeverinë e parë nën hije si opozitë, shikuar nga prizmi i përvojës së deritashme të demokracisë në Kosovë, e pati formuar subjekti aktualisht më i madh që drejton edhe me qeverinë, Partia Demokratike e Kosovës.

Por, një organizim i tillë nuk pëlqehet nga i gjithë spektri opozitar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parapëlqen angazhimin politik sesa atë të organizimeve nën hije.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se kjo parti politike ka një traditë qeverisëse dhe nuk i sheh të arsyeshme dhe produktive organizimet tjera, përderisa është në opozitë.

Ahmet Isufi
Ne kemi një program mbi të cilin bazohemi dhe po ashtu edhe strukturat e partisë që kanë pasur edhe më herët një eksperiencë në qeverisje. Prandaj, formulimet e tilla si qeveri nën hije apo në formën e improvizimit duket se nuk janë aq të suksesshme. Puna jonë bazohet në vlerësimin e situatës që e kemi dhe në një vizion që e ndryshon këtë situatë”, thekson Isufi.

Partitë opozitare në legjislaturën e re, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, edhe në rastet kur kanë kundërshtuar apo kanë kritikuar veprimet e qeverisë, jo çdo herë janë treguar unike dhe të koordinuara.

Sidoqoftë, me gjithë dallimet ekzistuese, kjo legjislaturë njihet për një opozitë shumë më të fuqishme sesa ato të mëparshmet.