Lëvdata e kritika për qeverisjen

Kabineti qeveritar

Kosova në fund të vitit 2012, duket shumë më ndryshe dhe më pozitive se sa në vitet më parë, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, deklaroi të premten kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës për këtë vit.

Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se të gjitha ministritë, duke përmendur shumë nga to, kanë shënuar suksese të rëndësishme.

Ai tha se subjektiviteti i Kosovës në aspektin ndërkombëtar ka ndryshuar shumë, duke përmendur edhe numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe, siç tha ai, njohjet tashmë janë bërë nga më shumë së gjysma e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuar.

Thaçi falënderoi të gjithë miqtë ndërkombëtarë që e kanë lehtësuar procesin e njohjeve dhe lobimit, duke nënvizuar se procesi i njohjeve është arritur duke punuar në procesin e reformave dhe duke u bazuar në Pakon e Ahtisarit.

Kosova, u shpreh Thaçi, gjatë këtij viti ka shënuar një etapë të re të bashkëpunimit me BE-në, sa i takon udhërrëfyesit për Studimin e Fizibilitetit dhe shtoi se integrimi evropian mbetet prioritet kombëtar.

Viti 2012 ka shënuar edhe rritjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tha shefi i ekzekutivit, për të vazhduar se në këtë drejtim Kosova dhe Serbia kanë krijuar raporte të nivelit të barabartë.

Hashim Thaçi

“Kemi ndërtuar raporte të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, por ka qenë domosdoshmëri, përkushtim dhe vizion i yni që të ndërtojmë raporte të nivelit të barabartë të fqinjësisë së mirë edhe me shtetin e Serbisë”.

“Dialogu me Serbinë ka dhënë efektet e para, si në aspektin e fuqizimit të sundimit të ligjit, ashtu edhe të lëvizjes së pozicionit të Serbisë në drejtim të njohjes së plotë të shtetësisë së Kosovës. Fillimi i implementimit të IBM-së ka qenë rezultat konkret”
, tha Thaçi.

Nga aspekti i politikave socio-ekonomike, Thaçi përmendi sidomos ngritjen e pagave për punonjësit e arsimit, pensionistët dhe gjyqësorin.

Ai, po ashtu, përmendi të arriturat edhe në fushën e edukimit, në shëndetësi dhe në zhvillim ekonomik.

Kosova gjatë vitit 2012, tha kryeministri Thaçi, ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4 për qind.

“Qeveria ka ruajtur qëndrueshmërinë makro-fiskale dhe ka zbatuar obligimet e përcaktuara qartë me programin e FMN-së. Kosova gjatë vitit 2012 ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, ndërsa ka ruajtur bilancin bankar të paraparë prej 5, 6 për qind të bruto-produktit vjetor dhe ka realizuar të hyrat prej 27 për qind në pajtim të plotë me marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, theksoi Thaçi, për të përmendur si sukses edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, FMN, BB dhe BERZH.

Por, një vlerësim krejt ndryshe për qeverisjen, të arriturat dhe sukseset e vitit 2012 prezantuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Në një konferencë me gazetarë, ata thanë se viti që po e lëmë pas, ishte vit i dështimeve të mëdha të Qeverisë Thaçi, dhe siç theksuan ata, diçka që është parë tashmë dhe po na përsëritet vit pas viti.

Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ketë vit shteti i së drejtës është tronditur nga përpjekja për shuarjen e demokracisë dhe kontrollin e ligjvënësve, si dhe shumë skandale të tjera.

Ahmeti përmendi hyrjen e policisë në sallën e Kuvendit, nxjerrjen e deputetëve nga oborri i Kuvendit, dhunën e urdhëruar ndaj qytetarëve, skandalet, siç tha ai, në Ministrin e Punëve të Brendshme, lidhur me pasaporta e shumë çështje të tjera.

Shpend Ahmeti

“Skandali ndoshta më i madh që kemi pasur, janë përgjimet që u bënë publike para disa javëve, ku e morëm vesh se në çfarë shteti mafioz po jetojmë. Aty e morëm vesh nepotizmin se si rehatohen dajat, tezet e kushërinjtë e gjithë këtyre politikanëve”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti foli edhe për shumë premtime, të cilat i kanë dhënë zyrtarët e Qeverisë dhe të cilat nuk janë përmbushur.

Ai, veç tjerash, përmendi premtimin e kryeministrit që me shtetin e Serbisë nuk do të ketë asnjëherë dialog politik, dialog ky që është duke u zhvilluar.

“Prej faktit që nisi si dialog teknik, i cili asnjëherë, kurrë, këtu po citoj kryeministrin Thaçi, nuk do të jetë dialog politik, u kthye shumë shpejt në dialog politik, të cilin duhet ta bëjmë. Kur tha që asnjëherë nuk do të diskutojmë për veriun dhe ky dialog politik është për normalizimin e marrëdhënieve, na doli në fund që dialogu është për rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, tha Ahmeti, për të shtuar se këtë dialog Vetëvendosje do ta kundërshtojë edhe më shumë për shkak se është i padrejtë dhe pa kushte për Serbinë.

Në këtë fundvit, pozita dhe opozita prezantuan pikëpamje diametralisht të kundërta në lidhje me përparimet e vëna.

Por, ajo që i bashkoi të dy taborët politikë ishte urimi i tyre drejtuar qytetarëve për vitin ri, me urimet që viti 2013 të jetë një vit shumë më i mirë sesa viti që po e lëmë pas.