Ndërlidhjet

Thaçi: Rritjet e pensioneve do të vazhdojnë...


Kabineti qeveritar
Kabineti qeveritar
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka premtuar pensionistëve se ngritja e pensioneve deri në 40 për qind, nuk do të jetë rritja e fundit, gjatë mandatit të tij.
Ekzekutivi i vendit ditën e enjte ka marrë vendim për rritje të pensioneve.

Sipas vendimit, për pensionistët kontribut-pagues pensionet do të rriten për 40 për qind - 26.45 për qind e rritjes do t’iu paguhet nga janari 2012, ndërsa pjesa tjetër nga janari 2013.

Pensionet bazë dhe ato të aftësisë së kufizuar do të rriten në vlerë prej 33.3 për qind - 11.1 për qind e rritjes do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse lartësia tjetër e rritjes do t’iu paguhet që nga janari i vitit të ardhshëm.
Kjo nuk do të jetë rritja e fundit, gjatë këtij mandati për pagat e punëtorëve dhe pensionistëve kosovarë.

“Kjo nuk do të jetë rritja e fundit, gjatë këtij mandati për pagat e punëtorëve dhe pensionistëve kosovarë. Do të jemi shumë të kujdesshëm që të respektojmë kontributin e jashtëzakonshëm të pensionistëve të Kosovës në procesin shtet-ndërtues, të lirisë, pavarësisë, zhvillimit të vendit”.

“Është një kontribut i jashtëzakonshëm dhe historik dhe natyrisht që institucionet e Republikës së Kosovës gjithmonë do të kenë obligime shtetërore ndaj tyre”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Këto premtime kryeministri Thaçi i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësues të pensionistëve. Ai, madje, ka thënë se janë duke punuar edhe në plotësimin e disa amendamenteve shtesë në Ligjinpër pensione, në mënyrë që të përfshihen, siç thotë, disa privilegje që pensionistët mendojnë se u takojnë.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

“Jemi duke punuar ngushtë me përfaqësues të pensionistëve që Ligji për pensione të plotësohet me disa amendamente shtesë, që plotësisht janë në përputhshmëri me nevojat, kërkesat dhe sugjerimet e pensioneve të Kosovës, por edhe me mundësitë buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mënyrë që të përfshihen edhe disa privilegje tjera që pensionistët mendojnë se duhet të përfshihen në ligj”, ka shpjeguar Thaçi.

Ndërkaq, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve, ka thënë se tashmë është rritur shpresa se gjendja e tyre pritet të përmirësohet.

“Ne besojmë, kemi pasur besim, besojmë në të ardhmen se çështje e pensionistëve kontribut-pagues dhe kategorive tjera do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, është shprehur Kajtazi.

Rritja e pensioneve, sipas kryeministrit Thaçi, nuk rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore dhe stabilitetin finaciar në vend.

Ndryshe, ndaj vendimit të së enjtes të qeverisë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Në një komunikatë për media thuhet se vendim nuk i trajton pensionistët dhe problemin e sistemit pensional. Për më shumë, rritja e deklaruar, e që në përqindje duket e madhe përkthehet vetëm në rritje prej 0.50 cent në ditë. Qeveria konkretisht është siguruar që pensionistët të kenë mundësi vetëm për një bukë më shumë në ditë, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Deri më tani pensionet bazike, apo personat që kanë mbi 65 vjeç kanë marrë 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, kanë marrë nga 85 euro.

Kohëve të fundit, përmes protestave të ndryshme, pensionistët kanë kërkuar rritje të pensioneve deri në 60 për qind të vlerës së pagës mesatare në Kosovë, apo deri në 250 euro në muaj.
XS
SM
MD
LG