Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se “rrëzimi i aeroplanit të Malajzisë me 295 udhëtarë, afër kufirit me Rusinë, në pjesën lindore të Ukrainës, që fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, ishte “akt terrorist”.
Por, separatistët pro-rusë e kanë fajësuar ushtrinë e Ukrainës. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Ukraina e bart përgjegjësinë për rrëzimin e aeroplanit.
Kryeministri i vetëshpallur i së ashtuquajturës “Republikë Popullore e Donjeckut”, Aleksandr Borodai, e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi, duke thënë se separatistët nuk kanë raketa të afta për ta rrëzuar aeroplanin që fluturon në lartësi 10 mijë metra.
Ai ka pretenduar se incidenti ishte “provokim” nga ushtria e Ukrainës.
Në një njoftim për media, kompania ajrore malajziane ka thënë se në mesin e 295 personave të vdekur, 154 ishin holandezë, 27 australianë, 43 malajzian, 12 indonezianë dhe 9 britanikë.
Udhëtarët tjerë vinin nga Gjermania, Belgjika, Filipinet dhe Kanadaja derisa për 41 udhëtarë nuk është konfirmuar kombësia.
Shumica e personave në bord ishin duke shkuar në Australi në një konferencë ndërkombëtare ku do të flitej për sfidat që sjell virusi HIV.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur edhe rekorderin e dytë nga vendi i ngjarjes edhe pse prioriteti i tyre siç është raportuar, është identifikimi i trupave. Lidhur me këtë tragjedi është deklaruar edhe Bashkimi Evropian
BE-ja ka kërkuar hetime gjithpërfshirëse ndërkombëtare lidhur me rrëzimin e aeroplanit të Malajzisë në pjesën lindore të Ukrianës.
Komisioni Evropian, në një deklaratë të mbrëmshme, tha se ishte i “shokuar” nga raportet për rrethanat e incidentit dhe ka kërkuar nga “të gjitha palët në rajon” të mundësojnë qasje të plotë në vendin e përplasjes dhe për bashkëpunim me procesin e hetimit.
KE-ja tha se incidenti i rëndë “ishte ilustrim i zymtë i asaj se përse ky konflikt duhet të përfundoj shpejt”.
“Pa i paragjykuar faktet për rrëzimin, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta ndalin humbjen e pakuptimtë të jetëve në Ukrainën Lindore, të përmbahen nga aktet e përshkallëzimit dhe të pajtohen për një armëpushim të menjëhershëm”, thuhet, pos tjerash, në deklaratën e Komisionit Evropian.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar “armëpushim të menjëhershëm” në Ukrainë, për të mundësuar një hetim ndërkombëtar të papengesa dhe të shpejtë lidhur me rrëzimin e aeroplanit të Malajzisë, mbi territorin që është nën kontroll të kryengritësve në pjesën lindore të Ukrainës.
Ndërkaq, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, tha se aeroplani i udhëtarëve i kompanisë ajrore të Malajzisë, i cili dje u përplas në Ukrainë, afër kufirit me Rusinë, “duket se është goditur” dhe “është “hedhur jashtë qiellit”.
Duke folur mbrëmë vonë në një konferencë për media në Detroit, zoti Biden tha se aeroplani i Malajzisë me 295 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, “duket se është goditur - goditur dhe rrëzuar. Nuk është aksident. Është hedhur jashtë qiellit”.
Këto komente ishin më tepër specifike se sa ato të presidentit, Barack Obama, i cili më herët tha se përplasja “duket sikur mund të jetë tragjedi e tmerrshme”.
Ndaras, zyrtarë të paemëruar të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara thanë se analistët “fuqishëm besojnë” se një raketë tokë-ajër e ka rrëzuar aeroplanin, por kanë shtuar se origjina e raketës është e paqartë.
Ndërsa, sipas zyrtarit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Harashchenko, aeroplani i udhëtarëve i Malajzisë, që është përplasur në pjesën lindore të Ukrainës, ishte goditur nga një raketë tokë – ajër.
Aeroplani i tipit Boeing 777 po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur.
Raportohet se aeroplani është rrëzuar në territorin e Ukrainës, afro 60 kilometra nga kufiri me Rusinë.(z.p)