Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, që të ulen në një tryezë të përbashkët për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura nga kapitulli 23 i negociatave me BE-në.
Presidentja kroate foli për marrëdhëniet me Serbinë gjatë takimit të Presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Bërdo-Brioni, i cili zhvilloi punimet në Sarajevë, me zotimin e tyre për më shumë dialog, pajtim e bashkëpunim në rrugën e integrimeve evropiane.
Presidentja Kitaroviq tha se Kroacia nuk po e bllokon Serbinë në rrugën e integrimeve evropiane dhe se dëshiron ta shoh sa më shpejt në BE.
“Presidenti Nikoliq dhe unë kemi pasur një bisedë të hapur. Dua të them se Kroacia nuk po e bllokon dhe as që dëshiron ta bllokojë Serbinë” tha ajo duke shtuar se Zagrebi dëshiron ta shoh Serbinë sa më shpejt në BE, por kërkon që të përmbushen edhe kushtet.
“Ato mbi të cilat të gjithë do të këmbëngulim janë kushtet e Kopenhagës dhe të Madridit dhe sot e kam ftuar Presidentin Nikoliq që Kroacia dhe Serbia të ulen rreth tryezës e të zgjidhim çështjet nga kapitulli 23”, tha Presidentja kroate.
“Ne e dimë sa i vështirë është procesi i anëtarësimit, sa të rënda dhe të mëdha janë reformat që duhet bërë… por çdo gjë që në Kroaci është bërë në procesin e anëtarësimit ka qenë në dobi të qytetarëve të Kroacisë dhe t ë pakicave kombëtare”.
Por presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, tha se Kroacia nuk mund ta arsyetojë qëndrimin e saj prandaj edhe Serbia së shpejti do ta hap kapitullin 23 në negociatat me BE-në.
“Të gjithë menduan se Kroacia e ka shfrytëzuar rastin që ta ndalojë Serbinë përmes kërkesave, për të cilat mund të thotë se janë të arsyeshme, por nuk ka arritur t’ia dëshmojë as Evropës. Do të kemi së shpejti një takim në të cilin ekspertët dhe zyrtarët shtetëror do të pajtohen rreth hapave të mëtejmë. Kroacia nuk mundet ta arsyetojë qëndrimin e saj; prandaj Serbia me shumë gjasa do ta ketë të hapur kapitullin. Unë jam i gatshëm për të gjitha ato që Kroacia i vë si kushte, që ne në Serbi t’i korrigjojmë sa më parë që të mos kemi probleme në rrugën evropiane” tha Nikoliq.
Hapja e kapitullit 23 me BE-në për anëtarësim, që përfshinë fushën e sundimit të ligjit, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, u bllokua për shkak të kundërshtimeve të Zagrebit zyrtar i cili kërkoi trajtim më të mirë të kroatëve në Serbi dhe më shumë veprime në fushën e krimeve të luftës. (REL)