Gjigantët e teknologjisë, Facebook dhe Google kanë thënë se do të lejojnë punëtorët e tyre të vazhdojnë punën nga shtëpitë deri në fund të vitit.
Ata kanë njoftuar për këtë vendim, teksa kanë prezantuar planet për të rihapur zyrat, ndonëse do të lejojnë më shumë fleksibilitet të punës nga shtëpitë.
Google fillimisht pati thënë se do të zbatojë politikën e punës nga shtëpitë deri më 1 qershor, mirëpo tani e ka shtyrë atë edhe për 7 muaj tjerë.
Facebook në anën tjetër pati thënë se do të rihapte zyrat më 6 korrik, teksa masat e izolimit lehtësohen gradualisht.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai, ka thënë se punëtorët që kanë nevojë të kthehen në zyrë, do të mund ta bëjnë këtë gjë nga muaji korrik, me masa të shtuara mbrojtëse.
Mirëpo shumica e punëtorëve që mund të kryejnë punën nga shtëpitë, do të mund ta bëjnë këtë gjë deri në fund të vitit, ka shtuar ai.
Ndërkohë Facebook ka thënë se është ende duke vlerësuar se cilëve punëtorë do t’iu kërkohet kthimi në ambiente të punës.
Ky rrjet social ka qenë një nga kompanitë e para tekonologjike që u ka kërkuar punëtorëve të vet që të punojnë nga shtëpitë.
Facebook u ka dhënë punëtorëve që ka 1,000 dollarë shtesë për të punuar nga shtëpitë si dhe për të mbuluar shpenzimet e kujdesit ndaj fëmijëve.
Trendi i punës nga shtëpitë, duket se iu përshtatet shumë kompanive në botë, derisa të realizojnë planet e ridizajnimit të hapësirave të punës, ashtu që të zbatohet udhëzimi për distancim fizik.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë