Edhe pas disa dekadash nuk është harruar teza se, gjoja, Perëndimi kolektivisht ka qenë “i padrejtë ndaj serbëve”.
Këtë tezë e ka ngritur tani edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë.
Në një forum në Moskë, ai tha se Perëndimi “e ndau popullin serb në disa pjesë dhe serbët përfunduan në entitete të ndryshme shtetërore”.
Kurt Bassuener nga Këshilli Ndërkombëtar për Politikat e Demokratizimit vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) se Putini po krijon bazën për “korrigjimin” e kësaj “padrejtësie”.
“Dhe ai mbështet hapur konceptin e ‘botës serbe’, i cili jo vetëm që përfaqëson një përpjekje për riemërtimin e idesë së ‘Serbisë së Madhe’, por besoj se edhe krejt qëllimisht e pasqyron konceptin e ‘botës ruse’”, thotë Bassuener.
Ai i sheh vlerësimet e Putinit si të njëjtin lloj revizionizmi antihistorik, përmes të cilit presidenti rus arsyeton “operacionin e tij të posaçëm ushtarak”, përkatësisht pushtimin brutal të Ukrainës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me vlerësimet e bëra nga presidenti rus.
Deri në publikimin e këtij artikulli, pyetjeve të REL-it nuk iu përgjigjën as ministritë e Punëve të Jashtme në Zagreb, Sarajevë, Podgoricë dhe Prishtinë.
SHIKONI EDHE:
'Bota serbe' e Vulinit si kërcënim për rajoninPikërisht politikani prorus Aleksandar Vulin e futi termin “bota serbe” në politikë.
Ky partner koalicioni i ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë viteve të fundit ka mbështetur tezën se Vuçiqi duhet ta krijojë “botën serbe”.
Sipas kësaj ideje, serbët do të kishin të drejtën të ishin një popull politikisht i bashkuar, i cili do të merrte së bashku vendime për çështjet kryesore kombëtare.
Vulini, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane, ka thënë gjithashtu se Vuçiqi është president i të gjithë serbëve, ndërsa vetë Vuçiqi, pas kritikave nga rajoni, është distancuar duke deklaruar se politika e “botës serbe” nuk është politika e tij.
Në rajon, i cili ende e mbart barrën e shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, diskutimet për “botën serbe” janë perceptuar si përpjekje për ringjalljen e idesë së “Serbisë së Madhe” të viteve ’90.
SHIKONI EDHE:
Deklarata e Vulinit për botën serbe “nuk është politikë zyrtare”Hrvoje Klasiq, profesor i historisë në Fakultetin Filozofik në Zagreb, thotë për REL-in se ëndrrat për një “Serbi të Madhe” kanë dështuar prej kohësh.
“Ato nuk ishin të realizueshme as atëherë kur Serbia kishte armë pas vetes, përkatësisht Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA), dhe kur kishte edhe financa. Tani mund të shërbejnë vetëm për përdorim të brendshëm ndaj asaj pjese të elektoratit që në asnjë mënyrë nuk po del nga e kaluara”, ka thënë ai.
Si u “nda” populli serb
Duke folur për “padrejtësinë” ndaj serbëve, Putini fillimisht përmendi Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1995 dhe përcaktoi mënyrën e funksionimit të këtij shteti.
Më pas ai shtoi se “serbët u bënë popull i ndarë në Evropë , pra i ndarë me forcë”.
Historiani Klasiq, nga ana tjetër, thotë se serbët kanë jetuar gjithmonë në shtete të ndryshme.
SHIKONI EDHE:
Në Serbi themelohet Shoqata Historike Ruse, Vulin flet hapur për “luftën për botën serbe”Ai thekson se ata kanë jetuar në Perandorinë Osmane, më pas në Austro-Hungari, e më vonë, përmes Jugosllavisë, në republika të ndryshme.
“Nuk ndodhi ndonjë padrejtësi që papritur tani serbët të jenë të bllokuar në një territor të huaj”, thotë ai.
Klasiqi shpjegon se serbët e Banisë dhe Likës në Kroaci, si dhe ata nga Banjallukë në Bosnje e Hercegovinë, kanë jetuar për kohë më të gjatë nën kryeqytete të tjera sesa nën Beograd.
“Ata janë të shpërndarë nëpër disa shekuj të kaluar, jo për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka thënë ai.
“Përmbajtja” e Aleksandar Vuçiqit
Duke folur në forumin e klubit “Valdaj”, Putini theksoi gjithashtu se udhëheqja e deritanishme e Serbisë, me Aleksandar Vuçiqin në krye, ka ndjekur një politikë të përmbajtur dhe ka treguar dëshirë për bashkëpunim me Rusinë.
Në të njëjtën kohë, ai tha se shpreson se Vuçiqi do të jetë kryeministër në të ardhmen, ndërsa ish-presidenti i Serbisë përballet në zgjedhje me sfidën më serioze gjatë 14 vjetëve të qeverisjes së tij.
SHIKONI EDHE:
Çka i karakterizoi 14 vjetët e Vuçiqit në pushtet?Pyetjeve të REL-it lidhur me vlerësimet e presidentit rus nuk iu përgjigjën as Vuçiqi, as lista studentore “Studentët fitojnë”, e cila konsiderohet rivali kryesor i tij.
Nga lista studentore u tha se për momentin nuk do t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve.
Lista “Studentët fitojnë” së fundi publikoi qëndrimin e saj për sanksionet ndaj Rusisë, duke thënë se Serbia “do ta ruajë qëndrimin parimor për të mos vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë”.
Vuçiqi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë më 27 shtator, në mënyrë që të merrte pjesë në fushatën për zgjedhjet e parakohshme.
Pikërisht Putini ishte udhëheqësi i fundit i huaj me të cilin ai bisedoi para dorëheqjes.
Përveç marrëveshjes për gazin, përmes së cilës disa ditë më vonë u zgjatën për edhe tre muaj furnizimet ruse me gaz për Serbinë, ata biseduan edhe për bashkëpunimin dypalësh dhe luftën në Ukrainë.
Çfarë nënkupton fajësimi i Perëndimit
Si Putini, ashtu edhe Vuçiqi shprehin shpresën se politika e jashtme e Serbisë edhe pas zgjedhjeve të 25 tetorit do të jetë e balancuar, duke pasur parasysh mbi të gjitha marrëdhëniet e Beogradit me Moskën.
Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka ndjekur politikën e Brukselit për sanksionet ndaj Rusisë.
Moska, nga ana tjetër, luan në kartën e varësisë së Serbisë nga gazi rus, duke e zgjatur marrëveshjen e furnizimit për tre muaj, dhe jo për një periudhë afatgjatë si më parë.
Deklaratat e Putinit për “ndarjen” e popullit serb, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) me seli në Prishtinë, i sheh si “nxitje të sherrit” në Ballkan, në funksion të interesave të tij.
“Është muzikë shumë e mirë për veshët e nacionalistëve dhe të atyre që punojnë kundër rendit perëndimor, që nënkupton integrimin në BE dhe NATO”, tha ai për REL-in.
SHIKONI EDHE:
Patriarku serb përkrah "botën ruse", dënon Perëndimin dhe i përcjell mesazhe Putinit për KosovënPër historianin Klasiq, mesazhet e Putinit lidhur me shkaqet e ndarjes së pretenduar të popullit serb synojnë ekskluzivisht konfrontimin me Perëndimin.
“Komentin e Putinit e shoh ekskluzivisht si një tjetër përpjekje të tij për t’ia paraqitur Perëndimin si një gogol elektoratit rus, por në këtë rast me gjasë edhe elektoratit të Aleksandar Vuçiqit, si faktor destabiliteti dhe si një lloj armiku shekullor”, thotë ai.
Ai gjithashtu konsideron se komentet e Putinit lidhen me politikën e brendshme.
“Duket se Putini, për gjithçka që thotë në këtë rast, në hapin e dytë mendon për Rusinë, e jo për Serbinë, e aq më pak për Republikën Sërpska”, shtoi ai.
Beogradi zyrtar nuk ka hequr dorë nga lidhjet me Rusinë, pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Përkundrazi, ai tashmë mbështetet në përkrahjen e Moskës në organizatat ndërkombëtare për çështje të caktuara, para së gjithash për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, por edhe për refuzimin e cilësimit të asaj që ndodhi në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 si gjenocid.