Kompleksi “Adem Jashari”: Kujtesa kolektive që pret restaurimin
Një traktor i familjes Jashari ka mbetur në mes të njërës nga shtëpive ku ata u vranë dhe skelave mbrojtëse që i janë vendosur shtëpisë pak kohë pas ngjarjes të vitit 1998.
Skelat dhe streha mbrojtëse të metalta ishin paraparë të jenë zgjidhje e përkohshme për ruajtjen e shtëpive deri në restaurimin e plotë, por ato kanë mbetur të vendosura edhe sot e kësaj dite.
Nëpër kompleks shihen ende rrënoja të strukturave të shkatërruara në atë kohë.
Adem Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i rezistoi regjimit serb në Kosovë.
Familja Jashari u përball me disa ofensiva para marsit të vitit 1998. Ndërsa, në sulmin e fundit, familja ishte e rrethuar për tre ditë rresht. Mbijetoi vetëm Besarta Jashari.
Brenda kompleksit janë rregulluar varrezat e 59 të vrarëve. Aty qëndrojnë vazhdimisht ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Shenjat e djegies po ashtu janë të dukshme nëpër trarët e njërës nga shtëpitë.
Aktualisht në kompleks gjendet edhe një mini-muze që ka ekspozuar gjësendet e familjes si dhe një ciceron.
Gjurmët e plumbave dhe artilerive shihen kudo nëpër muret e shtëpive.
Sot, Adem Jashari dhe familja e tij janë nderuar me titullin “Hero i Kosovës”. Çdo vit, më 5, 6 dhe 7 mars, Kosova përkujton Epopenë e Jasharëve.
Statuja e Adem Jasharit, e cila po ashtu ka filluar të dëmtohet nga koha, është e vendosur përpara shtëpisë ku ai u vra.