Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk kanë arritur marrëveshje politike gjatë takimit të tyre më 4 gusht.
Megjithatë, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku paralajmëruan se bisedimet do të vazhdojnë me qëllim që të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut, që zgjati mbi tri orë, u zhvillua dy ditë para seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.
"Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës", tha Kurti.
Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.
Abdixhiku e cilësoi si takim të mirë dhe tha se LDK-ja është e gatshme me "çdo çmim dhe çdo kusht" t'i shmangë zgjedhjet.
Qëndrimet për presidentin
Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, deklaruan se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin, por Kurti insistoi në një president konsensual.
Sipas Kurtit, presidenti i ri i vendit nuk duhet të paraqesë polin e katërt të pushtetit, të mos jetë "i përfshirë në polemikat ditore".
"Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sa i përket presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Unë nuk mund të sjell emër konkret, sepse ai do të duhej të ishte konsensual, gjithpërfshrës, të mos ishte i LVV-së", tha Kurti.
Por, për Abdixhikun, president konsensual është kushdo që i ka 80 vota në kuti.
"President konsensual është secili president që i merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i pasur votat e veta", tha Abdixhiku.
SHIKONI EDHE:
Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentitPikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive politike për presidentin e ri të vendit nxiti zgjedhjet e qershorit - të tretat që nga shkurti i vitit 2025.
LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
LDK-ja në zgjedhjet e qershorit garoi me ish-presidenten Vjosa Osmani, si kandidate edhe për një mandat në krye të vendit. Ajo, së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, ishin pjesë e takimit të 4 gushtit.
Kurti, ndërkaq, u shoqërua nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
LDK "s'ka apetit për kryeparlamentarin"
Abdixhiku tha se janë pajtuar që nëse nuk arrihet marrëveshje deri në seancën konstituive, më 6 gusht, mund të vazhdojnë bisedimet, pasi ai u shpreh se partia e tij nuk është e interesuar për kryetarin e Kuvendit.
“Nëse nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit. LDK s’ka apetit për kryetarin e Kuvendit”, tha ai.
Sipas Kushtetutës, partisë fituese i takon që të propozojë postin e kryetarit të Kuvendit, në këtë rast kjo e drejtë i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
Me konstituimin e Kuvendit, nis rrjedha e afateve si për formimin e Qeverisë, ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit. Sipas një aktvendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët do të kenë kohë 60 ditë për ta zgjedhur kreun e ri të vendit, sapo të konstituohet Kuvendi. Në të kundërtën, vendi shkon sërish në zgjedhje.
Ndërkaq, i pyetur nëse ka unitet brenda grupit parlamentar të LDK-së për një marrëveshje me LVV-në, Abdixhiku tha se nëse marrëveshja është e mirë, partia i ka të gjitha votat.
"Nuk mund të diskutoj për mbështetje politike, pa pasur substancë. Fillimisht duhet të ndërtohet marrëveshja, pastaj të flasim për numra", tha ai.
Abdixhiku përsëriti qëndrimin e tij se LDK-ja dëshiron një marrëveshje gjithpërfshirëse, që ka balancë institucional dhe që LDK-ja të jetë e përfaqësuar në të.
Ai tha se takimet do të vazhdojnë me vullnet të mirë, dhe nëse "s'bëjmë asgjë", zgjedhjet e reja janë të garantuara.
Ndërkaq, duke hyrë në Kuvend për takim me Abdixhikun, Kurti deklaroi se ai ka mbështetje të mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, por “për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”.
SHIKONI EDHE:
Kurti thotë se ka “vullnet e gatishmëri” për marrëveshje me LDK-në para seancës konstituiveKurti u dërgoi ftesa një ditë më parë për takim edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atij të Aleancës, Ardian Gjini, por që të dy refuzuan takimin me të.
Pas takimit me Abdixhikun, Kurti tha e është e nevojshme që të takohen krerët partiakë dhe shprehu keqardhje për refuzimin e ftesës.
"Duhet të takohemi, të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë", tha Kurti.
Kjo është hera e dytë që Kurti takohet me Abdixhikun, pasi ai më 10 korrik kishte takuar ndaras atë, dhe kreun e PDK-së.
Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.
Gjini i Aleancës, ndërkaq, ka refuzuar të dy ftesat e dërguara nga Kurti. Ai ka paraqitur disa kushte për Kurtin, në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve, por ka theksuar se Aleanca nuk është e interesuar për të hyrë në Qeveri.