Haxhiu: KGJK të mos bie pre e ndikimeve për gjyqtarët serbë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që të mos bie pre e ndikimeve të askujt, qoftë vendore apo ndërkombëtare, dhe t’i dërgojë asaj kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje vite më parë.

Ajo kërkoi nga KGJK-ja që gjatë mbledhjes së sotme të respektojë ligjet dhe t’i dërgojë asaj propozimin për lirim nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje më 2022.

Çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë ishte pika e nëntë e rendit të ditës të mbledhjes së KGJK-së, që nisi pasditen e së premtes. Megjithatë, anëtarët e saj nuk arritën ta trajtonin atë fare, pasi që mbledhja dështoi në mungesë të kuorumit.

Mbledhja nisi me kuorum të mjaftueshëm, por pasi kryesuesi Rrustem Thaqi hapi për diskutim çështjen e pikave të rendit të ditës, mes anëtarëve nuk pati dakordim për largimin e një pike nga rendi i ditës, teksa disa të tjerë kërkuan që pika e dorëheqjeve të ishte e para dhe më pas disa anëtarë lëshuan takimin.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se KGJK-ja, në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk ka kompetencë që të kthejë gjyqtarët serbë në punë, pasi ata ofruan dorëheqje më 2022, duke këshilluar që KGJK-ja të ndjekë shembullin e Këshillit Prokurorial të Kosovës që i kërkoi asaj të lirojë nga detyra prokurorët dhe stafin administrativë serbë.

“Imagjinoni të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të një shteti tjetër”, tha Haxhiu.

SHIKONI EDHE:

BE kritikon vendimin e Kosovës për prokurorët serbë

Ajo po ashtu kritikoi faktorin ndërkombëtar, duke thënë se po bën “presion” mbi KGJK-në dhe KPK-në për çështjen e dorëheqjeve.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian kërkoi që partitë politike të mos i bëjnë presion KGJK-së në vendimarrje, pasi disa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kërkuan që këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.

“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtarë, që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër”, tha Haxhiu, duke pyetur po ashtu se kush nga ndërkombëtarët do të kërkonte nga këshillat që të veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

SHIKONI EDHE:

BE kërkon që partitë të mos i bëjnë presion KGJK-së për gjyqtarët serbë

Haxhiu tha se pas aktit të dorëheqjes, nuk është në vullnetin politik e as në vendimet e këshillave që të zhbëhet ky vendim.

“Dorëheqja është akt juridik që sjellë përfundimin e mandatit dhe pasi ky efekt është prodhuar, ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëtin mandat. Legjislacioni në fuqi nuk i jep asnjë kompetencë ligjore as KPK-së, as KGJK-së që të anulojë pasojat e dorëheqjes apo të rivendosë një mandat që ka përfunduar”, tha Haxhiu.

Rreth 130 prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim - i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t'i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

Por, çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, Haxhiu kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.

Në qershor, Haxhiu iu drejtua KGJK-së dhe KPK-së që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.

Sipas saj, këshillat e kanë obligim ligjor që t’ia dorëzojnë asaj emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqje, me qëllim që ajo, përmes dekreteve t’i lirojë nga detyra.

Më 21 korrik, Haxhiu liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Vendimi i saj u mor pasi KPK refuzoi kërkesat e pesë prokurorëve dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.

Vendimi u kritikua nga BE-ja.

Gjatë konferencës për media, Haxhiu tha po ashtu se ka informacione që disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë që kanë dhënë dorëheqje janë paguar nga Serbia, duke pretenduar se disa ende vazhdojnë të paguhen.

Ajo mandje pretendoi se ka dyshime që ata të jenë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme dhe janë ndikuar nga Serbia gjatë administrimit të drejtësisë.

"Ka shumë raste, ku disa prej tyre janë edhe publike, ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve" në Kosovë, tha Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së presidentit tha se uron që KGJK-ja të mos marrë vendim, që sipas saj nuk është në përputhje me ligjin, pasi shtoi se do të ishte një "precedent i rrezikshëm". Megjithatë, ajo tha se sapo t'i ketë emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, do të dekretojë lirimin e tyre.

Haxhiu tha se dyert e institucioneve të Kosovës janë të hapura për serbët që nuk ndikohen nga Serbia, duke shtuar se KPK veçse ka njoftuar për hapjen e një konkursi të ri dhe KGJK duhet të veprojë po njësojë.

SHIKONI EDHE:

Katër vjet pas largimit të prokurorëve serbë, Kosova përgatit konkurs të ri

Më herët, Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.