Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e 20 korrikut, refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e dorëheqjeve që kishin paraqitur në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Në atë kohë, përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të pushtetit lokal, dorëheqje kanë dhënë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Dorëheqjet janë nxitur nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi - në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.
Vendimin përfundimtar për shkarkimin e prokurorëve serbë duhet ta marrë ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo, në mes të qershorit, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial që t’i përfundojnë “pa vonesë” të gjitha procedurat, duke vlerësuar se zvarritja ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Vendimi i Këshillit Prokurorial për refuzimin e kërkesave u mor me propozimin e nënkryetarit të këtij institucioni, Dardan Vuniqi.
Kryesuesi i Këshillit, Arian Gashi, kishte propozuar që çështja të shqyrtohej në një mbledhje të ardhshme, me arsyetimin se paraprakisht duhej të konsultohej edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë marrë vendim lidhur me kërkesat e gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve.
Ata shtuan se opinioni do të njoftohet me kohë, por nuk dhanë detaje se sa gjyqtarë dhe punonjës administrativë nga komuniteti serb në veri kanë kërkuar rikthimin në detyrë.
Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje në mes të qershorit.
Bashkimi Evropian deklaroi më 15 korrik për Radion Evropa e Lirë se ajo është duke u trajtuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.