Ambasadori amerikan në NATO inspekton nga ajri Bazën e Kuçovës

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker dhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi.

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka zhvilluar një tur informues nga ajri mbi Bazën Ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Ai po ashtu ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, dhe ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi.

Në një postim në rrjetin social X, Whitaker ka shkruar se në takime ka diskutuar edhe mbi pritjet e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë lidhur me atë se çfarë mund të arrihet më shumë për lëvizshmërinë ushtarake.

“Në Shqipëri, pata një tur informues nga ajri mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi. Gjatë diskutimeve me kryeministrin Edi Rama, dhe ekipin e tij, theksova se presim të shohim çfarë më shumë mund të arrihet për lëvizshmërinë ushtarake, pasi Shqipëria të përmbushë objektivin e presidentit [amerikan] Donald Trump, për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, shkroi ai në X.

Turi nga ajri mbi Bazën Ajrore të NATO-s në Kuçovë vjen në një kohë kur nga zyrtarë të lartë në Shqipëri ka pasur deklarata në lidhje me faktin se a mund të përdoret kjo bazë nga SHBA-ja për operacione kundër Iranit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha për Politico më 23 prill se nuk i përket vendit të tij se si duhet trajtuar Iranin në skenën ndërkombëtare, por Shqipëria mbështet çdo përpjekje “për të dobësuar dhe ndoshta për të rrëzuar regjimin”, duke shtuar se ai do të lejonte ushtrinë amerikane që të niste operacione nga Shqipëria me kushtin që Uashingtoni të ofronte “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi në shtet”.

Ndërkaq, dy javë më parë ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, theksoi se kjo do të vlerësohet në momentin që një kërkesë e tillë do t'i vijë Shqipërisë.

“Kemi marrëdhënie strategjike me SHBA-në, që shkojnë përtej angazhimit tonë në NATO. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe besoj se gjithë vendimmarrja lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, deklaroi ai.

Në Tiranë, ambasadori amerikan në NATO takoi kryeministrin Rama, i cili theksoi se në fokus të bisedës ishte forcimi i marrëdhënieve diplomatike dhe ushtarake.

Ai gjithashtu ka vlerësuar faktin se Shqipëria po rrit ndjeshëm kapacitetet në mbrojtjen kibernetike, si dhe është e angazhuar në operacionet për paqe dhe në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, si dhe në misione të tjera.

“Folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët, si edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës”, tha Rama në një postim në Facebook.

Ndërkaq, Nufi pas takimit me ambasadorin Whitaker tha se Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë.

Një ditë më parë, Whitaker vizitoi Beogradin, prej ku porositi Serbinë që të përmbahet nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt, duke theksuar se e ardhmja strategjike e Serbisë, duhet të jetë “e rreshtuar me Perëndimin”.

SHIKONI EDHE:

Whitaker i kërkon Serbisë që të rreshtohet me Perëndimin

Paraprakisht, Whitaker qëndroi në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. Pas vizitës në Prishtinë, Whitaker tha se Kosova është bërë një kontribuuese e sigurisë, duke e përgëzuar për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe në Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.