Kronologjia e vrasjes: Të gjitha thirrjet e Arlindës për ndihmë

Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj derisa ishte në betejë ligjore për dhunë në familje me bashkëshortin e saj, i cili tashmë është nën aktakuzë.

Nga raportimet për dhunë e kanosje te betejat për kujdestarinë e djalit dhe pasurinë e përbashkët, Arlinda Zekaj kërkoi vazhdimisht ndihmë nga institucionet, të paktën që nga mesi i vitit 2026. Thirrjen e fundit e bëri vetëm pak orë para se të vritej me sëpatë, siç dyshohet, nga vëllai i bashkëshortit. Radio Evropa e Lirë ka siguruar dokumente policore, gjyqësore dhe të Prokurorisë që zbardhin përpjekjet e saj për mbrojtje dhe ngjarjet që i paraprinë vrasjes.

Martesa dhe jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Arlinda Zekaj dhe Jeton Sylaj ishin të martuar për rreth 13 vjet. Kështu të paktën kishte deklaruar ajo në dokumentet policore kur kishte raportuar kanosjen nga bashkëshorti.

Pjesën më të madhe të martesës, çifti e kishte kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetuan për rreth 11 vjet. Jeton Sylaj kishte deklaruar se është edhe shtetas amerikan.

Në deklaratën e dhënë në polici më 10 korrik 2026, Arlinda kishte thënë se gjatë jetesës në Amerikë kishte përjetuar dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti, të cilën, sipas saj, e kishte raportuar edhe te autoritetet amerikane.

Deri më tani, Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të vërtetojë këtë në mënyrë të pavarur.

2014 - Arlinda dhe Jetoni bëhen me fëmijë

Çiftit i lind djali.

Beteja për kujdestarinë do të bëhej pjesë e një konflikti të gjatë ndërmjet Arlindës me Jetonin dhe familjen e tij.

2024 - Arlinda dhe djali kthehen në Kosovë

Arlinda dhe djali kthehen nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë, ndërsa Jetoni vazhdon të punojë në Amerikë dhe të udhëtojë ndërmjet dy vendeve.

Çifti kishte ndërtuar një shtëpi në Vitomiricë të Pejës. Në deklarimet e saj në Prokurori, Arlinda thotë se kishte marrë edhe një kredi prej rreth 9.000 eurosh për nevojat e bashkëshortit, pa specifikuar më shumë.

Ata nuk ishin divorcuar asnjëherë ndonëse Jeton Sylaj kishte deklarur që janë ndarë “pa letra” (jo zyrtarisht) që nga viti 2025.

Jeton Syla dhe Arlinda Zekaj në një fotografi të postuar në Facebook në vitin 2015

Dhjetor 2025 – Kërcënimet me vrasje

Raportimet e para të Arlinda Zekajt tek autoritetet e Kosovës për kërcënimet nga bashkëshorti u bënë në korrik të vitit 2026, por ato kishin të bënin me ngjarje që datonin nga dhjetori i vitit 2025.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, gjatë një bisede telefonike në dhjetor të vitit 2025, Jetoni e kishte kërcënuar Arlindën me vrasje dhe kishte kërkuar që ajo të largohej nga shtëpia.

"Kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s'ka me mujtë me të hek nga dora ime".

"Kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s'ka me mujtë me të hek nga dora ime", ishin disa nga fjalët që, sipas aktakuzës, Jetoni ia kishte drejtuar bashkëshortes.

Arlinda kishte deklaruar se ai ia kishte nxjerrë rrobat nga shtëpia, i kishte djegur dhe më pas ia kishte dërguar videon.

Ajo kishte shpjeguar edhe përse nuk i kishte raportuar menjëherë kërcënimet në vitin 2025.

"Unë tërë kohën kam menduar se Jetoni do të ndryshojë se i dhimbset djali", kishte deklaruar ajo.

20 qershor 2026 – Djali largohet nga nëna

Djali shkon të qëndrojë te familjarët e babait, fillimisht me pëlqimin e Arlindës.

Por, sipas deklarimeve të saj, ai më pas kishte ndërprerë kontaktet me të.

Arlinda pretendonte se Jetoni kishte ndikuar te djali që të mos kthehej tek ajo.

10 korrik 2026 – Arlinda denoncon bashkëshortin në polici

Arlinda paraqitet në Policinë e Pejës, ku raporton kërcënimet e bashkëshortit dhe dhunën e pretenduar gjatë martesës.

E pyetur nëse ndihej e rrezikuar, ajo përgjigjet: "Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni".

"Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni", kishte thënë Arlinda.

Në të njëjtën periudhë, Policia zhvillon një bashkëbisedim edhe me djalin, i cili thotë se dëshiron të qëndrojë te familjarët e babait. Ai përshkruan konflikte në familjen e nënës dhe thotë se nëna i kishte bërtitur, por nuk e kishte goditur.

13–14 korrik 2026 – Deklarime të tjera në polici

Më 13 korrik, Arlinda jep deklaratë shtesë për marrëdhënien me djalin dhe përpjekjet për të rivendosur kontaktin me të.

Një ditë më vonë, më 14 korrik, Jetoni paraqitet në polici, por zgjedh të mos përgjigjet në pyetjet e hetuesve në atë fazë, duke thënë se deklaratë do të japë vetëm në Prokurori.

"Unë mendoj se jam i pafajshëm", deklaron ai.

Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj deri sa bashkëshorti ishte i ndaluar për kanosje ndaj saj.

17–23 korrik 2026 – Kallëzimi penal dhe deklaratat në Prokurori

Më 17 korrik, Policia përpilon kallëzim penal lidhur me kërcënimet ndaj Arlindës. Prokuroria e pranon kallëzimin më 20 korrik.

Më 23 korrik 2026, Jetoni jep deklaratë në Prokurori, ku pretendon se ishte ndarë nga Arlinda rreth një vit më parë, por se martesa nuk ishte zgjidhur ligjërisht.

"Ne jemi ndarë [...] mirëpo nuk jemi nda me letra", thotë ai.

Sipas aktakuzës, Jetoni pranon se kishte përdorur fjalët kërcënuese ndaj Arlindës, por përpiqet t'i arsyetojë ato me konfliktin për djalin.

"Arlinda nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga unë në asnjë mënyrë", kishte thënë Jetoni.

"Arlinda nuk duhet të ndjehet e rrezikuar nga unë në asnjë mënyrë",- kishte shtuar ai në deklaratën e dhënë në Prokurori.

Po më 23 korrik, djali kërkon urdhër mbrojtjeje ndaj nënës së tij, duke shprehur dëshirën që të mos ketë kontakt me të.

Në raportin e Policisë thuhet se, sipas djalit, "nëna e tij po i bën stres".

Megjithatë, raporti psikologjik thekson se djali nuk kishte përshkruar dhunë fizike nga nëna dhe se nuk e kuptonte plotësisht kuptimin e urdhrit të mbrojtjes.

5 shtator 2026 – Jeton Sylaj largohet për në SHBA

Sipas raportit të Qendrës për Punë Sociale, Jetoni largohet nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa djali mbetet nën përkujdesjen e familjarëve të tij.

Kjo rrethanë merret më vonë parasysh gjatë shqyrtimit gjyqësor për kujdestarinë e fëmijës.

7–9 shtator 2026 – Arlinda kërkon mbrojtje nga gjykata

Më 7 shtator, Arlinda kërkon urdhër mbrojtjeje emergjente ndaj Jetonit, nën pretendimin për dhunë në familje.

Gjykata e miraton pjesërisht kërkesën.

Dy ditë më vonë, përmes përfaqësuesve ligjorë, Arlinda kundërshton vendimin dhe kërkon masa të tjera mbrojtëse, përfshirë kujdestarinë e djalit.

22 shtator – 5 tetor 2026 – Beteja për kujdestarinë

Qendra për Punë Sociale shqyrton rrethanat familjare dhe rekomandon që djali të qëndrojë me nënën, duke marrë parasysh se babai ndodhej në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Qendra rekomandon edhe përgatitjen psikologjike të fëmijës për kalimin te nëna, për shkak të kundërshtimit të tij ndaj këtij ndryshimi.

Gjatë procesit gjyqësor shqyrtohen raportet psikologjike dhe deklarimet e palëve.

16 tetor 2026 – Gjykata vendos në favor të Arlindës

Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtë-mujor ndaj Jetonit.

Gjykata Themelore në Pejë lëshon urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtë-mujor ndaj Jetonit.

Arlindësi mundësohet shfrytëzimi i shtëpisë së përbashkët dhe i besohet përkohësisht kujdestaria e djalit.

Vendimi ia ndalon Jetonit t’i afrohet më shumë se 2 metra brenda shtëpisë si dhe kërcënimin apo shqetësimin e Arlindës.

Në ambiente të tjera, sipas vendimit të Gjykatës, distanca duhet të jetë rreth 20 metra.

Jetoni obligohet të paguajë 150 euro në muaj si alimentacion për fëmiun.

Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe parashihet të vlejë deri më 16 prill 2027.



22 tetor 2026 – Arlinda ankohet për dështimin e institucioneve

Arlinda i drejtohet kryeprokurores së Pejës, duke u ankuar për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar rastet e saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar vlerëson se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t'ia rrezikonte jetën.

Ai e udhëzon të qëndrojë te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

23 tetor 2026 – Aktakuza ndaj Jeton Sylajt

Aktakuza ndaj Jeton Sylës për kanosje ndaj bashkëshortes Arlinda Zekaj.

Prokuroria Themelore në Pejë ngre aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për veprën penale të kanosjes në marrëdhënie familjare, lidhur me kërcënimet e dhjetorit 2025.

Në aktakuzë thuhet se Jetoni kishte pranuar përdorimin e fjalëve kërcënuese, ndërsa Prokuroria vlerëson se konflikti për djalin nuk e arsyetonte sjelljen e tij.

Varësisht nga rrethanat, sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën e kanosjes dënimi nga gjykata mund të jetë me gjobë ose burgim deri në një vjet.

23 tetor 2026 – Policia kërkon mbikëqyrje të shtuar për sigurinë e Arlindës

Më 23 tetor, në orën 19:53, një zyrtar policor u dërgon një email drejtuesve të Policisë në Pejë, duke kërkuar masa shtesë për sigurinë e Arlindës.

Në emailin drejtuar disa zyrtarëve policorë që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, ai thekson se Arlinda ishte viktimë e dhunës në familje dhe se rasti i saj ishte trajtuar nga Sektori i Hetimeve për Dhunën në Familje, si dhe nga Gjykata Themelore në Pejë.

Polici shkruan se Arlinda kishte shkuar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, pas rrethanave të reja të krijuara, por se gjendja mbetej e tensionuar.

"Edhe mbremë ka pas rrethana dhe situatë acaruese brenda shtëpisë ku tani gjendet viktima", thuhet në email.

Ky zyrtar policor kërkon që patrullat policore të vizitojnë në baza ditore Arlindën në shtëpi dhe të mbajnë komunikim të rregullt me të.

Emaili i hetuesit policor që kërkon mbrojtje shtesë për Arlinda Zekajn.

"Ju lutem që kërkesën time ta merrni parasysh, sepse e konsideroj që një veprim i tillë do ishte i mirëseardhur edhe për vetë viktimën", përfundon emaili i tij.

Policia nuk ka bërë të ditur se sa është respektuar kërkesa e zyrtarit policor.

25 tetor 2026 – Denoncimi i fundit

Arlinda raporton sërish dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej tw cilit ishte ndarë, ndalohet për 48 orë, ndërsa ajo këmbëngul që të kthehet në shtëpinë e përbashkët, në përputhje me vendimin gjyqësor.

Gjatë marrjes së deklaratës, Policia e pyet nëse dëshiron të vendoset në një strehimore.

"Nuk e ndi vetën të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime".

"Jo unë nuk pranoj që të shkoj në strehimore, une dua të shkoj në shtëpinë time", përgjigjet Arlinda.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e Jetonit, ajo pranon se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbëngul në të drejtat e saj.

"Nuk e ndi veten te sigurt sa duhet por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe e ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime", deklaron ajo.

Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj deri sa ishte në betejë ligjore për dhunë në familje me bashkëshortin e saj.

25 tetor 2026, rreth orës 21:00 – Vrasja e Arlinda Zekajt

Arlinda Zekaj vritet në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kthehet në shtëpinë e përbashkët, e shoqëruar nga Policia e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, A.S. i cili në kohën e raportimit ishte në arrati.

Vrasja ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë.