Policia ekspozon armatimin që tha se e gjeti në veri të Kosovës

Më 20 gusht, Policia e Kosovës ekspozoi armë, municione dhe pajisje të tjera ushtarake që tha se gjeti në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sipas autoriteteve, këto pajisje ushtarake u gjetën në disa lokacione në veri, afër Kalludrës së Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës në Kosovë më 1998/99.

Armë dhe municione të ekspozuara nga autoritetet më 20 gusht.

Në mesin e armëve të gjetura, sipas drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, ka armë të gjata, armë gjuetie, armë të shkurtra e lloje të tjera armatimesh.

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë thanë se armët e municionet do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve për të kuptuar origjinën e tyre dhe nëse janë përdorur në ndonjë rast që është hetuar.

Disa municione të ndryshkura. Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se duhet të kryhen ekzaminime të armatimit të gjetur, për të kuptuar nëse ato janë përdorur për vrasjen e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në tri lokacione në Zubin Potok.

Përveç armëve, Policia ekspozoi edhe uniforma ushtarake dhe gazmaska, që tha se i gjeti gjatë bastisjeve në veri.

Uniforma, armë dhe municione të ekspozuara në Mitrovicë më 20 gusht.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armët janë sekuestruar në fshatrat në afërsi të lokacioneve ku janë gjetur mbetje mortore, duke shtuar se zbulimi i varrezave masive nxjerr në pah se veriu i Kosovës është shfrytëzuar për fshehjen e trupave dhe krimeve.

Autoritetet në Kosovë po kërkojnë që Serbia të hapë arkivat ushtarake, në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës.

Armë të llojeve të ndryshme, uniforma e pajisje të tjera ushtarake u ekspozuan në Mitrovicë më 20 gusht. Autoritetet thanë se ato u sekuestruan gjatë operacioneve të kryera në veri të Kosovës dhe në afërsi të lokacioneve ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.