Shkarkohet shefja e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, po hetohet për "zbulim të sekreteve"

Ndërtesa e Shërbimit Informativ të Shtetit në Tiranë, Shqipëri.

Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) në Shqipëri, Vlora Hyseni, u vu nën arrest shtëpiak më 22 shtator, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të Shqipërisë për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Masa e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit, ish-zyrtare e lartë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), u caktua nga Gjykata e Posaçme. Sipas SPAK-ut, ajo po hetohet për veprat penale “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.

Hyseni u shoqërua në banesën e saj në orët e mbrëmjes, disa orë pasi kryeministri shqiptar, Edi Rama, njoftoi se ajo ishte liruar nga detyra si drejtuese e SHISH-it. Shkarkimi u dekretua më pas nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Policia shqiptare nuk ka bërë të ditur zyrtarisht rrethanat e ndalimit të saj. Sipas burimeve të cituara në media, Hyseni kishte hyrë në Shqipëri nga Kosova, përmes pikës kufitare të Morinës.

SPAK-u tha se hetimi ndaj Hysenit është pjesë e një hetimi më të gjerë për AKSHI-n, institucionin që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare.

Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë një punonjës të Institutit të Policisë Shkencore dhe një biznesmen.

SPAK-u njoftoi gjithashtu se, me urdhër të gjykatës, është kryer kontroll personal dhe kontroll në banesë ndaj një personi me inicialet I.P., të cilin e përshkroi si ish-funksionar të lartë të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili mëngjesin e 22 shtatorit u paraqit në SPAK.

Çfarë është hetimi për AKSHI-n?

Hetimi lidhet me dyshime për veprimtari kriminale dhe manipulim të procedurave të prokurimit publik. Në dosje janë përfshirë zyrtarë dhe biznesmenë, ndër ta biznesmeni Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili është arrestuar në Francë.

Agasi dyshohet për disa vepra penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë ose ankande publike, grupin e strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Në kuadër të hetimit, SPAK-u ka kërkuar sekuestrimin e 52 pasurive dhe llogarive bankare, me vlerë mbi 40 milionë euro. Sipas autoriteteve, pasuritë lidhen me disa prej personave nën hetim, përfshirë ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Agasin dhe Beqirajn.

SHIKONI EDHE:

Shqipëria arreston edhe një biznesmen tjetër në rastin e mashtrimeve me tenderë

Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht.

Karçanaj është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa zëvendësdrejtores së saj i është caktuar masa e detyrimit për paraqitje.

Hetimi i SPAK-ut është ende në zhvillim.

E kaluara e Hysenit në Kosovë

Para se të emërohej në krye të SHISH-it, Hyseni kishte mbajtur poste të larta në AKI. Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e këtij institucioni nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021, ndërsa më herët kishte drejtuar departamentin për Marrëdhënie me Jashtë.

Në qershor të vitit 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e shkarkuan Hysenin nga posti i zëvendësdrejtoreshës së AKI-së.

SHIKONI EDHE:

Shkarkohet zëvëndësdrejtorja e AKI-së, Vlora Hyseni

Qeveria e Kosovës nuk dha hollësi për arsyet e shkarkimit. Në komunikatën e atëhershme, ajo tha se vendimi ishte mbështetur në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Në të njëjtën komunikatë përmendej se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” përbën vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.

Në vitin 2023, Hyseni u emërua drejtuese e SHISH-it në Shqipëri. Para dekretimit të saj, opozita shqiptare i kërkoi presidentit Begaj të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të saj nga AKI-ja.

Reagimet politike

Njoftimi për hetimin ndaj Hysenit ka nxitur reagime nga opozita shqiptare.

Deputetja e Partisë Demokratike në Shqipëri, Jorida Tabaku, kërkoi që presidenti Begaj të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke thënë se duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, e lidhi aksionin e SPAK-ut me atë që ai e përshkroi si përfshirje të strukturave shtetërore në veprimtarinë e krimit të organizuar.

Hetimet dhe procedurat gjyqësore ndaj personave të përfshirë në dosjen e AKSHI-t vazhdojnë.