Një i ri nga Bihaqi, qytet në Bosnje e Hercegovinë, i cili postoi një mesazh në rrjetet sociale se si po përgatitej të kryente një krim në një shkollë të mesme në atë qytet, është arrestuar të enjten.
Kështu ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Drejtoria Federale e Policisë.
Siç u tha, i riu do të mbahet në paraburgim për 24 orë dhe më pas do të transferohet në Prokurorinë e Kantonit, Una-Sana.I riu paraprakisht është dërguar në polici në Bihaq, pas disa ankesave të qytetarëve ndaj tij.
Ai publikoi një mesazh në rrjetet sociale, pasi një djalë trembëdhjetë vjeçar vrau tetë nxënës dhe një punonjës të sigurimit të shkollës, në Beograd të Serbisë më 3 maj.
Gjashtë nxënës dhe një mësues u plagosën rëndë.
“Po ashtu dua të theksoj se më 7 tetor të vitit të kaluar kemi marrë masa brenda kompentencave tona, sepse i përmenduri në profilin e tij ka deklaruar se ka dhunuar një vajzë. Për këtë kemi njoftuar edhe Prokurorinë e Kantonit. Prokurori kujdestar pastaj e ka dëgjuar personin e përmendur dhe kanë pezulluar hetimet për të. Administrata Federale e Policisë dhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Kantonale do të vazhdojnë punën për rastin lidhur me njoftimet e fundit”, tha Komisioneri i Policisë, Jusuf Meshiq.
Siç tha ai, bëhet fjalë për një të ri të rritur.
Ai shtoi gjithashtu se është intensifikuar vëzhgimi në shkollën e mesme në Bihaq, ku i riu ishte student. Po ashtu, policia ka shtuar vëzhgimin edhe në shkolla të tjera në zonën e këtij kantoni.
Në të njëjtën kohë, shkolla e mesme në Bihaq tha për Radion Evropa e Lirë se mësimi mbahet rregullisht dhe se nuk ka panik.
"Departamenti i policisë e ka bërë punën e tij. Drejtori aktualisht është në polici dhe po jep një deklaratë. Ai ishte nxënësi ynë deri vitin e kaluar. Hetimi është duke vazhduar", tha për REL-in ky institucion arsimor.