Shkurtimisht
- BE-ja dënoi deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
- Qeveria në detyrë e Kosovës dhe analistët thonë se deklarata e tillë është dëshmi se Serbia nuk është distancuar nga politikat e Millosheviqit dhe paralajmërojnë se kjo retorikë dëmton dialogun, pajtimin dhe besimin mes Kosovës dhe Serbisë.
- Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.
Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.
Ngjashëm reagoi edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviq.
Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë.
“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik. Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla”, tha Kos në një konferencë për media.
SHIKONI EDHE:
BE-ja nuk arrin konsensus për hapjen e kapitujve të rinj me SerbinëÇfarë tha Paunoviq?
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” - deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.
Millosheviq ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.
“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviq.
Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë - pjesë e së cilës është që nga viti 1992.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha - emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Paunoviq është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024.
Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiq, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres.
Ai tha se ata që e akuzojnë Paunoviqin se “ka bërë thirrje për spastrim etnik”, tash e sa vite, “heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.
Zyrtarët serbë akuzojnë shpesh autoritetet e Kosovës për dëbimin e serbëve, por pa paraqitur prova që do t'i mbështesnin këto pretendime.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Serbisë për deklaratat e Paunoviqit, por nuk mori.
Si reagoi Prishtina zyrtare?
Qeveria në detyrë e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se “problemi është se shteti i Serbisë nuk është distancuar kurrë në asnjë mënyrë nga politikat e Millosheviqit”.
“Është mirë që të gjithë - përveçse ta dënojnë këtë gjuhë - ta kenë edhe në mendje kur flasin me Serbinë për integrimin, reformat dhe fondet, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, thuhet në reagim.
“Mungesë përballjeje me të kaluarën”
Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e ministres Paunoviq tregon mungesën e një përballjeje të mirëfilltë me të kaluarën dhe, njëkohësisht, flet për politikën aktuale, e “madje ndoshta edhe për synimet e saj në të ardhmen”.
“Kur spastrimi etnik paraqitet si një zgjidhje politike legjitime ose e dëshirueshme, atëherë nuk bëhet më fjalë vetëm për interpretimin e së kaluarës, por për një sistem vlerash dhe një ideologji politike”, thotë ai.
Kamberi vlerëson se, nëse Paunoviq nuk shkarkohet nga detyra, pushteti në Serbi dëshmon se nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin me Kosovën.
Sipas tij, besimi nuk mund të ndërtohet përderisa nga pozitat më të larta shtetërore promovohet retorika e spastrimit etnik pa pasoja politike.
Ai shton se përfaqësuesit e pushtetit në Serbi “vazhdojnë të madhërojnë dhe të lartësojnë figura politike dhe të tjera, qëndrimet e të cilave ndaj Kosovës janë shumë të ngjashme me ato të shprehura nga ministrja Paunoviq”.
Edhe drejtori i Qendrës për Politikë Praktike në Serbi, Dragan Popoviq, vlerëson se deklarata e Paunoviqit vetëm se ka “shpërfaqur” realitetin.
Sipas tij, autoritetet në Serbi nuk kanë hequr dorë nga politikat e viteve '90.
“Pushteti feston gjeneralët e dënuar nga Gjykata e Hagës dhe i shpall ata heronj”, thotë Popoviq për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE:
Orë pas ore: Si u çlirua Kosova?Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999.
Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.
Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviq.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.