Kolona ushtarake që largoheshin, tanke që hynin, njerëz që prisnin në rrugë dhe familje që ktheheshin në shtëpitë e shkatërruara: Këto janë disa nga pamjet që shënuan qershorin e vitit 1999, muajin kur lufta në Kosovë mori fund.
Në ditët e para të qershorit të vitit 1999, Kosova ende nuk e dinte nëse po i afrohej fundit të luftës apo vetëm një faze tjetër të saj.
“Për banorët e mbetur brenda vendit ishin ditë si të gjitha ditët e tjera gjatë atyre muajve të luftës”, thotë historiani nga Universiteti i Prishtinës, Durim Abdullahu, duke e përshkruar atë kohë si një vazhdimësi ankthi, ku çdo mëngjes mund të sillte lajmin e radhës për humbje, djegie ose zhvendosje.
Bombardimet e NATO-s ndaj caqeve të forcave serbe kishin nisur më 24 mars dhe nuk ishin ndalur për 78 ditë. Në tokë, dhuna ishte intensifikuar.
Abdullahu thekson se vetëm gjatë prillit ishin vrarë mbi 4.000 shqiptarë dhe Kosova ishte mbushur me fshatra të djegur, shtëpi të plaçkitura dhe familje të shpërndara.
Rreth 445.000 njerëz kishin kaluar në Shqipëri, 242.000 në Maqedoni të Veriut dhe qindra mijëra në vende të tjera më të largëta.
Por, më 9 qershor u arrit Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe përfaqësuesve ushtarakë jugosllavë, duke ndryshuar brenda pak ditësh ritmin e luftës në terren.
Kjo marrëveshje vulosi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, duke hapur rrugën për hyrjen e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe fundin e luftës që, megjithatë, nuk ishte ende i dukshëm për banorët.
"Edhe pse u proklamua si marrëveshje që do t’i jepte fund luftës, askush nuk e dinte se si do të vinte ai fund dhe çfarë përmbylljeje do të kishte", thotë Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.
Fillimi i atij fundi nisi më 11 qershor, kur trupat e NATO-s për Kosovën filluan të grumbulloheshin përreth vendit.
Atë ditë, disa marinsa amerikanë mbërritën në Greqi, prej nga do të bënin rrugë qindrakilometrëshe para se të takonin fytyrat që mezi i prisnin.
Takimet me personat që kishin luajtur rol vendimtar në këtë fushatë i gëzuan fillimisht disa nga refugjatët e shumtë që ishin larguar nga Kosova në atë kohë.
Refugjatët në një kamp në Maqedoninë e sotme të Veriut kishin mundësinë ta takonin sekretaren e atëhershme të Shtetit amerikan, Madeleine Albright, një prej zërave më të fortë në administratën amerikane, që shtyu përpara ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Në praktikë, hyrja e KFOR-it u planifikua si një dislokim i shpejtë dhe i njëkohshëm nga disa drejtime: nga Maqedonia e Veriut përmes pikës kufitare të Bllacës, nga Shqipëria përmes Kukësit dhe zonave veriore, si dhe me mbështetje logjistike nga Greqia dhe bazat detare në Mesdhe.
Forcat e NATO-s u ndanë në sektorë nën komandë shumëkombëshe (britanike, amerikane, gjermane, franceze, italiane, etj.) - secila me përgjegjësi për zona të caktuara të Kosovës.
Të vendosura pranë kampeve të refugjatëve në vendet fqinje të Kosovës, trupat e KFOR-it i përcillnin nga afër kosovarët që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Një nga momentet që doli përkohësisht jashtë këtij skenari të paracaktuar, ndodhi natën mes 11 dhe 12 qershorit 1999.
Forcat britanike kishin mbërritur në pikën kufitare të Bllacës, ku po pushonin para se të hynin në Kosovë.
Por, ndërkohë, një kolonë prej rreth 200 ushtarësh rusë, të ardhur nga misioni i SFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë, u shkëput nga rruga e koordinuar dhe u vendos në Aeroportin e Prishtinës, përpara se forcat kryesore të NATO-s ta merrnin kontrollin e tij.
Në ato momente, siç e përshkruan historiani Abdullahu, "pritja aq e ëndërrt e lirisë, veçanërisht për banorët e zonës së Prishtinës, u duk se do të kthehej mbrapsht".
Megjithatë, ata u rrethuan shpejt prej trupave britanike në atë që Abdullahu e cilëson si "përballje" nga e cila "mund të kishte shpërthyer Lufta e Tretë Botërore".
Britanikët shmangën përshkallëzimin e mëtejshëm dhe u hapën rrugë përgatitjeve të trupave amerikane për hyrje në Kosovë.
Edhe trupat gjermane të KFOR-it u dislokuan sipas planit shumëdrejtimësh të NATO-s për hyrjen në Kosovë, duke kaluar përmes Shqipërisë nga Kukësi, si një nga korridoret kryesore tokësore për t’u futur në zonat veriore dhe për të siguruar kthimin e refugjatëve.
Sapo kalonin kufirin dhe hynin në Kosovë, trupat e NATO-s priteshin me duartrokitje nga banorët që kishin dalë në rrugë.
Në shumë vende, kolonat ushtarake shoqëroheshin me lule, përshëndetje dhe brohoritje, ndërsa njerëzit, për herë të parë pas muajsh, dilnin hapur nga strehimet e tyre.
Për shqiptarët e Kosovës, siç thotë historiani Abdullahu, "fushata bombarduese e NATO-s dhe më pas hyrja e trupave tokësore janë operacione shpëtimtare nga shfarosja dhe shkatërrimi".
"Ndonëse ishin operacione luftarake, për ta ato kishin karakter të kulluar humanitar", sipas tij.
E, për diplomacinë ndërkombëtare, thotë ai, lufta e Kosovës u shndërrua në një krizë ku u testuan fuqitë më të mëdha të botës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia, në një periudhë kur po ridimensionoheshin balancat globale, pas rënies së Murit të Berlinit.
Përkrah hyrjes së forcave të NATO-s, në Kosovë po vazhdonte edhe tërheqja e 40.000 forcave serbe, e cila u bë nga 10 deri më 19 qershor, nën mbikëqyrjen e NATO-s.
"Forcat serbe vazhduan të plaçkisnin dhe të ekzekutonin njerëz deri në momentet e fundit të tërheqjes së tyre nga Kosova, siç bënë në qytetin e Podujevës, prej ku u larguan trupat e fundit më 19 qershor, në drejtim të Merdares", thotë Abdullahu.
Kolonat ushtarake dhe policore u larguan paralelisht me një eksod të një pjese të popullsisë serbe të Kosovës, veçanërisht nga zonat urbane, shpesh në kushte të tensionuara dhe me praninë e forcave ndërkombëtare përgjatë rrugëve kryesore.
Në anën tjetër, kthimi i refugjatëve nisi pothuajse menjëherë.
Brenda pak ditësh, dhjetëra mijëra njerëz filluan të lëvizin nga kampet në Maqedoninë e atëhershme, Shqipëri dhe Mal të Zi drejt kufijve të Kosovës, shpesh në kolona të gjata këmbësorësh, me autobusë dhe automjete private.
Sipas historianit Abdullahu, ky kthim i menjëhershëm krijoi shqetësim tek agjencitë humanitare, të cilat "u përpoqën ta ngadalësonin këtë lëvizje nga frika e rrezikut të minave dhe zonave ende të pasigurta".
Në atë kohë, Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, UNHCR, u bëri thirrje refugjatëve për kujdes, duke shpërndarë mesazhe ku theksohej: “Jeta juaj është e vlefshme, andaj kini durim edhe disa ditë”.
Por, refugjatët që ktheheshin, përballeshin jo vetëm me rrezikun e minave dhe zonave ende të pasigurta, por edhe me shtëpi të djegura, lagje të shkatërruara dhe pasuri të humbura apo të plaçkitura gjatë luftës.
Përveç hyrjes së NATO-s dhe kthimit të refugjatëve, në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës, banorët përjetonin edhe momentet e ritakimit me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata i ishin bashkuar UÇK-së në periudha të ndryshme që nga mesi i viteve ’90, me synimin për të kundërshtuar kontrollin e forcave serbe në Kosovë dhe për të shtyrë përpara çështjen e pavarësisë së saj.
UÇK-ja zhvilloi aksione guerile ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe, si dhe mori kontrollin e disa zonave rurale, veçanërisht në Dukagjin dhe Drenicë, ndërsa përballej me një superioritet të madh ushtarak të forcave shtetërore jugosllave.
Gjatë hyrjes së NATO-s në Kosovë, Abdullahu shpjegon se "sfida kryesore e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte ta mbronte popullsinë civile nga masakrat dhe ekzekutimet eventuale prej forcave serbe, që ishin në tërheqje e sipër".
Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur - mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë - shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.