Bashkimi Evropian po përgatit masa të reja për të penguar sportistët rusë dhe bjellorusë që të garojnë nën flamujt dhe simbolet e vendeve të tyre, në garat sportive që zhvillohen në territorin e BE-së.
Kjo nismë vjen në kohën kur organizatat ndërkombëtare sportive kanë nisur t’i zbusin kufizimet ndaj sportistëve të këtyre dy vendeve, të vendosura pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, më 2022.
Diskutimet në Bruksel janë bërë më urgjente për shkak të disa ngjarjeve sportive ndërkombëtare, që pritet të zhvillohen në vendet e BE-së gjatë muajve të ardhshëm.
Gjashtë vende evropiane kanë kërcënuar se do ta bojkotojnë Kampionatin Botëror të Hokejit në Akull, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani, nëse Rusia merr pjesë në të.
“Ne e kundërshtojmë rikthimin e ekipeve kombëtare ruse në turnetë ndërkombëtare të hokejit në akull”, tha kreu i Federatës Gjermane të Hokejit në Akull, Frank Lutz.
Gjatë këtij viti janë marrë disa vendime që mund t’i hapin rrugë rikthimit të plotë të sportistëve rusë dhe bjellorusë në arenën ndërkombëtare.
Në verë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) vendosi ta heqë përkohësisht pezullimin e Komitetit Olimpik të Rusisë - një hap që do të mund t’u mundësojë sportistëve rusë ta përfaqësojnë vendin e tyre në Lojërat Olimpike Verore të vitit 2028 në Los Anxhelos, në vend se të garojnë si sportistë neutralë.
Një vendim i ngjashëm u mor në pranverë edhe për sportistët nga Bjellorusia, ndaj së cilës janë vendosur kufizime, për shkak se territori i saj është shfrytëzuar nga forcat ruse për pushtimin e Ukrainës, më 2022.
Këto vendime kanë nxitur disa federata sportive që t’ua lejojnë sportistëve të të dyja vendeve të garojnë me flamujt dhe himnet e tyre kombëtare.
Në përgjigje, disa shtete evropiane kanë nisur të ndërmarrin masa individuale për ngjarjet sportive që zhvillohen në territorin e tyre.
SHIKONI EDHE:
Rusia dhe Bjellorusia nuk ftohen në Lojërat Olimpike të ParisitVendet evropiane kërkojnë një përgjigje të përbashkët
Finlanda njoftoi së voni se do të kufizojë lëshimin e vizave afatshkurtra të punës për sportistët dhe profesionistët rusë të sportit.
Suedia po shqyrton mundësinë e ndalimit të pjesëmarrjes së sportistëve rusë në Kampionatin Botëror të Skijimit Nordik, që do të mbahet në shkurt në qytetin Falun, ndërsa Estonia tashmë ka marrë një vendim të tillë për kampionatin e të rinjve, që do të zhvillohet në janar.
Edhe Republika Çeke ka ndaluar hyrjen e sportisteve ruse për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Hokejit në Akull për vajzat nën 18 vjeçe.
Prodhuesi çek i automobilave, Shkoda, sponsor kryesor i Kampionatit Botëror të Hokejit në Akull që do të mbahet në Gjermani në maj, ka kërcënuar se do ta tërheqë financimin nëse Rusia merr pjesë.
SHIKONI EDHE:
Shtetet kërcënojnë me bojkot për shkak të rikthimit të Rusisë në garat e hokejitMegjithatë, masat e deritanishme janë ndërmarrë individualisht nga shtetet, disa prej të cilave rrezikojnë të humbin të drejtën për organizimin e turneve sportive në të ardhmen.
Për këtë arsye, disa vende anëtare i kanë kërkuar Brukselit të krijojë një kornizë të përbashkët ligjore.
Përgjigjja që po përgatit BE-ja përqendrohet në tri fusha: vizat, sanksionet dhe financimin.
Çfarë masash po shqyrton BE-ja?
Lëshimi i vizave mbetet kryesisht kompetencë e shteteve anëtare. Megjithatë, Komisioni Evropian po shqyrton udhëzimet ekzistuese për vizat për shtetasit rusë, të cilat aktualisht nuk përmbajnë dispozita specifike për sportistët.
Një mundësi tjetër është shfrytëzimi i Kodit të Vizave të BE-së, i cili parasheh refuzimin e vizës nëse aplikuesi konsiderohet kërcënim për marrëdhëniet ndërkombëtare të ndonjërit prej shteteve anëtare.
Ndryshimet në këtë kod kërkojnë mbështetjen e një shumice të cilësuar të vendeve anëtare dhe nuk pritet të miratohen në kohë për ngjarjet sportive të këtij dimri.
SHIKONI EDHE:
BE-ja shqyrton masa në shumë fronte për t’ua kufizuar rusëve hyrjen në bllokBrukseli po shqyrton, gjithashtu, mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj sportistëve rusë dhe bjellorusë.
Vendosja e sanksioneve individuale, megjithatë, kërkon dëshmi se personat në fjalë kanë kontribuar në cenimin e integritetit territorial të Ukrainës ose në destabilizimin e BE-së.
Një alternativë që po shqyrtohet është vendosja e sanksioneve më të gjera ndaj sportistëve rusë dhe bjellorusë që garojnë me simbolet e tyre kombëtare.
Një masë e tillë mund të përfshihet në pakon e re të sanksioneve të BE-së, që pritet t’u prezantohet vendeve anëtare këtë javë.
Miratimi i saj, prapëseprapë, kërkon pajtimin e të 27 shteteve anëtare.
Kufizimi i financimit evropian
Një tjetër instrument në dispozicion të Brukselit është financimi përmes programit Erasmus+ Sport, i cili mbështet organizatat dhe federatat sportive evropiane.
Programi ka një buxhet vjetor prej rreth 80 milionë eurosh dhe ofron grante individuale deri në 1.5 milion euro.
Komisioni Evropian ka përditësuar së voni udhëzimet e këtij programi, duke përjashtuar nga financimi organizatat ndërkombëtare sportive që i lejojnë sportistët rusë të garojnë nën flamurin, himnin dhe simbolet e tjera kombëtare, si dhe subjektet që organizojnë ngjarje të tilla.
Sipas Komisionit Evropian, qëllimi është që Rusia, si shtet përgjegjës për luftën e agresionit kundër Ukrainës, të mos përfitojë legjitimitet apo përmirësim të reputacionit përmes sportit.
BE-ja përgatit edhe një kredi të re për Ukrainën
Paralelisht me diskutimet për kufizimet ndaj Rusisë, Komisioni Evropian propozoi javën e kaluar një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, për të mbuluar një pjesë të konsiderueshme të deficitit të parashikuar buxhetor të vendit për vitin 2027.
Nga kjo shumë, 25 miliardë euro parashihet të ndahen për sektorin e mbrojtjes, dhjetë miliardë për buxhetin shtetëror dhe dhjetë miliardë të tjera për asistencë makrofinanciare.
SHIKONI EDHE:
Garanci si të NATO-s për Ukrainën? Propozimi amerikan përballë kundërshtimit rusMegjithatë, miratimi i kredisë rrezikon të ndërlikohet nga mosmarrëveshjet ndërmjet vendeve anëtare për financimin e Ukrainës dhe buxhetin shumëvjeçar të BE-së për periudhën 2028-2034.
Bullgaria ka sinjalizuar se do t’u bashkohet Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Hungarisë në kërkesën për përjashtim nga mbulimi i kostove të interesit të kredisë.
Kjo ka nxitur kancelarin gjerman, Friedrich Merz, të kërcënojë me bllokimin e negociatave për buxhetin e ardhshëm të BE-së, nëse të gjitha vendet anëtare nuk kontribuojnë financiarisht për Ukrainën.
Udhëheqësit evropianë pritet ta diskutojnë këtë çështje në samitin e 26 dhe 27 nëntorit në Bruksel, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare në dhjetor.