Ndërlidhjet

Shtetet kërcënojnë me bojkot për shkak të rikthimit të Rusisë në garat e hokejit

Shumë shtete po kundërshtojnë rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare të hokejit mbi akull. (Fotografi ilustruese nga arkivi)
Shumë shtete po kundërshtojnë rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare të hokejit mbi akull. (Fotografi ilustruese nga arkivi)

Një numër gjithnjë e më i madh shtetesh po bëhen bashkë kundër një vendimi të një gjykate që i lejon Rusisë rikthimin në ngjarjet ndërkombëtare të hokejit mbi akull. Shtetet kanë paralajmëruar se nuk do të luajnë me ekipe që dërgon Moska, duke vënë në rrezik Kampionatin Botëror të hokejit mbi akull që është paraparë të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Rusia, që është një fuqi e madhe në sportin e hokejit, është përjashtuar nga garat ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Hokejit mbi Akull (IIHF) që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.

Por më 30 tetor, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi që federata duhet t’i rikthejë ekipet ruse, duke nisur nga Kampionati Botëror i Hokejit për të Rinj, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Kanada. IIHF-ja tha nuk pajtohet me vendimin, por do ta zbatojë.

Vendimi nxiti kritika të ashpra nga Ukraina dhe shumë nga vendet që renditen mirë në sportin e hokejit dhe të cilat e mbështesin Kievin. Ukraina tha se vendimi i gjykatës po “njollos akullin me gjakun ukrainas” dhe u bëri thirrje partnerëve të saj të mbajnë një qëndrim të fortë kundër rikthimi të Rusisë në garat ndërkombëtare.

“Rusia dhe Bjellorusia po e mbështesin këtë luftë të paligjshme, të pajustifikuar dhe të tmerrshme në Ukrainë. Për sa kohë që kjo luftë vazhdon, asnjë nga këta sportistë nuk do të garojë për vendet e tyre në Kanada”, tha kryeministri kanadez, Mark Carney, më 3 nëntor.

Ky njoftim i Carneyt është veçmas i rëndësishëm, pasi Kanadaja do të jetë mikpritëse e Kampionatit Botëror për të Rinj pas më pak se dy muajsh. Ky do të ishte turneu i parë i madh ku do të merrte pjesë Rusia që nga Lojërat Olimpike të Pekinit më 2022. Vetëm pak ditë pas përfundimit të Olimpiadës, Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje.

Të paktën gjashtë shtete evropiane, përfshirë vende që kanë arritje në sportin e hokejit, si Suedia, Republika Çeke, Norvegjia, Danimarka, Letonia dhe Finlanda – kjo e fundit është kampione në fuqi në kategorinë e meshkujve – kanë thënë se, pavarësisht vendimit gjyqësor, do të refuzojnë që të luajnë kundër Rusisë.

Federata Gjermane e Hokejit, e cila do të organizojë Kampionatin Botëror në maj të vitit 2027, ka deklaruar se vendimi “e ndryshon krejtësisht situatën” për të si vend mikpritës.

“Lejimi i pjesëmarrjes së Rusisë do të kishte pasoja serioze për ne si vend mikpritës sa i përket sigurisë, por edhe në aspektin politik dhe ekonomik”, tha kryetari i Federatës Gjermane të Hokejit mbi Akull (DEB), Frank Lutz, duke shtuar se federata po analizon se si do të veprojë tash e tutje.

“Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: ne e kundërshtojmë rikthimin e ekipeve ruse në turnetë ndërkombëtarë të hokejit mbi akull”, tha Lutz.

Disa prej sponsorëve të kamotshëm të Kampionatit Botëror për meshkuj, përfshirë kompaninë suedeze të mobilieve AJ Products, prodhuesin gjerman të veshjeve të punës STRAUSS dhe prodhuesin çek të veturave Skoda Auto, veçse janë zotuar se do ta rishqyrtojnë përfshirjen e tyre në turne nëse sportistët e Rusisë marrin pjesë.

Vendimi i CAS-it shkaktoi reagime të forta në mbarë Ukrainën.

Autoritetet ukrainase vazhdimisht kanë thënë se qindra sportistë ukrainas janë vrarë në luftën e nisur nga Rusia dhe qindra objekte sportive janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet ajrore të Moskës.

Federata e Hokejit mbi Akull e Ukrainës nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Por, ministri i jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tha më 4 nëntor në një postim në rrjetet sociale se “Rusia do të ndëshkohet në akull”.

“Moska ende beson se mund t’i fshehë krimet e saj pas një fanelle të hokejit dhe se një pistë patinazhi mund t’ia rregullojë reputacionin e dëmtuar”, tha ai.

Kryediplomati ukrainas mirëpriti vendimin e Kanadasë dhe bëri thirrje që sa më shumë vende t’i bashkohen bojkotit.

Moska duket se i minimizoi reagimet kundër rikthimit të saj në arenën ndërkombëtare të hokejit. Ministri i Sportit, Mikhail Degtyarev, u shpreh se “bota është shumë më e madhe se Skandinavia apo shtetet baltike”.

Në vendimin e saj, CAS-i tha se arsyetimet e IIHF-së për vazhdimin e ndalimit të pjesëmarrjes së ekipeve ruse, të cilat përfshinin shqetësimet për sigurinë dhe mbrojtjen, “nuk mbështeteshin në prova të mjaftueshme”.

Po ashtu, CAS-i nuk i dha IIHF-së asnjë udhëzim se si ta riintegrojë Rusinë pas kaq vitesh mungesë në turnetë ndërkombëtarë. Përgjatë këtyre viteve, peizazhi i këtij sporti ka ndryshuar shumë.

Pavarësisht se shprehu “zhgënjim” për vendimin, IIHF-ja tha më 30 tetor se “do të veprojë në përputhje me të”. Më vonë, federata shtoi se “ndikimi global” i vendimit të CAS-it është “nënvlerësuar ndjeshëm”.

“Riintegrimi i menjëhershëm i ekipeve ruse paraqet sfida të mëdha praktike dhe sportive”, tha IIHF-ja më 4 nëntor, duke përmendur “kërkesat për viza dhe kushte për hyrje në shtete, masat e sigurisë, kufizimet logjistike dhe pasojat për formatet e garave, dhe se të gjitha këto ndërlikohen edhe më shumë nga koha e kufizuar që është në dispozicion, pasi disa gara do të zhvillohen vetëm pas pak javësh”.

Vendimi i CAS-it nuk vlen për Kampionatin Botëror të Hokejit për Femra, i cili nis më 6 nëntor në Danimarkë dhe rrjedhimisht, Rusia nuk do të garojë në këtë turne.

Ekipi kombëtar rus i meshkujve ka fituar pesë kampionate botërore dhe një medalje të artë olimpike që nga viti 1992. Ndërkaq, ekipet sovjetike kishin fituar 22 tituj botërorë dhe shtatë medalje të arta olimpike para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG