Dy ligje në Mal të Zi, që janë kontroverse prej perspektivës së Brukselit, amendamentet e ligjeve në sektorin e gjyqësorit në Serbi dhe dështimi për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres në Shqipëri, i kanë kthyer këto tri shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian sërish para testit kryesor për pranim, atij për sundimin e ligjit.
Përparimi në të gjithë kapitujt që duhen mbyllur para anëtarësimit nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse vendet kandidate stagnojnë apo shënojnë kthim mbrapa në Kapitujt 23 dhe 24, të cilët, sipas metodologjisë evropiane të integrimit, hapen të parët dhe mbyllen të fundit.
“Reformat e pakthyeshme në këto fusha janë kusht që partnerët e zgjerimit të përparojnë në rrugët e tyre të pranimit, duke i përmbushur standardet specifike”, ka rikujtuar Shërbimi për media i Komisionit Evropian në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Reformat nuk janë vetëm për letër, shtetet duhet të demonstrojnë zbatimin e tyre dhe duhet të garantojnë besueshmëri përmes rezultateve të prekshme”, është thënë mes tjerash në përgjigje.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të listës për t’u bërë anëtarë të rinj të bllokut evropian. Në këtë drejtim, Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka folur me kryeministrin malazez, Millojko Spajiq javën e kaluar në Podgoricë.
“Ju duhet të keni patjetër një gjyqësor të pavarur, që ka kapacitet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe të keni media të pavarura pasi ne nuk do të bëjmë kurrë kompromis në këto çështje”.
SHIKONI EDHE: "Gjysmanëtarësim" në BE: A është kjo e ardhmja e Ballkanit Perëndimor?Pse dy ligje po ia vështirësojnë Malit të Zi rrugën drejt BE-së?
Ambiciet e autoriteteve në Mal të Zi që të bëhen vendi i 28-të anëtar i BE-së janë komplikuar pas miratimit të dy ligjeve kontroverse.
Bëhet fjalë për amendamente në Ligjin për Çështje të Brendshme dhe Ligjin për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.
Sipas Komisionit Evropian, këto amendamente nuk janë në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Direktivën për Zbatimin e Ligjit.
Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave është ligj që përcakton se si mblidhen dhe ruhen të dhënat e individëve në Zonën Ekonomike Evropiane. Ajo i forcon të drejtat për privatësi, vendos obligime serioze për organizatat dhe vlen për të gjitha kompanitë në botë që procesojnë të dhëna të banorëve të BE-së.
Direktiva për Zbatim të Ligjit rregullon mënyrën se si autoritetet e policisë dhe gjyqësorit në BE i procesojnë dhe mbrojnë të dhënat personale të individëve, sidomos të viktimave, dëshmitarëve dhe të dyshuarve për shkelje penale.
Opozita malazeze dhe shoqëria civile i kritikojnë ndryshimet e bëra në Ligjin për Çështje të Brendshme pasi besojnë se ato i rrisin kompetencat e ministrit të Brendshëm, sidomos në emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të policisë, dhe kështu më pas hapet rruga për ndikim politik në punën e policisë.
Sa i përket Ligjit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, kritika më e shpeshtë ka të bëjë me dispozitat që lejojnë qasjen në bazat e të dhënave të organeve dhe institucioneve shtetërore, në disa raste pa vendim gjykate.
Ndërkohë, Mali i Zi pritet të emërojë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, trupit kryesor të gjyqësorit, anëtarët e të cilit mund të emërohen dhe shkarkojnë gjyqtarë.
SHIKONI EDHE: “Pingpongu” institucional në Mal të Zi ngadalëson rrugën evropianePse janë ligjet e reja problematike për rrugën e Serbisë në BE?
Në rastin e Serbisë, BE-ja ka qenë e qartë. Pas miratimit të ligjeve të gjyqësorit, me nismë të partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, kritikat kanë qenë të shpejta nga Brukseli, përfshirë prej Komisionares për Zgjerim, e cila ka vlerësuar se këto ligje kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe, sipas mendimit të saj, përbëjnë kthim mbrapa.
Vuçiq është përgjigjur duke thënë se nuk e kupton për çfarë kthimi mbrapa bëhet fjalë, meqë Serbia ka stagnuar në rrugën drejt BE-së që katër vjet. Më 2021, Serbia e ka hapur grupin e kapitujve për agjendë të gjelbër dhe lidhshmëri të qëndrueshme, mirëpo përparim nuk është arritur.
SHIKONI EDHE: A ia mbylli Vuçiq derën BE-së?Ligjet në gjyqësor që kanë nisur të zbatohen, janë duke e shtyrë vendin në drejtim të kundërt me standardet evropiane.
Bashkimi Evropian pati kërkuar që ligjet të mos miratoheshin dhe pasi Vuçiqi i ka nënshkruar ato, Brukseli ka thënë se zbatimi i tyre duhet të pezullohet derisa të ketë një opinion prej Komisionit të Venecias.
Florian Biber, profesor për histori dhe politikë dhe drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit ka thënë se në një konstelacion të tillë politik, Serbia nuk ka shanse që t’iu afrohet strukturave evropiane.
“Nuk ka të bëjë vetëm me sundimin e ligjit, por me mungesën e respektit për rregullat demokratike bazike. Është e qartë se regjimi aktual nuk është i interesuar në anëtarësim në BE, apo të garantojë se Serbia është shtet demokratik”, ka thënë Bieber.
SHIKONI EDHE: Kë e mendon Marta Kos kur flet për kalin e Trojës?Sfidat e Shqipërisë
Në vitin e kaluar, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, pavarësisht problemeve në sektorin e sundimit të ligjit.
Sikur edhe me vendet tjera kandidate, Komisioni Evropian e ka përmendur në Raportin e Progresit, në tetor të vitit të kaluar se shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë rritjen e presionit politik në gjyqësor, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe lirinë e kufizuar të medias.
Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion.
Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”.
Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv.
IBAR është shkurtesë për Raportin mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për Kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit.
Derisa vendet e BE-së të mos e miratojnë në mënyrë unanime IBAR-in, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve.
Mali i Zi, për shembull, është dashur të presë për IBAR pozitiv, i cili është miratuar në qershor të vitit 2024, në mënyrë që të nisë mbylljen e kapitujve. Para këtij vendimi, hera e fundit që ka mbyllur kapituj ka qenë vitit 2017.
SHIKONI EDHE: Starmer në Procesin e Berlinit: Ballkani Perëndimor, vendi ku testohet siguria e EvropësA mund të mbyllet njëri sy?
Pranimi i anëtarëve të rinj pa të drejtën e vetos, që aktualisht e kanë të 27 vendet anëtare të BE-së, është diçka për të cilën kanë avokuar, edhe Edi Rama, edhe Aleksandar Vuçiq në një artikull të përbashkët muajin e kaluar në të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili i ka shtuar spekulimet se shtetet e Ballkanit Perëndimor “mund ta mbyllin njërin sy”.
Florian Bieber beson se brenda këtij kuadri ligjor është e pamundur të ndahen konsideratat politike nga kriteret e sundimit të ligjit.
“Sigurisht, elitat politike në Mal të Zi dhe Shqipëri e njohin momentumin politik dhe kanë prirje të jenë më pak të rrepta në lidhje me zbatimin. Megjithatë, në fund të fundit, nevojitet pëlqimi i 27 shteteve anëtare, i cili është larg të qenit i garantuar”, paralajmëron Bieber në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Komisionarja Kos ka folur në këtë drejtim në Parlamentin Evropian në fillim të marsit, duke e theksuar se statusi i liderit në këtë proces nuk garantohet përgjithmonë.
Ajo u ka thënë Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë që “përparimi duhet të arrihet përmes reformave”.
A mund të ndihmojnë “mekanizmat mbrojtës”?
Mekanizmat mbrojtës nuk janë diçka e panjohur në proceset evropiane.
Kur Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në BE më 2017, Komisioni Evropian pati vendosur të miratojë anëtarësimin e tyre, pavarësisht reformave të papërfunduara në fushën e sundimit të ligjit, me kusht që dobësitë të vazhdojnë të adresohen pas anëtarësimit përmes të ashtuquajturit Mekanizëm Bashkëpunimi dhe Verifikimi, i cili mundësoi monitorimin pas anëtarësimit dhe vlerësimin e rregullt të progresit në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.
Ky mbikëqyrje pas anëtarësimit zgjati plot 16 vjet dhe përfundoi në vitin 2023.
Për Florian Biberin, ekzistojnë zgjidhje për dilemat e mundshme të shteteve anëtare, dhe sipas tij, zgjidhja qëndron në një periudhë kalimtare që do t'u lejonte anëtarëve të rinj t’i zbatonin reformat pas anëtarësimit.
Sipas tij, pranimi i Malit të Zi dhe ndoshta i vendeve të tjera në rajon do të sinjalizonte se ka një të ardhme për rajonin në BE.
"Një projekt i tillë politik duhet t’i bindë skeptikët midis shteteve anëtare dhe duhet të përfshijë gjithashtu mekanizma të qëndrueshëm për të siguruar që anëtarët e ardhshëm do të respektojnë sundimin e ligjit”, vlerëson Biber.
SHIKONI EDHE: Kallas: Do të punoj që zgjerimi i BE-së të bëhet realitetMegjithatë, ai beson se edhe nëse ndonjë anëtar i ri i plotëson të gjitha kriteret, nuk ka garanci se nuk do të ketë pengesa.
Diçka e tillë ka ndodhur në Hungari, Poloni ose Sllovaki disa vjet pas anëtarësimit në BE, kur problemet me pavarësinë në gjyqësor dhe sundimin e ligjit dolën në pah në këto vende, sepse autoritetet shpesh përpiqeshin të ndikonin në gjykata, të kufizonin liritë e medias dhe të zvogëlonin kontrollin mbi institucionet e pavarura.