Britania e Madhe kundër bllokadës amerikane të porteve iraniane

Kryeministri britanik, Keir Starmer.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do ta mbështesë bllokadën e porteve iraniane nga Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se fokusi i tij është që Ngushtica e Hormuzit të jetë “plotësisht e hapur”.

Duke folur për BBC-në, Starmer tha se është “jetike që ngushtica të jetë e hapur dhe plotësisht funksionale”.

“Aty i kemi përqendruar të gjitha përpjekjet tona… dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ushtria amerikane do të bllokojë gjithë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane dhe zonat bregdetare në Gjirin Persik, duke filluar nga 13 prilli në orën 10:00, sipas kohës lindore.

Ai e mori këtë vendim pasi bisedimet për paqe me Iranin, të mbajtura gjatë fundjavës në Islamabad, dështuan.

Anijet që shfrytëzojnë Ngushticën e Hormuzit për në dhe nga portet joiraniane, nuk do të pengohen, tha ushtria amerikane.

SHIKONI EDHE:

Trump konfirmon bllokimin e porteve iraniane

Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i Parlamentit iranian që udhëhoqi negociatat në Pakistan, ironizoi me vendimin e SHBA-së.

“Shijoni çmimet aktuale të pompave. Me ‘bllokadën’ e ashtuquajtur, së shpejti do të keni nostalgji për gazin prej 4-5 dollarësh”, shkroi ai në platformën X.

Përmes një deklarate të mëparshme të raportuar nga mediat iraniane, Qalibaf tha se Irani “nuk do të dorëzohet nën kërcënime”.

Duke iu përgjigjur kërcënimit të presidentit Trump për bllokimin e “çdo anije” që tenton të hyjë apo të dalë nga Ngushtica e Hormuzit, forcat detare iraniane deklaruan se anijet ushtarake që i afrohen kësaj rruge ujore, do të trajtohen “në mënyrë të ashpër”.

Pas dështimit të negociatave midis Iranit dhe SHBA-së dhe shqetësimeve të shtuara rreth konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës dhe vlera e dollarit amerikan, më 13 prill, u rritën.

SHIKONI EDHE:

Çmimet e karburanteve në Kosovë: Rritjet reflektohen menjëherë, uljet jo