Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari (në mes) gjatë seancës së ndërprerë më 12 gusht, në Kuvendin e Kosovës, në Prishtinë, 12 gusht 2026.

Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen më 9 shtator për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i formuar institucionet e reja të vendit pas zgjedhjeve të qershorit, dhe për t’i dhënë fund krizës pothuajse dyvjeçare politike.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten se ka vendosur që seanca e mbetur në gjysmë muajin e kaluar të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.

Ai tha se e mori këtë vendim pas arritjes së një marrëveshjeje të brishtë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, për kandidatin për president të Kosovës.

“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, tha Dehari në Facebook.

SHIKONI EDHE:

Kurti pas takimeve të reja për presidentin: Jam optimist, ndonëse është e vështirë

Zgjedhja e presidentit të ri të vendit është në qendër të krizës politike tani, pasi kërkohet një marrëveshje politike mes pushtetit dhe opozitës për t’i siguruar votat e nevojshme.

Vazhdimi i seancës

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, dhe në atë ditë deputetët e legjislaturës së 11-të e dhanë betimin, por ajo u ndërpre në gjysmë pasi Kurti kërkoi kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Deputetët u mblodhën edhe një herë më 8 gusht dhe, edhe ajo seancë u ndërpre me kërkesën e njëjtë të Kurtit, i cili u gjuajt me vezë nga deputetja opozitare Time Kadrijaj.

SHIKONI EDHE:

Me hedhje vezësh e tensione, Kuvendi në pikën zero

Tani deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pesë nënkryetarët për ta formuar Kuvendin e ri, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe eventualisht emërimit të presidentit të ri.

Por, i tërë ky proces po zhvillohet mes paqartësive dhe akuzave për shkelje.

Në bazë të një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe ky afat skadoi më 7 gusht në mesnatë.

LVV-ja kishte argumentuar se afati 30-ditor nisi më 6 gusht dhe se kishte kohë deri më 6 shtator.

Por, pas vendimit të Deharit për vazhdimin e seancës më 9 shtator, duket se edhe ky afat është shpërfillur.

SHIKONI EDHE:

Çfarë ndodh kur Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet brenda afatit kushtetues?

Ekspertët kushtetues thanë më herët për Radion Evropa e Lirë se shpërfillja e këtij afati përbën shkelje kushtetuese.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës kishte thënë se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive pas afatit kushtetues përbënte “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.

Por, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, argumentoi se, ndonëse shpërfillja e afatit për konstituimin e Kuvendit përbënte shkelje kushtetuese, ajo nuk nënkuptonte se seanca nuk ka mundësi të mbahet më vonë.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë më herët se vazhdimi i seancës do të mundë të caktohej pas afatit kushtetues meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati.

Marrëveshja e brishtë për presidentin

Nuk është e qartë nëse në seancën e 9 shtatorit do të mundë të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, me gjithë një marrëveshje politike mes LVV-së dhe LDK-së.

Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, arritën marrëveshje në fillim të kësaj jave që diplomati dhe juristi kosovar, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Por, gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan haptazi kandidaturën e Sejdiut, duke bërë shuar shpresat për zgjedhjen e tij.

Nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

SHIKONI EDHE:

Çka pas 6 votave të LDK-së kundër Sejdiut?

LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18.

Marrëveshja e tyre gëzon edhe mbështetjen e tetë deputetëve të komunitetit joserb dhe të një deputetit të komunitetit serb dhe, sipas Kurtit thotë se tani kanë vetëm 74 vota.

Partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës me 22 vende, dhe Aleanca me 7, kanë hedhur poshtë bisedimet me Kurtin për presidentin e ri.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.

Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

Por, Presidenca i tha Radios Evropa e Lirë të enjten se postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, Haxhiu do t’ia dorëzojë kryetarit të ri të Kuvendit që pritet të zgjidhet nga legjislatura e njëmbëdhjetë më 9 shtator.