Në Merdarë, Dogana kap rreth 1 milion euro të padeklaruara

Fotografi e shpërndarë nga Dogana e Kosovës të një pjese të parave që u gjetën në një automjet.

Dogana e Kosovës njoftoi se në pikëkalimin kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën me Serbinë – janë kapur rreth 1 milion euro të padeklaruara.

Zbulimi i kësaj shume të parave u bë pasi zyrtarët doganorë zgjodhën një automjet për ta kontrolluar në detaje.

“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, u tha në njoftim.

Gjatë kontrollit të përbashkët të zyrtarëve të Doganës dhe Policisë janë gjetur paratë e padeklaruara “të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”.

“Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro”, tha Dogana.

Sipas këtij institucioni, përdorimi i teknologjisë së avancuar për kontrolle, sikurse skanerët me rreze X, mbeten mjete kyç për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme.

Në janar të këtij viti, në Merdarë u vendos një skaner mobil i llojit Rapiscan, që Kosovës iu dhurua nga Shtetet e Bashkuara.

Kur u vendos ky skaner – në vlerë prej 3 milionë dollarësh – Ambasada amerikane tha se do t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës që të luftojnë kontrabandën.