Trump thotë se SHBA-ja mund të nisë “hedhjen e bombave” nëse Irani nuk “sillet mirë”

Presidenti amerikan, Donald Trump. Francë, 17 qershor 2026.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara mund të rinisin veprimin ushtarak ndaj Iranit, nëse ai është i pakënaqur me zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit që kanë arritur Uashingtoni dhe Teherani, teksa udhëheqësit botërorë kanë mirëpritur mundësinë e përfundimit të luftës.

Duke folur gjatë takimit me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, në samitin e G7 në Francës më 17 qershor, Trump tha se memorandumi është vetëm një marrëveshje fillestare dhe paralajmëroi se veprimet ushtarake mund të rifillojnë nëse Irani nuk i përmbushë pritjet e SHBA-së.

“Është një memorandum mirëkuptimi. Dhe, nëse nuk më pëlqen, do të nisi të shtënat ndaj tyre, duke u hedhur bomba mbi koka”, tha Trump.

SHIKONI EDHE:

Çfarë do ta përcaktojë suksesin e marrëveshjes me Iranin?

Ai shtoi: “Nëse nuk sillen mirë, do t’u rikthehemi menjëherë bombardimeve, pikërisht në mes të kokës së tyre, në rregull? Sepse janë sjellë keq për 47 vjet”.

Po ashtu, Trump hodhi poshtë raportimet se SHBA-ja do të investojë 300 miliardë dollarë në Iran në kuadër të memorandumit, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta. Megjithatë, ai tha se Uashingtoni nuk do t’i pengonte që vendet e tjera të investonin në Iran.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se memorandumi nuk parashikon pagesa të drejtpërdrejta amerikane për Iranin. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet se dokumenti kërkon heqjen e menjëhershme të sanksioneve, duke theksuar se çdo lehtësim i sanksioneve do të lidhet me negociatat e ardhshme dhe me përmbushjen e detyrimeve nga ana e Iranit.

Më 16 qershor, Irani dhe SHBA-ja njoftuan se e kishin nënshkruar në mënyrë elektronike memorandumin e mirëkuptimit që synon përfundimin e konfliktit. Të dyja palët pritet që ta nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen më 19 qershor në Zvicër.

G7 mirëpret “mundësinë historike” për Lindjen e Mesme

Lajmi është mirëpritur nga udhëheqës në mbarë botën, të cilët e kanë cilësuar si një hap pozitiv drejt përfundimit të luftës midis Uashingtonit dhe Teheranit, e cila nisi me sulmet ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

Liderët e G7-s e mirëpritën marrëveshjen kornizë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, duke e vlerësuar si një “mundësi historike” për të parandaluar Teheranin që të ketë armë bërthamore, sipas një deklarate të lëshuar nga anëtarët e grupit mëngjesin e 17 qershorit.

Në deklaratë u tha se ka mundësi “që të ketë paqe dhe qetësi në mbarë rajonin”.

Krerët e këtyre shteteve, duke theksuar mbështetjen e tyre për zbatimin e dispozitave të marrëveshjes, shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e procesit.

Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, liderët deklaruan se “e drejta për kalim të lirë dhe të papenguar, si edhe nevoja për pagesën e tarifave përkatëse, janë themeli i tregtisë ndërkombëtare”.

Udhëheqësit e G7-s përmendën nevojën për vazhdimin e negociatave për arritjen e një “marrëveshjeje diplomatike gjithëpërfshirëse dhe të pakthyeshme”, me synimin për t’u përballur me “kërcënimet e Iranit në rajon dhe më gjerë” dhe për të siguruar që “Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”.

Ndërkohë, sipas një faqeje për gjurmimin e anijeve, cisternat e para që transportojnë naftë të papërpunuar iraniane janë larguar nga Ngushtica e Hormuzit që nga fillimi i bllokadës detare amerikane, e cila filloi dy muaj më parë.

SHIKONI EDHE:

Cisternat e para me naftë iraniane largohen nga Ngushtica e Hormuzit

SHBA-ja nuk publikon detajet e marrëveshjes

Pavarësisht thirrjeve që Qeveria amerikane të publikojë tekstin e plotë të memorandumit të mirëkuptimit, nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi më 16 qershor se detajet nuk janë bërë publike për shkak të ndjeshmërisë diplomatike që përfshin Teheranin dhe ndërmjetësuesit rajonalë.

Duke folur në emisionin The Megyn Kelly Show, Vance tha se “ka disa çështje të ndjeshme diplomatike” dhe se Irani, së bashku me ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, i kanë kërkuar Uashingtonit të veprojë me kujdes në këtë proces.

“Ka ndjeshmëri në botën arabe dhe myslimane, ndaj ne përpiqemi të jemi të përgjegjshëm dhe t’i marrim parasysh ato”, tha Vance, duke shpjeguar vonesën në publikimin e dokumentit.

SHIKONI EDHE:

Trump: Marrëveshja e thotë qartë dhe fuqishëm se Irani nuk do të ketë armë bërthamore

Vance theksoi po ashtu se memorandumi është vetëm një kornizë paraprake dhe jo një marrëveshje e detajuar.

Nënpresidenti amerikan sugjeroi se SHBA-ja po negocion nga një pozicion force dhe mund të tërhiqet nëse bisedimet e ardhshme dështojnë.

“Nëse ata i përmbahen kësaj marrëveshjeje, mendoj se do të ishte shumë më mirë për SHBA-në dhe shumë më mirë për Iranin”, tha Vance.

“Por, nëse ata nuk i përmbahen marrëveshjes, ngushticat do të mbeten të hapura, ne gjithsesi do t’i kemi shkaktuar dëme shumë të mëdha programit të tyre bërthamor dhe në fund, si vend mund të vazhdojmë jetën tonë”, shtoi ai.

Presidenti Trump ka thënë më 16 qershor se negociatat kanë hyrë në fazën e dytë, të cilën e ka përshkruar si më të lehtë se faza e parë.

Faza 60-ditore pritet të përqendrohet në bisedime mbi çështje teknike të lidhura me programin bërthamor të Iranit dhe rezervat me uranium të pasuruar të Republikës Islamike.