Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani lëshoi të paktën katër dronë ndaj anijeve që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar këtë si një “shkelje të pamatur të marrëveshjes së armëpushimit” midis Uashingtonit dhe Teheranit.
“Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë të transportit të mallrave. U shkaktuan dëme, por anija arriti të vazhdonte rrugën. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë”, shkroi Trump në një postim në Truth Social më 26 qershor.
Më herët gjatë ditës, kompania tajvaneze e transportit detar, Evergreen Marine njoftoi se njëra prej anijeve të saj të mallrave u godit nga një “objekt i paidentifikuar” gjatë kalimit nëpër këtë rrugë strategjike ujore më 25 qershor, por shtoi se ekuipazhi, anija dhe ngarkesa “nuk pësuan dëme”.
Nuk është e qartë nëse deklaratat e Trumpit i referohen këtij incidenti.
Më 26 qershor, Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk mund të garantohet pa koordinim me Teheranin.
SHIKONI EDHE:
Irani paralajmëron se kalimi nëpër Hormuz kërkon koordinim me TeheraninIrani praktikisht e mbylli krejtësisht Ngushticën e Hormuzit pas nisjes së sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt. Nëpër këtë rrugë kalon përafërsisht një e pesta e furnizimit global me naftë.
Pas nisjes së luftës, në prill palët arritën një marrëveshje të brishtë armëpushimi. Ndërkaq, më 17 qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, e cila parasheh një periudhë 60-ditore për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare, që synon dhënien fund të luftës në Lindjen e Mesme.