Trump: SHBA-ja do ta godasë ashpër Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se forcat amerikane do ta godasin “ashpër” Iranin , pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) lëshoi raketa drejt dy bazave amerikane në Jordani, teksa sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u zotua se do të shtojë presionin ekonomik ndaj Teheranit.

“Do t’i godasim ashpër”, citohet t’i ketë thënë Trump një gazetari të Fox News më 31 gusht. “Do të ketë përgjigje”.

Trump tha se mbrojtja ajrore amerikane ka penguar të gjitha raketat iraniane që mund të kishin shkaktuar dëme, pasi IRGC-ja pretendoi se ka lëshuar raketa balistike drejt bazave Mbreti Husein dhe Al Azrak në Jordani, duke shkaktuar “dëme të mëdha”.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Iranit, shihen si “sinjal” për Teheranin lidhur me Hormuzin

IRGC-ja shpesh i ekzagjeron pretendimet e saj dhe raportet për sulmet nuk mund të verifikohen menjëherë.

Sulmi në Jordani ndodhi pasi forcat amerikane goditën raketahedhësit në ishullin iranian Larak, sulmi i parë i raportuar publikisht nga SHBA-ja ndaj pozicioneve ushtarake iraniane në më shumë se një muaj.

Fox News citoi gjithashtu Trumpin të ketë thënë se masat e ashpra ekonomike të ndërmarra ndaj Teheranit po kanë ndikim të madh në ekonominë e Iranit, e cila ndodhet në prag të kolapsit pas vitesh të sanksioneve perëndimore dhe tani vendi po përballet edhe me një bllokadë detare amerikane.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se shkëmbimi i fundit i zjarrit mes SHBA-së dhe Iranit tregoi se Teherani po “reagon me forcë” sepse sanksionet e reja po shkaktojnë çrregullime të mëdha në ekonominë e tij.

“Ata po e marrin shumë seriozisht... janë të tronditur nga gjendja e ekonomisë së tyre”, u tha Bessent gazetarëve në një takim të 20 ministrave të financave dhe udhëheqësve të bankave qendrore në shtetin amerikan të Karolinës së Veriut.

“Do të thosha se ata po reagojnë në mënyrë kinetike, sepse po humbasin ekonomikisht”, tha ai, duke përdorur një term që i referohet veprimeve ushtarake.

“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion dhe tashmë kemi pasur diskutime shumë të mira këtu”, shtoi Bessent.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja shënjestron një bankë në Emirate për transaksione që dyshohet se lidhen me IraninSHBA nis “ofensivë ekonomike” kundër Iranit, u kërkon vendeve t’i ndalin “burimet jetike” që e mbajnë Teheranin

Ai tha se “javët ose muajt” e ardhshëm mund të sjellin një pikë kthese në fushatën amerikane të presionit, duke shtuar se ekonomia iraniane mund të mos ketë nevojë të pësojë një kolaps të plotë për të arritur objektivat e SHBA-së.

Ministri francez i Financave, Roland Lescure, tha në takimin e G20-ës se“të gjithë duhet të punojmë për këtë”.

“SHBA-ja ka një qëndrim lidhur me mënyrën se si të forcohen sanksionet. Do të diskutojmë me ta nëse mund të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha ai.

SHBA-ja ka nisur një fushatë sanksionesh, të titulluar “ofensiva ekonomike”, më 24 gusht, që synon të godasë rrjetet financiare iraniane në mbarë botën.