Forcat amerikane goditën dy rakethedhës iranianë në ishullin Larak, në Ngushticën e Hormuzit, pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) u vërejt duke u përgatitur të lëshonte raketa me mina detare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar amerikan.
Sulmet e 30 gushtit shënojnë sulmin e parë të raportuar publikisht dhe direkt të SHBA-së ndaj pozicioneve ushtarake iraniane në më shumë se një muaj, dhe vijnë në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të rikthejë transportin detar përmes një prej pikave më strategjike të kalimit detar në botë.
Zyrtari amerikan tha se forcat e IRGC-së po përgatiteshin të lëshonin raketat me mina detare në ngushticë. Javën e kaluar, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se forcat amerikane kishin përfunduar pastrimin e minave detare nga rrugët ndërkombëtare të transportit në ngushticë dhe po monitoronin nga afër aktivitetin atje.
“Forcat amerikane po e monitorojnë nga afër zonën dhe mbeten të gatshme për të mbrojtur qarkullimin e lirë të tregtisë përmes kësaj rruge ujore thelbësore”, tha zyrtari.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “forcat amerikane ndërmorën një veprim të kufizuar dhe të saktë kundër forcave të IRGC-së që vendosnin mina dhe që përbënin një kërcënim të menjëhershëm në ngushticën e Hormuzit. Në thelb, Irani krijoi kërcënimin dhe ushtria amerikane e eliminoi atë për të mbrojtur anijet civile, transportin tregtar dhe qarkullimin e lirë të tregtisë globale”.
IRGC-ja, forca e linjës së ashpër e Iranit, u zotua për hakmarrje. Në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, ajo pranoi “martirizimin dhe plagosjen e disa prej luftëtarëve dhe bashkëqytetarëve tanë” dhe tha se sulmi “do të rezultojë në ndëshkimin e agresorit”.
Më vonë, IRGC-ja tha se kishte lëshuar raketa balistike ndaj dy bazave ku janë të dislokuara forcat amerikane në Jordani, në shenjë hakmarrjeje. Jordania, aleate e ngushtë e SHBA-së, tha se kishte penguar tetë raketa që hynë në hapësirën e saj ajrore herët më 31 gusht.
Paralajmërim për Hormuzin
Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se sulmi amerikan ka më pak rëndësi si veprim i izoluar ushtarak sesa si demonstrim se Uashingtoni është i gatshëm të përdorë forcën për të penguar Iranin që të rikthejë aftësinë për të kërcënuar transportin detar përmes Hormuzit.
Alex Plitsas, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Këshillin e Atlantikut dhe ish-zyrtar i Pentagonit, tha se shkëmbimi i fundit i sulmeve nisi “pasi Irani goditi një anije pranë Omanit dhe më pas po përpiqej të lëshonte një numër të vogël minash në ngushticë”.
“SHBA-ja goditi rakethedhësit”, tha ai.
Plitsas shtoi se besonte se sulmi iranian ndaj anijes ishte “një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratave të SHBA-së për rritjen e flukseve të naftës përmes ngushticës së Hormuzit gjatë javëve të fundit”, me synimin për të treguar se Teherani ende mund të godasë objektiva detare dhe të rrisë nivelin e rrezikut për kompanitë e transportit.
Dallimi mes një rruge ujore të bllokuar fizikisht dhe një rruge ujore që është bërë tepër e rrezikshme për transportin tregtar është thelbësor, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Vetë ngushtica është fizikisht e hapur”, tha Plitsas. “Rënia e qarkullimit në këtë pikë vjen kryesisht për shkak të rrezikut të një sulmi iranian ndaj një anijeje”, theksoi ai.
Kjo do të thotë se pastrimi i minave dhe shkatërrimi i pikave të identifikuara të lëshimit mund të mos jenë të mjaftueshme për të rikthyer trafikun normal. Irani mund të vazhdojë të përdorë raketa dhe dronë për të kërcënuar anijet, ndërsa SHBA-ja nuk mund të eliminojë çdo pikë të mundshme lëshimi apo çdo armë.
“Do të jetë praktikisht e pamundur të goditet çdo raketë apo dron iranian, kështu që iranianët mund të vazhdojnë të ngacmojnë anijet dhe ta mbajnë ngushticën nën kërcënim për njëfarë kohe”, tha Plitsas.
Ai tha se situata aktuale mund të vazhdojë, në mungesë të rikthimit të luftimeve në shkallë të gjerë, derisa presioni ndaj Iranit të çojë në një marrëveshje të negociuar.
Kjo e vendos Uashingtonin përballë një testi të vështirë. Objektivi ushtarak është mbrojtja e rrugës ujore, por operatorët tregtarë duhet gjithashtu të binden se rreziku i lundrimit përmes Hormuzit është ulur mjaftueshëm për të justifikuar rikthimin e trafikut të rregullt.
Jo një fazë e re e luftës
Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën United Against Nuclear Iran, tha se sulmi ishte një sinjal se Uashingtoni nuk do të lejojë Iranin të përmbysë ato që ai i përshkroi si arritje amerikane gjatë javëve të fundit në garantimin e lirisë së lundrimit në Hormuz.
“Besoj se sulmi i sotëm është një sinjal nga SHBA-ja se nuk do ta lejojë Iranin të përmbysë përparimet amerikane të javëve të fundit në garantimin e lirisë së lundrimit në ngushticën e Hormuzit”, tha Brodsky për Radion Evropa e Lirë.
Por, Brodsky paralajmëroi kundër paraqitjes së sulmit si fillimin e një faze krejtësisht të re të konfliktit.
“Nuk është një ndryshim vendimtar drejt një faze të re të luftës”, tha ai. “Përkundrazi, është një kujtesë se SHBA-ja ka vullnetin për të garantuar sigurinë e ngushticës së Hormuzit”.
Zhvillimi më i rëndësishëm mund të jetë reagimi i Iranit. Duke folur para raportimit për sulmet hakmarrëse të IRGC-së, Brodsky tha se pritej që Teherani të kundërpërgjigjej ndërsa po përballet me pasoja ekonomike dhe se politikëbërësit amerikanë e kuptojnë këtë dinamikë.
“Se si do të përgjigjet SHBA-ja ndaj çdo sulmi iranian do të ketë rëndësinë më të madhe”, tha ai. “Do të nevojitet një përgjigje vendimtare amerikane për të demonstruar se SHBA-ja ka qëndrueshmërinë për ta vazhduar bllokadën për aq kohë sa Irani refuzon t’iu nënshtrohet kërkesave amerikane”.
Kjo mund të krijojë një cikël në të cilin Irani përpiqet t’u shkaktojë kosto forcave amerikane ose transportit detar pa u rikthyer në një luftë në shkallë të plotë, ndërsa Uashingtoni përgjigjet sa herë që vlerëson se veprimet iraniane kërcënojnë lundrimin.
Hormuzi i hapur, por trafiku rëndë i kufizuar
Ian Ralby, drejtues i kompanisë së sigurisë detare Auxilium Worldwide, tha se sulmi amerikan nënvizon se konflikti mes SHBA-së dhe Iranit mbetet i pazgjidhur.
“Besoj se sulmi i sotëm tregon atë që çdo vëzhgues serioz e ka ditur gjatë gjithë kohës – se mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon të ketë një konflikt të armatosur ndërkombëtar”, tha Ralby për Radion Evropa e Lirë. Ai tha se sulmi tregoi se ekzistojnë “një sërë çështjesh të pazgjidhura, për të cilat nuk ka asnjë afat të qartë për zgjidhjen e tyre”.
Dobësimi i vazhdueshëm i transportit detar përmes Hormuzit e ilustron problemin. Ralby tha se trafiku është ndër më të ulëtit e regjistruar gjatë konfliktit, me rreth pesë anije në ditë që lëvizin në secilin drejtim dhe disa ditë pa asnjë anije.
Për Ralby, kjo tregon se Uashingtoni mbetet “i pozicionuar, i gatshëm dhe i vullnetshëm për të përdorur forcën kundër Iranit – si në det, ashtu edhe në territorin e tij sovran – për të arritur objektivat e tij”.
Por, veprimi ushtarak i vetëm nuk mund t’i eliminojë rreziqet me të cilat përballen operatorët tregtarë. Edhe një sulm që nuk e mbyll rrugën ujore mund t’i pengojë anijet, të rrisë kostot e sigurimit dhe t’i shtyjë kompanitë drejt rrugëve alternative.
Prandaj, hapat e ardhshëm të Iranit do të jenë vendimtarë. Premtimi i Teheranit për të ndëshkuar agresorin erdhi pasi IRGC-ja raportoi viktima në sulmin në ishullin Larak, duke krijuar presion ndaj udhëheqësve iranianë për të treguar se sulmet amerikane do të kenë një çmim.
Ralby paralajmëroi se çdo përshkallëzim mund të mos mbetet i kufizuar në Hormuz. Ai tha se rajoni ka pika të shumta të mundshme për përplasje dhe paralajmëroi se zhgënjimi me status quo-në mund ta shtyjë njërën palë të veprojë në një mënyrë që të shkaktojë rikthimin e dhunës.
“Situata në Hormuz nuk ka gjasa të zgjidhet së shpejti”, tha Ralby. “Ka njerëz me durim të shkurtër dhe fitila të shkurtër mes një numri aktorësh”.
Irani ka sulmuar shpesh bazat amerikane në të gjithë rajonin, vuri në dukje Ralby, ndërsa përfshirja e Huthive dhe incidentet e piraterisë krijojnë mundësi të tjera për dhunë. Përshkallëzimi i ardhshëm mund të përhapet, sipas tij, “shumë përtej kufijve gjeografikë të ngushticës së Hormuzit”.
Ai përmendi gjithashtu Libanin dhe Gazën si pika të tjera të nxehta, ku vazhdimi i dhunës mund ta shtyjë Iranin ose Huthit të kryejnë sulme në forma të reja.
“Pra, kjo gjë mund të dalë më tej jashtë kontrollit në çdo moment”, tha Ralby.
Rriten pasojat ekonomike globale
Pasojat e një ndërprerjeje të zgjatur në Hormuz do të shtriheshin shumë përtej përballjes ushtarake. Ralby tha se situata globale ekonomike po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa hemisfera veriore i afrohet dimrit dhe kërkesa për karburant për ngrohje pritet të rritet.
Ai paralajmëroi se problemi mund të kalojë nga çmimet më të larta të energjisë te çështjet e furnizimit fizik dhe mungesat e mundshme, në varësi të ashpërsisë së dimrit.
“Po afrohemi gjithnjë e më shumë drejt periudhës së dimrit për hemisferën veriore, me kërkesën për naftë për ngrohje që do të nisë të rritet ndjeshëm në dy muajt e ardhshëm”, tha Ralby, duke ngritur shqetësime “jo vetëm për çmimin, por edhe për furnizimin dhe më pas për mungesat në përgjithësi”.
Kina mund të shtojë një tjetër shtresë pasigurie. Ralby tha se Pekini ka qenë duke ulur artificialisht kërkesën e tij për naftë, por një rritje e përtërirë e konsumit kinez mund t’i çojë çmimet e naftës më lart dhe të thellojë pasojat ekonomike të përplasjes.
Ai paralajmëroi se një presion i tillë mund t’i inkurajojë gjithashtu më shumë shtete të kryejnë transaksione me Kinën jashtë mekanizmave financiarë të bazuar në dollar, të cilët kanë ndihmuar në mbështetjen e ndikimit ekonomik amerikan për dekada.
Një status quo e brishtë
Për momentin, pyetja kryesore është nëse sulmi i 30 gushtit dhe hakmarrja e IRGC-së do të mbeten shkëmbime të izoluara apo do të shndërrohen në fillimin e një cikli tjetër përshkallëzimi.
Uashingtoni ka treguar se përpjekjet e tij për të mbrojtur lundrimin shkojnë përtej pastrimit të minave nga rrugët e transportit. Ai është gjithashtu i gatshëm të godasë objektiva ushtarake iraniane kur beson se ato po përdoren për të kërcënuar rrugën ujore.
Ndërkohë, Irani ruan aftësinë për ta mbajtur transportin tregtar nën kërcënim pa tentuar domosdoshmërisht një bllokadë konvencionale. Kjo e lë Hormuzin në një gjendje të paqëndrueshme: fizikisht të hapur, por me trafikun të kufizuar ndjeshëm nga kërcënimi i sulmeve.
Plitsas tha se kjo gjendje mund të vazhdojë për njëfarë kohe nëse asnjëra palë nuk rikthehet në luftime në shkallë të gjerë. Por, paralajmërimi i Ralbyt për pikat e nxehta rajonale dhe presioni ekonomik që po rritet rreth Hormuzit nënvizojnë se sa e vështirë mund të jetë frenimi i konfliktit për një kohë të gjatë.
Testi i menjëhershëm do të jetë mënyra se si Uashingtoni do t’i përgjigjet hakmarrjes së fundit iraniane në Jordani. Sfida afatgjatë është nëse SHBA-ja mund ta bëjë rrugën ujore mjaftueshëm të sigurt për operatorët tregtarë pa shkaktuar një luftë më të gjerë.