Dy të vrarë dhe një i plagosur në Gjilan, i dyshuari vetëdorëzohet në Polici

Një veturë e Policisë së Kosovës.

Një burrë i ka vrarë dy njerëz dhe e ka plagosur një tjetër me armë zjarri të premten në një fshat të Gjilanit në lindje të Kosovës, dhe më pas është vetëdorëzuar tek autoritetet, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia tha se në mesin e të vrarëve janë një burrë 30-vjeçar dhe një grua 30-vjeçare.

Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se viktimat dhe i dyshuari kishin lidhje familjare.

Policia tha se ende nuk dihen motivet e vrasjes së rëndë.

"I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast", tha Policia.

Rasti ka ndodhur rreth orës 14:25 në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.

Policia tha se pranoi thirrje për të shtëna më armë në këtë fshat dhe kur mbërriti në vendngjarje e gjeti të vrarë brenda një automjeti burrin 30-vjeçar.

SHIKONI EDHE:

Policia arreston një burrë me probleme mendore nën dyshimin për vrasjen e motrës dhe lëndimin e nënës

Ndërsa, gruaja 30-vjeçare ishte sjellë pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, pasi plagëve të pësuara nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.

Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Kjo vrasje vjen më pak se një muaj pasi një burrë u arrestua për vrasjen e motrës dhe plagosjen e nënës në shtator në Prizren.

Ndërkohë, në gusht u vranë dy gra: një 25-vjeçare shtatzënë dhe një 80-vjeçare. Për të dyja vrasjet dyshohen bashkëshortët e viktimave - njëri 26 dhe tjetri 81 vjeç.

SHIKONI EDHE:

Ligjet u ndryshuan, siguria e grave jo