Ndërlidhjet

Policia arreston një burrë me probleme mendore nën dyshimin për vrasjen e motrës dhe lëndimin e nënës

Një veturë e Policisë së Kosovës. (Fotografi ilustruese)
Një veturë e Policisë së Kosovës. (Fotografi ilustruese)

Autoritetet ligjzbatuese kanë thënë të hënën se një grua është vrarë dhe një tjetër është lënduar pasi ishin sulmuar nga një familjar i veti në një fshat të qytetit veriperëndimor të Kosovës, Klinë.

Në njoftime të ndara për media, Policia dhe Prokuroria njoftuan se i dyshuari është arrestuar dhe ai është dërguar në spitalin e psikiatrisë në Pejë, ku po mbahet nën mbikëqyrjen e oficerëve.

Ai dyshohet për vrasje të rëndë dhe vrasje në tentativë, thanë autoritetet.

Policia tha se i dyshuari ia kishte vënë zjarrin shtratit ku po qëndronte motra e tij, dhe pastaj kishte kaluar në një dhomë tjetër ku e kishte goditur nënën e vet me mjete të forta pasditen e së dielës.

Si pasojë e plagëve të djegies nga zjarri, vajza ka vdekur të hënën në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërsa nëna ka pësuar lëndime të rënda trupore.

“Sot, me datёn 07.07.2026, Policia ёshtё njoftuar se vajza e cila kishte lëndime nga zjarri, nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagёve dhe ka ndёrruar jetё, kёtё e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha Policia.

Policia shtoi se, edhe pse prokurori i shtetit tё dyshuar i shqiptoi masën e ndalimit prej 48 orёsh, "pёr shkak tё gjendjes sё tij tё rёnduar psiqike, ai ёshtё vendosur nё spitalin rajonal nё Pejё, nё repartin e psikiatrisё nё përkujdesje tё personelit mjekёsor, nёn mbikëqyrjen e zyrtarёve policorë".

Prokuroria tha se i ka kërkuar gjykatës të caktojë masë të paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Kjo vrasje më pak se një muaj pasi dy gra u vranë në vend nga familjarët e vet: një 25-vjeçare shtatzënë dhe një 80-vjeçare.

Për të dyja vrasjet dyshohen bashkëshortët e viktimave - njëri 26 dhe tjetri 81 vjeç. I pari dyshohet se e vrau gruan me armë zjarri, ndërsa i dyti duke përdorur forcë fizike.

Në përgjithesi, kjo është gruaja e pestë që vritet ketë vit.

Që nga viti 2010 e deri në gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 63 gra janë vrarë në Kosovë.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Pas vrasjeve të fundit, nga Rrjeti i Grave të Kosovës kërkuan që shteti të parandalojë dhunën ndaj grave, e jo të reagojë pas tragjedive.

XS
SM
MD
LG