Emisarët amerikanë nisen drejt Moskës dhe Kievit, teksa Rusia vazhdon sulmet ndaj Ukrainës

Një sulm me dronë në rajonin e Kievit më 4 shtator.

Të dërguarit e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, po nisen drejt Moskës dhe Kievit, në përpjekjen e re të Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër fqinjit të saj, Ukrainës. Ata pritet të mbërrijnë pas një vale të re sulmesh ruse në të gjithë Ukrainën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi deklaratat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë në Rusi dhe Ukrainë për të propozuar një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.

“Me vete po sjellin një propozim për t’i dhënë fund luftës”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, pa dhënë detaje. “Ne kemi një ide për paqen”.

“Ne i dërguam atje për të parë nëse mund të arrijmë diçka dhe mund të ketë një mundësi të mirë që ta bëjmë këtë”.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve në rritje në Perëndim se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të sulmojë një vend anëtar të NATO-s për të testuar vendosmërinë e aleancës, Trump tha sërish se nuk beson se udhëheqësi i Kremlinit po planifikon një veprim të tillë.

“Unë flas me të. E njoh shumë mirë. Putini nuk po kërkon të sulmojë territorin e NATO-s”, tha Trump.

Zelensky tha më 4 shtator se “sot është përcaktuar qartë se përfaqësuesit amerikanë do të jenë në Ukrainë dhe në Rusi në ditët në vijim” dhe bëri thirrje për një pezullim të sulmeve ajrore nga të dyja palët, në mënyrë që të lehtësohen takimet e mundshme.

Ai shtoi se ekipi amerikan e kishte informuar se Witkoff dhe Kushner fillimisht do ta vizitonin Moskën më 5 shtator dhe më pas do të udhëtonin drejt Kievit më 6 shtator.

Më herët, një zyrtar amerikan kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Witkoff dhe Kushner do të udhëtonin drejt Moskës dhe Kievit “në ditët në vijim”, ndonëse detajet nuk ishin bërë menjëherë të ditura, potencialisht për shkak të shqetësimeve të sigurisë për dy amerikanët.

Moska nuk e ka konfirmuar se të dërguarit do ta vizitojnë Rusinë, ndonëse mediat ruse cituan zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se të dy “mund” ta vizitojnë Moskën që më 5 shtator.

Zelensky bën thirrje për pezullim të sulmeve ajrore

Zelensky tha se forcat ukrainase do të “sigurojnë funksionimin normal të hapësirës ajrore të Rusisë, në mënyrë që negociatorët të mund të mbërrijnë atje të sigurt” dhe kërkoi që Moska të bëjë të njëjtën gjë.

“Nga ana jonë nuk do të ketë sulme ajrore dhe Rusia duhet gjithashtu të përmbahet nga kryerja e sulmeve ajrore për aq kohë sa nevojitet për zhvillimin e këtyre negociatave”.

SHIKONI EDHE:

Zelensky shpreson t’i mirëpresë të dërguarit amerikanë në Kiev në ditët në vijim

Vizita do të zhvillohej vetëm disa ditë pasi një sulm me dron nga Rusia goditi selinë e shërbimit të brendshëm të sigurisë të Ukrainës – të njohur si SBU – një agjenci kyç që do të ishte përgjegjëse për sigurinë e të dërguarve amerikanë gjatë një vizite.

“Fatkeqësisht, një dron rus goditi ndërtesën qendrore të SBU-së në rrugën Volodimirska në Kiev, përballë Katedrales së Shën Sofisë”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram, duke iu referuar ndërtesës kryesore të agjencisë së inteligjencës së brendshme.

“Droni ishte drejtuar drejtpërdrejt ndaj zyrës së kreut të shërbimit të sigurisë në atë ndërtesë”, tha ai, duke shtuar se kreu i SBU-së, Oleksandr Poklad, nuk ndodhej aty në atë kohë.

Para se të bënte thirrje për një pauzë në sulmet ajrore, Zelensky tha se e kishte urdhëruar Pokladin të “përgjigjej në mënyrë adekuate dhe nëse është e mundur, në mënyrë të njëjtë” ndaj veprimeve të rusëve “kur gjithçka të jetë përgatitur”.

*Video: Përplasje e armatosur mes agjencive ukrainase të inteligjencës

Your browser doesn’t support HTML5

Pse pati përplasje të armatosur në Kiev mes agjencive ukrainase të inteligjencës?

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën shtatë persona u plagosën nga sulmi. Nuk u bë menjëherë e ditur nëse mes të plagosurve kishte pjesëtarë të SBU-së.

Pavarësisht thirrjes së Zelenskyt për një pauzë të ndërsjellë përpara një rundi të ri diplomatik, Rusia vazhdoi të godiste objektiva në të gjithë Ukrainën më 5 shtator, duke vrarë të paktën katër persona në qytetin industrial ukrainas Kamjanske, në rajonin e Dnipropetrovskut.

Sulme ruse u raportuan gjithashtu në rajonet e Kievit, Mikolajivit dhe Poltavës. Ushtria ukrainase tha se Moska, gjatë sulmeve të saj gjatë natës, përdori raketa balistike Iskander-M dhe të paktën 167 dronë, rreth gjysma e të cilëve ishin me motor të aeroplanëve.

Video: Ukraina rrëzon dronët rusë me taktika të Luftës së Parë Botërore

Your browser doesn’t support HTML5

Ukraina përdor taktika të Luftës së Parë Botërore për të rrëzuar dronë rusë

Ekspertët e shohin si “përshkallëzim”

Heather A. Conley, hulumtuese e lartë në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve (AEI) dhe ish-zëvendësndihmëse e sekretarit të Shtetit për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, tha se sulmi sinjalizoi një intensifikim të ofensivës ajrore të Kremlinit kundër Ukrainës.

“Ky ishte një përshkallëzim i qartë nga ana e Rusisë, pasi vjen pas gjashtë ditësh bombardimesh intensive”, tha ajo për REL-in.

“Thjesht besoj se ata po i përshpejtojnë përpjekjet e tyre, pikërisht në kohën kur po shohin se dronët e Ukrainës dhe të ashtuquajturat sanksione me rreze të gjatë po kanë një ndikim të konsiderueshëm në Rusi”.

Conley tha se sulmi “bie plotësisht në kundërshtim” me deklaratën e Putinit një ditë më parë, në të cilën ai sugjeroi se është sërish i hapur ndaj negociatave.

Tressa Guenov, ish-zyrtare e lartë e Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, i tha REL-it se “sulmi nga Rusia ndaj selisë së SBU-së në Kiev është pjesë e një dinamike gjithnjë e më përshkallëzuese dhe e shtimit të sulmeve ndaj kryeqytetit” ukrainas.

“Mund të supozohet se Moska ka pasur gjithmonë plane të gatshme për sulme ndaj objektivave të SBU-së, por goditja e selisë sot tregon se Rusia është e gatshme të shtyjë kufijtë e rinj në mes të një situate të pasigurt diplomatike”.

“Për Ukrainën, ky sulm është shembull i qartë se përse ka nevojë urgjente për pengues të mbrojtjes ajrore”, shtoi Guenov, e cila aktualisht është hulumtuese e lartë në Qendrën Scowcroft për Strategji dhe Siguri në Këshillin e Atlantikut.

Përpjekje e re diplomatike

Vizitat e të dërguarve amerikanë do të shënojnë vizitën e tyre të parë në Ukrainë që kur morën role udhëheqëse në përpjekjet e administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës dhe vijnë në mes të një përpjekje të ripërtërirë diplomatike, që synon arritjen e një marrëveshjeje të paqes për luftën gjithnjë e më të përgjakshme.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u takua më 25 gusht në Moskë me drejtuesit e shërbimeve ruse të inteligjencës dhe sigurisë. Agjencia amerikane e spiunazhit nuk bëri të ditur agjendën e plotë, por Kremlini tha se Ratcliffe nuk u takua me Putinin.

Sipas raportimeve, Ratcliffe i paralajmëroi zyrtarët rusë kundër ndonjë sulmi ose testimit të NATO-s, me shqetësim të veçantë për shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Conley, nga AEI, tha se “për mua është absolutisht e paqartë se cilat janë hapat e ardhshëm të politikës amerikane ndaj konfliktit”.

“Nuk është e qartë nëse SHBA-ja është e gatshme të ushtrojë presion, më shumë presion ndaj Rusisë”, tha ajo, duke përmendur paqartësitë rreth një projektligji rus për sanksionet, fati i të cilit në Kongresin amerikan është i pasigurt, si dhe pasigurinë rreth lëshimit të mundshëm të licencës për prodhimin e raketave Patriot për Ukrainën.

“Për momentin, thjesht mungon qartësia se si planifikon SHBA-ja të veprojë”, shtoi ajo.