Mijëra persona kanë protestuar të shtunën në Paris dhe qytete të tjera franceze kundër pasaportës së detyrueshme shëndetësore për hyrjen në shumë ambiente publike. Këtë masë, Qeveria franceze e prezantoi në përpjekje për të luftuar valën e katërt të pandemisë COVID-19.
Protestuesit kanë lënduar tre zyrtarë policorë në Paris, tha një zëdhënës i policisë.
Kjo është fundjava e tretë me radhë që qytetarët, përmes protestave, po kundërshtojnë masat e reja kundër COVID-19 të prezantuara nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Ne po krijojmë një shoqëri të ndarë dhe mendoj se është e pabesueshme që ta bësh një gjë të tillë në vendin e të drejtave të njeriut”, tha Anne, një mësuese, e cila po protestoi në Paris, transmeton Reuters.
“Prandaj, unë dola në rrugë. Asnjëherë në jetën time nuk kam protestuar. Mendoj se liria jonë është në rrezik”, shtoi ajo.
SHIKONI EDHE: Franca do të kërkojë pasaportën shëndetësore nëpër kafiteri nga 9 gushtiQytetarët që duan të vizitojnë muzetë, kinematë apo pishinat, tashmë u ndalohet hyrja nëse ata nuk kanë pasaportë shëndetësore që dëshmon se janë vaksinuar kundër COVID-19 apo nëse nuk kanë një test negativ për koronavirus.
Parlamenti francez këtë javë miratoi një ligj të ri, ku vaksinimi kundër COVID-19 u bë i detyrueshëm për punëtorët shëndetësorë si dhe pasaporta shëndetësore u bë e detyrueshme për hyrje në bare, restorante, trena e spitale.
Policia vlerësoi se rreth 13.500 persona morën pjesë në protestën në Paris.
Rreth 3.000 zyrtarë policorë dolën në kryeqytetin francezë për të mbikëqyrur protestat.
Autoritetet synuan që të shmangin ngjarjet e javës së kaluar ku pati përleshje mes policisë dhe protestuesve.,
Protesta të shtunën u mbajtën edhe në Marsej, Lion, Montepelier, Nantez, Tuluz, ku protestuesit brohoritën “Liri” dhe “Jo pasaportave shëndetësore”.