5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Dallimi mes lagjeve të vjetra dhe atyre të reja në Prishtinë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Në lagjet e dikurshme, banimi ishte planifikuar bashkë me shkollat, çerdhet, hapësirat e gjelbra dhe shërbimet e tjera për banorët.
Ndërkaq, në shumë lagje të ndërtuara pas luftës, dominojnë ndërtesat e larta, ndërsa mungojnë hapësirat publike dhe infrastruktura përcjellëse.
Arkitektja dhe planifikuesja urbane Fjollë Caka thotë se kjo pasqyron ndryshimin e qasjes ndaj planifikimit urban, ku interesi privat ka marrë përparësi ndaj atij publik.
“Nëse para luftës në sistemin ekonomik që e kemi pasur ka dominuar interesi publik dhe ka pasur investime më të mëdha prej institucioneve publike, pas luftës ka dominuar më shumë interesi privat”, thotë Caka në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.
Sipas saj, ndërtuesit janë më të interesuar të krijojnë njësi banimi, dyqane e zyra, pasi përfitimi ekonomik nga këto është më i drejtpërdrejtë sesa nga hapësirat e gjelbra dhe infrastruktura publike.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Your browser doesn’t support HTML5
"Më pak se 3 metra katrorë gjelbërim për banor në Prishtinë"
Më pak se tre metra katrorë gjelbërim për banor
Ndërtimi i dendur në kryeqytet ka ndikuar në zvogëlimin e hapësirave të gjelbra dhe të tokës së lirë.
Caka thotë se, sipas studimeve, Prishtina ka më pak se tre metra katrorë hapësirë të gjelbër për banor, ndërsa rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është rreth nëntë metra katrorë.
Ajo i referohet edhe studimeve që tregojnë se sipërfaqja urbane e Prishtinës është dyfishuar nga viti 2000 deri më 2020.
“Përveç se po e humbim gjelbërimin, e pengon edhe mënyrën se si vërshohet qyteti, si drenazhohet në rast të reshjeve, prandaj ne edhe po shohim vërshime të hapësirave të caktuara në kohërat kur po ka më shumë reshje”, thotë ajo për REL.
Caka thotë se dallimin mes lagjeve të vjetra dhe atyre të reja e përjeton edhe në jetën e saj të përditshme.
Ajo tregon se derisa ka jetuar në Dardani, i ka pasur afër shkollën, çerdhen, tregun dhe ambulancën. Ndërsa në lagjen ku jeton tash, të ndërtuar pas luftës, nuk e ndien të njëjtën lidhje me hapësirën përreth.
Sipas saj, në shumë lagje të reja mbizotëron banimi i dendur, ndërsa në mungesë të transportit publik dhe largësisë së shërbimeve tjera banorët janë të varur nga përdorimi i veturave.
“Kanë parkingje ndoshta jo të mjaftueshme po edhe ato që janë ose hapësirat që janë publike shfrytëzohen për parking në mungesë të transportit publik”, thotë ajo.
SHIKONI EDHE:
Në foto: Lagjet e vjetra të Prishtinës përballë atyre të rejaPrishtina ende pa plane të përditësuara hapësinore
Vakuumi institucional në vitet e para të pas luftës, cilësia e planeve urbanistike dhe mungesa e mbikëqyrjes së ndërtimeve janë disa nga faktorët që, sipas Cakës, kanë ndikuar në këtë zhvillim.
Ajo thotë se Prishtina ende nuk i ka përditësuar planet hapësinore në përputhje me Ligjin për Planifikimin Hapësinor të vitit 2013 dhe vazhdon të funksionojë me plane të mëhershme, të bazuara në të dhëna dhe nevoja që kanë ndryshuar ndër vite.
Caka thekson se problem nuk është vetëm hartimi i planeve, por edhe zbatimi i tyre në terren, për çka komunat duhet të kenë më shumë kapacitete inspektuese dhe të përcjellin nëse ndërtimet bëhen sipas kushteve të përcaktuara.
Ajo thotë se edhe qytetarët që blejnë banesa me premtime për parqe, kënde lojërash apo hapësira të tjera publike përfundojnë shpesh të penalizuar.
“Fatkeqësisht, në gjendjen aktuale faji mbetet duke u bartur herë në një anë, herë në anën tjetër, dhe qytetari mbetet ai që është më i penalizuari”, thotë Caka për REL.
Përveç planifikimit të lagjeve të reja, Caka sugjeron që kryeqyteti të përqendrohet edhe në rigjenerimin urban, përmes shtimit të gjelbërimit në kulmet dhe fasadat e ndërtesave, shfrytëzimit të hapësirave të lira dhe përmirësimit të infrastrukturës publike.
Ajo e sheh të domosdoshëm edhe investimin në transportin publik, në mënyrë që qytetarët të kenë alternativa të besueshme kundrejt veturave.
Sipas saj, zhvillimi i qytetit duhet të marrë parasysh edhe mundësitë e ndryshme ekonomike të banorëve, duke krijuar lagje ku mund të jetojnë jo vetëm ata që kanë mundësi të përballojnë banesat e shtrenjta, por edhe familjet me të ardhura më të ulëta.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.