Zyrtari i dytë më i lartë në agjencinë e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si GRU, u qëllua dhe u plagos në Moskë, në atë që hetuesit e përshkruan si tentativë vrasjeje.
Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev u shtrua në spital më 6 shkurt pasi u qëllua disa herë, përfshirë edhe në shpinë, tha Komiteti Hetimor në një deklaratë. Ai u hospitalizua në gjendje të panjohur.
Sulmuesit u larguan nga vendi i ngjarjes, tha komiteti.
Raporte mediatike të pakonfirmuara thanë se Alexeyev u qëllua në shkallët e pallatit ku banonte, teksa po largohej.
Alexeyev është zëvendëskomandant i GRU-së, agjencisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes, e cila njihet për operacione që variojnë nga sabotimi, atentatet, spiunazhi dhe sulmet kibernetike.
Alexeyev është përfshirë nga Britania në rastin e helmimit pothuajse fatal me Novichok të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani në vitin 2018. Një grua britanike vdiq pasi u ekspozua pa dashje ndaj helmit.
Nëse konfirmohet se Alexeyev ishte shënjestër e një tentative atentati, ky do të ishte rasti më i fundit në një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, shumë prej tyre në Moskë.
Dyshimet për këto sulme kanë rënë kryesisht mbi agjencitë e inteligjencës ukrainase, të cilat vitet e fundit kanë kryer operacione sabotimi dhe atentatesh brenda Rusisë.
SHIKONI EDHE: Vritet një gjeneral rus në Moskë, thonë zyrtarëtNë dhjetor, shefi i drejtorisë së trajnimit operacional të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, vdiq pasi një bombë shpërtheu nën makinën e tij në periferi të Moskës.
Tetë muaj më herët, një tjetër gjeneral-lejtnant, Yaroslav Moskalik, zëvendësshef në drejtorinë e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm, u vra në një atentat me makinë-bombë jashtë Moskës.
Dhe në vitin 2024, oficeri përgjegjës për forcat e mbrojtjes bërthamore dhe kimike të Rusisë u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar jashtë pallatit të tij në Moskë.