Gjenerali rus, Fani Sarvarov është vrarë të hënën si pasojë e shpërthimit të një bombe në makinën e tij, kanë bërë të ditur zyrtarët rusë.
Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se gjenerali ushtarak ka vdekur në mëngjesin e së hënës pas shpërthimit të pajisjes shpërthyese që duket se i ishte vendosur nën makinë.
Sarvarov, 56 vjeç, ka qenë udhëheqës i Departamentit të stërvitjes operative të forcave të armatosura, ka bërë të ditur Komiteti.
Sipas tij, një teori që po hetohet është që bomba është vendosur me përfshirjen e shërbimeve ukrainase të inteligjencës. Ukraina nuk ka komentuar ende në këtë drejtim.
Hetuesit janë në vendin e ngjarjes, afër makinës, e cila gjendet në qoshen e parkut të një blloku banesash në jug të kryeqytetit të Moskës.
Nga fotografitë që janë bërë në vendin e ngjarjes shihet një makinë e bardhë e dëmtuar rëndë.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, në Moskë janë shënjestruar një numër zyrtarësh ushtarakë rusë.
Gjenerali Yaroslav Moskalik është vrarë në një sulm me makinë në prill të këtij viti, derisa gjenerali Igor Kirillov ka vdekur në dhjetor të vitit 2024 kur një pajisje e fshehur në skuterin e tij është aktivizuar prej distance.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.