Gjermania do të nisë gjyqin për "krim lufte" lidhur me Nord Stream-in: Prokurorët fajësojnë "autoritetet shtetërore" ukrainase

Policët shoqërojnë Serhii K. në një seancë me një prokuror në Karlsruhe të Gjermanisë, më 28 nëntor 2025.

Pas spekulimeve, rrjedhjeve të të dhënave dhe informacioneve nga burime anonime gjatë katër vjetëve të fundit, bota më në fund është pranë dëgjimit të dëshmive publike, nën betim, në një gjykatë gjermane, për mënyrën se si u hodhën në erë tubacionet e gazsjellësit Nord Stream – në një çështje që mund të shkaktojë pasoja të mëdha politike.

Prokurorët gjermanë kanë identifikuar shtatë të dyshuar ukrainas, por vetëm njëri prej tyre do të ulet në bankën e të akuzuarve në gjyqin që nis më 14 tetor. Në dokumentet gjyqësore ai identifikohet si Serhii K., dhe thuhet se dyshohet për bashkëpunim në kryerjen e një krimi lufte.

Ky klasifikim ka shkaktuar zemërim. Por, prokurorët gjermanë i kanë rritur edhe më tej tensionet, duke deklaruar se të dyshuarit vepronin “në emër të autoriteteve shtetërore në Ukrainë”.

Kievi e ka mohuar gjithmonë kategorikisht çdo përfshirje në sulm, i cili dëmtoi infrastrukturën jetike energjetike që furnizonte Gjermaninë – një nga mbështetëset më të rëndësishme ushtarake të Ukrainës në luftën e saj që prej nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.

SHIKONI EDHE:

Ukraina mohon raportimet e NYT se sabotoi gazsjellësin

Serhii K., i identifikuar në burime të tjera si Serhiy Kuznetsov, thotë se është i pafajshëm.

“Dy ushtarakë të çmendur”

Shumica e Nord Stream-it është në pronësi të Gazprom-it, kompanisë ruse të kontrolluar nga shteti, dhe gazsjellësi është financuar pjesërisht nga kompani të mëdha evropiane të energjisë. Gazsjellësi u ndërtua për të dërguar gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar vende tranziti si Ukraina dhe Polonia, të cilat kishin marrëdhënie të tensionuara me Moskën.

Sabotimi i dyshuar dhe rrjedhjet e gazit që pasuan ndodhën në shtator të vitit 2022, duke i nxjerrë gazsjellësit jashtë funksionit.

Fillimisht, qeveritë perëndimore akuzuan Rusinë për shpërthimet, por hetuesit gjermanë nisën të ndërtonin një çështje, sipas së cilës një grup zhytësish ukrainas kishte marrë me qira një jaht dhe kishte vendosur eksplozivë në shtratin e detit.

Sipas tyre, Kuznetsov, ish-ushtarak, ishte organizatori kryesor.

“Në fund të shkurtit të vitit 2022, ai dhe pjesëtarë të tjerë të personelit ushtarak hartuan planin në emër të autoriteteve shtetërore në Ukrainë”, thuhet në një përmbledhje të aktakuzës të publikuar nga prokurorët. “Qëllimi ishte ndërprerja e përhershme e furnizimit me gaz përmes gazsjellësve dhe pengimi i Rusisë që të përdorte të ardhurat nga tregtia e gazit natyror për të financuar përpjekjet e saj luftarake".

SHIKONI EDHE:

Shpërthimi në Rrjedhën Veriore "shkatërroi 50 metra të gazsjellësit"

Prokurorët nuk kanë bërë publike të gjitha hollësitë e komplotit të pretenduar.

Aktakuza e plotë përmban disa hollësi të tjera, sipas tri mediave gjermane që thonë se e kanë parë atë: televizioni publik ARD, dhe dy gazeta të njohura, Sueddeutsche Zeitung dhe Die Zeit.

Të tria raportuan se, gjatë qëndrimit në paraburgim në Itali, Kuznetsov kishte telefonuar bashkëshorten e tij në Kiev, ndërsa hetuesit po e përgjonin fshehurazi. Gjatë bisedës, ai kishte thënë se një avokat e kishte këshilluar se kishte ardhur koha të pranonte se bëhej fjalë për një “operacion zyrtar ushtarak”. Komandanti i tij duhej të deklaronte se ata nuk ishin thjesht “dy ushtarakë të çmendur”.

Avokati italian i Kuznetsovit, Nicola Canestrini, e ka minimizuar rëndësinë e kësaj prove, duke thënë se në çështje nuk kishte “asnjë provë vendimtare”.

“Është e vështirë të besohet se, pas luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, një gjykatë gjermane do të zhvillojë një gjyq për krime lufte kundër një ushtaraku ukrainas”, shtoi ai në komente për Radion Evropa e Lirë (REL).

Tri mediat gjermane e identifikuan Roman Chervinskiyn si komandantin e Serhii K., ndërsa emri i tij ishte shfaqur edhe në disa raportime të mëparshme mediatike që citonin burime të inteligjencës. Në korrik, Chervinskiy i tha Shërbimit ukrainas të REL-it se “gjermanët, në fakt, nuk kanë asnjë provë se Serhii ka marrë pjesë në këtë operacion, nëse ai ka ndodhur fare”.

Një tjetër i dyshuar, i identifikuar nga Gjermania si Vladimir Z., ndodhet aktualisht në paraburgim në Kroaci, ku po kundërshton ekstradimin. Ai ishte ndaluar më parë në Poloni, por u lirua pasi një gjykatës polak vendosi se, nëse Ukraina ishte përgjegjëse për sulmin ndaj Nord Stream-it, ai ishte një veprim “i drejtë”.

SHIKONI EDHE:

Arrestohet në Kroaci një i dyshuar për shpërthimet në gazsjellësin Nord Stream

Zhytës profesionist dhe i identifikuar nga avokatët e tij polakë si Volodymyr Zhuravlyov, ai punonte në Kroaci si këshilltar për një film të Hollivudit rreth Nord Stream-it.

Gjatë gjyqit, prokuroria do të duhet të paraqesë provat për ekzistencën e një komploti dhe të shpjegojë shtrirjen e tij të plotë.

“Pyetja vendimtare është kjo: Sa nga ky plan erdhi nga nivelet më të larta të sistemit politik ukrainas dhe sa u përgatit nga disa persona brenda shërbimit të inteligjencës?”, tha për REL-in Stefan Meister, specialist për Rusinë dhe Evropën Lindore në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Çështja kryesore politike është roli i Zelenskyt dhe i administratës presidenciale. Dhe për këtë ende nuk kemi prova se ata ishin vërtet të përfshirë”, shtoi ai.

Avokati gjerman i Kuznetsovit, Jes Meyer-Lohkamp, tha se prokurorët “nuk kanë paraqitur asnjë provë të drejtpërdrejtë dhe përfundimtare për përfshirjen e klientit tonë” dhe se gjykata gjermane do të duhet të përcaktojë nëse Nord Stream ishte vërtet një objektiv i ligjshëm ushtarak.

Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut ka caktuar nga dy seanca në javë deri të paktën në shkurt, pa përcaktuar ende një datë për përfundimin e gjyqit.

Mbështetja gjermane për Ukrainën

Ndërsa çështja gjyqësore zhvillohet, ajo pritet të ushqejë edhe më tej debatet e ashpra në Gjermani për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës. Partia kryesore opozitare, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është shumë kritike ndaj kësaj mbështetjeje dhe bën thirrje për lidhje më të ngushta me Rusinë.

Provat për përfshirjen e Ukrainës në sulmin ndaj Nord Stream-it “do ta forconin argumentimin e AfD-së kundër mbështetjes për Ukrainën”, tha Meister. “Ata kanë të gjitha këto narrativa për korrupsionin në Ukrainë, për një shtet të dështuar… Kjo do të gjente jehonë edhe në një pjesë të shoqërisë gjermane”.

AfD-ja ka fituar së voni një varg zgjedhjesh rajonale dhe po shton presionin ndaj qeverisë së kancelarit Friedrich Merz për çështjet e Ukrainës, imigracionit dhe ekonomisë.

Merz i është përgjigjur kësaj duke këmbëngulur edhe më fort në politikat e tij aktuale, përfshirë ato ndaj Ukrainës. Së voni, më 4 tetor, ai ishte në Kiev, ku njoftoi një paketë të re ndihme që përfshin prodhimin e përbashkët të raketave interceptuese për rrëzimin e dronëve rusë me motor reaktiv.

Mikhaylo Honchar, drejtues i Qendrës për Studime Globale - Strategjia XXI, me seli në Kiev, i tha REL-it se kjo mbështetje ka gjasa të vazhdojë, pavarësisht përfundimeve të gjyqit.

“Nëse merret parasysh politika reale e Rusisë, e cila është e drejtuar kundër BE-së dhe NATO-s, si dhe retorika antigjermane e Rusisë, mendoj se qeveria gjermane do të shmangë hapa që do të dëmtonin marrëdhëniet dypalëshe” me Ukrainën, tha ai.

Honchar shtoi se çështja e ngritur nga prokuroria ishte “absurde”, duke iu referuar raportimeve të mediave gjermane se sulmi mund të ketë qenë një operacion i maskuar rus, i organizuar për të fajësuar një palë tjetër.

Sidoqoftë, Honchar tha se një vendim fajësie do të merrte një përgjigje të qartë në Ukrainë.

“Shumë njerëz do të thonë: ‘Nëse e kanë bërë tanët, atëherë janë heronj’”.