Autostrada, borxhe dhe vonesa: Gjurmët e Shandong-ut kinez në Ballkan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke treguar itinerarin e rrugës së re "Vozhd Karagjorgje", e cila do të ndërtohet nga kompania kineze, Shandong, më 7 maj 2026.

Kompanitë e grupit kinez Shandong (Shandong High Speed) kanë realizuar afro 200 milionë euro të ardhura në Serbi, duke u renditur ndër partnerët kryesorë të Qeverisë së këtij vendi në projektet ndërtimore.

Kjo del nga raportet e tyre financiare për vitin 2025, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, në kohën kur autoritetet serbe vazhdojnë t’i besojnë këtij grupi edhe kontrata të reja.

Në fillim të majit, në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e një autostrade të re, që lidh pjesën qendrore me lindjen e këtij vendi.

Rruga prej 90 kilometrash do të kushtojë rreth 1.3 miliard euro, ndërsa Shandong-u është përzgjedhur si partner përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë, pa procedura tenderimi.

Ky zhvillim është vazhdimësi e një praktike tashmë të konsoliduar të lidhjes së kontratave me kompani kineze përmes marrëveshjeve ndërqeveritare midis Beogradit dhe Pekinit, të cilat shpesh mbeten jotransparente.

SHIKONI EDHE:

Serbia forcon arsenalin me raketa kineze me rreze të gjatë

Deri më tani, Shandong-u ka qenë i përfshirë në disa projekte të mëdha shtetërore në Serbi - nga korridoret rrugore në lindje të vendit, te ndërtimi i garazheve nëntokësore në qendër të Beogradit, si dhe segmentet e autostradës drejt Malit të Zi.

Për disa prej këtyre projekteve, shteti serb është financuar përmes kredive nga bankat kineze.

Por, shumë projekte të kompanisë Shandong janë shoqëruar me vonesa në përfundimin e punimeve dhe rritje të ndjeshme të kostove fillestare.

Kompania nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Radios Evropa e Lirë për këto çështje. Ngjashëm as Ministria e Ndërtimit e Serbisë.

Sa fiton Shandong-u në Serbi?

Grupi kinez, Shandong, ka regjistruar në Serbi më shumë se dhjetë kompani në sektorin e ndërtimit, sipas një analize të Radios Evropa e Lirë.

Aktivitetet e tyre përfshijnë ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave, objekteve, instalime elektrike, si dhe projektim arkitektonik dhe tregti me patundshmëri.

Një pjesë e madhe e të ardhurave të këtyre kompanive vjen nga kontratat me shtetin.

Në vitin 2025, kompania realizoi një qarkullim prej mbi 196 milionë eurosh.

Megjithatë, kjo nuk u përkthye në fitime të larta. Shumë prej kompanive e mbyllën vitin me humbje.

SHIKONI EDHE:

Si po e shfrytëzon Kina tërheqjen e Perëndimit për të zgjeruar praninë në rajon?

Ndër to është edhe më e madhja, “China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group Ltd”, e cila regjistroi mbi 10.7 milionë euro humbje.

Kjo kompani është e angazhuar në ndërtimin e rrugës së shpejtë nga Pozharevci në Gollubac, në lindje të Serbisë, e njohur si Korridori i Danubit.

Projekti iu dha në vitin 2021 dhe punimet ende vazhdojnë.

Kostoja e projektit është rritur ndjeshëm - nga 337 milionë euro në rreth 524 milionë euro, ndërsa afati i përfundimit është shtyrë nga viti 2024 në fund të vitit 2026.

Kompanisë “China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group” i është besuar edhe ndërtimi i autostradës nga Beogradi, përmes Zrenjaninit, deri në Novi Sad.

Kostoja e këtij projekti, ndërtimi i të cilit nisi në vitin 2023, është rritur ndjeshëm.

Nga rreth 600 milionë euro sa ishte parashikuar fillimisht, vlerësimet tashmë shkojnë deri në 1.7 miliard euro, pasi shteti serb ka lënë hapësirë për këtë nivel huamarrjeje.

Ndërkohë që punimet vazhdojnë në terren, afatet janë shtyrë vazhdimisht. Sipas njoftimeve të fundit, autostrada pritet të përfundojë në vitin 2030.

Të dhënat nga një bazë ndërtimi, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se Shandong-u është ende në faza përgatitore në këtë segment - duke kërkuar leje për vendosjen e kampeve ndërtimore pranë Zrenjaninit dhe Beogradit, si dhe për një bazë betoni.

Lejet ndërtimore për këto punime ende nuk janë dhënë.

Në mesin e kompanive të shumta të Shandong-ut në Serbi, fitimin më të madh gjatë vitit të kaluar - mbi 2.3 milionë euro - e ka shënuar kompania “Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation Co. Ltd”.

Kjo kompani ka qenë e angazhuar në ndërtimin e një pjese të rrugës së shpejtë që lidh perëndimin me qendrën e Serbisë, në segmentin Valevë-Llajkovac.

Kompania ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e dhjetëra kilometrave të autostradës drejt Detit Adriatik, që synon të lidhë Serbinë me Malin e Zi.

Ajo ka ndërtuar segmentet Obrenovac-Ub dhe Llajkovac-Lig, të cilat janë lëshuar në qarkullim në vitin 2019.

Edhe këto projekte janë shoqëruar me tejkalim të afateve dhe rritje të kostove.

SHIKONI EDHE:

A po hyn Bosnja në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Kinës?

Dy kompani të tjera në pronësi të Shandong-ut nuk i kanë dorëzuar raportet financiare për vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, në vitin 2024 ato kanë pasur një qarkullim të përbashkët prej rreth pesë milionë eurosh.

Pse rriten kostot e projekteve?

Këtë pyetje e ngre edhe Këshilli Fiskal, një organ i pavarur që monitoron financat publike në Serbi.

Në analizën e dokumenteve për shpenzimet e planifikuara të shtetit në vitet në vijim, Këshilli thekson se kostot e projekteve infrastrukturore po rriten, por pa u dhënë shpjegime të qarta.

Sipas tij, rritja e çmimeve është e pranishme edhe në vendet e Bashkimit Evropian, por atje tejkalimet janë zakonisht rreth 20 për qind.

Në Serbi, megjithatë, situata është ndryshe.

“Në projektet rrugore që po ndërtohen aktualisht përmes procedurave të veçanta (marrëveshje direkte me kontraktorin), po bëhet gjithnjë e më e dukshme rritja e mëvonshme dhe në disa faza e kostos fillestare”, thuhet në analizën e Këshillit Fiskal nga qershori i vitit 2024.

Si shembull përmendet edhe autostrada Beograd-Zrenjanin-Novi Sad, që po ndërtohet nga kompania kineze Shandong.

“Është e vërtetë që, ndërkohë, ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve të materialeve ndërtimore dhe në publik është folur edhe për ndryshime të trasesë, por mbetet shumë e diskutueshme nëse këta faktorë mund ta justifikojnë një rritje të çmimit që shkon të paktën në dyfishin e vlerës fillestare”, thuhet më tej në analizë.

Akuza se tejkalimi i kostove në projektet shtetërore lidhet me korrupsionin, janë ngritur edhe nga partitë opozitare dhe një pjesë e ekspertëve në Serbi.

SHIKONI EDHE:

Serbia hesht ndaj kritikave të FBI-së: Si u arratis shtetasi kinez që kërkohet nga SHBA-ja?

Kompania Shandong nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me arsyet e rritjes së kostove në projektet e saj.

Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet për akuzat për korrupsion, drejtuar Ministrisë së Ndërtimit të Serbisë.

Çfarë bën tjetër Shandong-u në Serbi?

Kompania e Shandong-ut ka qenë nënkontraktore në ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Novi Sadi deri në Suboticë, në drejtim të kufirit me Hungarinë, ku kontraktorët kryesorë kanë qenë kompani të tjera kineze - konsorciumi CRIC-CCCC.

Pas aksidentit në stacionin e rinovuar hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, kjo linjë është bërë objekt i hetimeve nga Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë.

Hetimet janë fokusuar në mundësinë e korrupsionit gjatë punimeve për modernizimin e kësaj linje hekurudhore, ndërsa në rast janë të përfshirë edhe dy ish-ministra të Qeverisë së Serbisë.

SHIKONI EDHE:

Projekti i mbështetur nga Kina për ndërtimin e urës në Beograd nxit kritika për fshehje të kontratave

Kompanitë e grupit Shandong po ndërtojnë edhe një garazh nëntokësor në qendër të Beogradit, pranë Kuvendit të Serbisë.

Garazhi me katër nivele, sipas njoftimeve të zyrtarëve të qytetit, duhet të ndihmojë në zvogëlimin e trafikut dhe të problemit me vendparkimet në kryeqytetin serb.

Punimet, siç thuhet, janë në fazën përfundimtare.

Për këtë vit, Qeveria serbe ka paralajmëruar edhe fazën e dytë të punimeve në aeroportin e Nishit - i dyti për nga madhësia në Serbi.

Përveç kullës së re të kontrollit, aeroporti pritet të ketë edhe një parking më të madh për avionët.

Ky projekt, me vlerë mbi 140 milionë euro, i është besuar kompanisë Shandong.

Kompania ka ndërtuar edhe Qendrën Kulturore Kineze në Beograd - në vendin ku dikur ndodhej Ambasada e Kinës, e shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, në vitin 1999.

Ndërtimi i saj ka kushtuar rreth 45 milionë euro.

Autostrada e ardhshme përmes Shumadisë, e dakorduar në fillim të majit, do të jetë një nga projektet më të vlefshme ku është angazhuar Shandong-u.

Rruga është quajtur “Vozhd Karagjorgje”, sipas udhëheqësit të Kryengritjes së Parë Serbe.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, pas nënshkrimit të kontratës, ka deklaruar se u është mirënjohës “miqve kinezë që janë gjithmonë të hapur për bashkëpunim konkret” dhe se detyrat i kryejnë në mënyrë “efikase dhe të përgjegjshme”.

Ambasadori i Kinës në Beograd, Li Ming, ka thënë se autostrada e ardhshme është “dëshmi e rëndësishme dhe provë e miqësisë së përhershme” mes Beogradit dhe Pekinit.

Që kur Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka marrë pushtetin në vitin 2012, Serbia e ka forcuar partneritetin me Kinën, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

SHIKONI EDHE:

Nga minierat te fabrikat diellore: Projektet kineze përballen me pengesa të rralla ligjore në Ballkan

Beogradi është bërë pjesë e nismës “Brezi dhe rruga”, të cilën e ka lansuar presidenti kinez, Xi Jinping, me synimin për të zgjeruar ndikimin e Kinës drejt Perëndimit.

Nisma kritikohet nga vendet perëndimore, të cilat e konsiderojnë si mënyrë për shfrytëzimin e shteteve të cenueshme përmes imponimit të borxheve të paqëndrueshme dhe marrëveshjeve të diskutueshme.

Çfarë bën Shandong-u në rajon?

Përfitimet e këtij gjiganti kinez të infrastrukturës, i cili operon në dhjetëra vende të botës, vijnë edhe nga projektet në fqinjësi të Serbisë.

Konsorciumi Shandong është duke ndërtuar në Mal të Zi një rrugë bregdetare, nga Budva deri në Aeroportin e Tivatit. Vlera e kontratës për 16 kilometra rrugë ishte rreth 54 milionë euro.

Punimet janë vonuar. Afati i parashikuar për përfundim ishte janari 2026, por makineritë janë ende në terren.

Vlerësohet se edhe kostoja e projektit është rritur, edhe pse nuk ka konfirmime zyrtare nga autoritetet malazeze për shumën e re të ndërtimit.

Një konsorcium kompanish ku bën pjesë edhe Shandong-u ka marrë përsipër edhe ndërtimin e unazës rreth Budvës - një projekt me vlerë rreth 196 milionë euro, që synon ta ulë ngarkesën e trafikut në bregdet.

Megjithatë, Shandong-u dhe partnerët e tij nuk arritën të fitojnë tenderin për ndërtimin e një segmenti të autostradës nga veriu i Malit të Zi drejt Adriatikut. Punën e fitoi një tjetër konsorcium kinez.

SHIKONI EDHE:

Nga studimet te lëvdatat në TikTok: Fushata e heshtur e ndikimit kinez në Ballkan

Në Bosnje dhe Hercegovinë, kompania Shandong është duke ndërtuar autostradën nga Banja Lluka deri në Prijedor, mbi bazën e një koncesioni të dhënë nga Qeveria e entitetit Republika Sërpska.

Pjesa financiare e kontratës për ndërtimin e rreth 40 kilometrave rrugë mbetet e fshehtë, pasi autoritetet në Banja Llukë kanë refuzuar ta bëjnë publike.

Pavarësisht vendimeve gjyqësore për publikimin e kontratës, arsyetimi i Qeverisë ka qenë se “pala kineze nuk e lejon”.

Kostot e punimeve, nga 297 milionë euro në fillim, janë rritur edhe me 90 milionë euro shtesë, ndërsa Qeveria e Republikës Sërpska e ka arsyetuar rritjen me “rritjen e ndjeshme të çmimeve të materialeve bazë të ndërtimit”.

Edhe pse përfundimi i punimeve ishte paralajmëruar për fundin e vitit 2024, afati është shtyrë për vitin 2026.

Përgatiti: Valona Tela